Vizita e Ramës i dha hov shpresës së shqiptarëve të Luginës (video) ?
Gati një javë pas vizitës së tij në Serbi vazhdon të jetë e fortë jehona e mesazheve të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama.Politikanët lokalë në Luginën e Preshevës, përveç vlerësimeve për rëndësinë historike të kësaj vizite, janë të bindur se tashmë është hapur një faqe e re, jo thjesht për marrëdhëniet mes Shqipërisë e Serbisë, por mbi të gjitha për zgjidhjen e çështjes së të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në këtë pjesë të Serbisë.
“Kryeministri shqiptar Edi Rama në Beograd shënoi një fitore të Shqipërisë karshi Bashkimit Europian duke qenë i çiltër, duke qenë i hapur dhe duke qenë shumë real. Anjëherë në retorikën dhe fjalimin e tij nuk ka përdorur një imagjinatë nga e kaluara, por një imagjinatë për të ardhmen duke lënë pas të gjitha papajtueshmëritë mes Serbisë dhe Shqipërisë nga e kaluara, duke qenë i gatshëm për të lënë pas dhe të gjitha ato mizori që Serbia ka bërë ndaj shqiptarëve qoftë në Kosovë, në Luginën e Preshevës apo gjetiu për historinë e kaluar dhe për të ndërtuar një rrugë të re të hyrjes në Bashkimin Europian”, - shprehet Ragmi Mustafa, kreu i komunës së Luginës së Preshevës.
Kryeministri Edi Rama zgjodhi pikërisht ndalesën e tij në komunën e Preshevës ku dhe u nderua me titullin “Qytetar nderi”, për të njoftuar arritjen e një marrëveshje me homologun e tij serb Aleksandër Vuçiç, mbi njohjen e diplomave shqiptare nga ana e Beogradit zyrtar.
Deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Riza Halimi shprehet se kjo vizitë padyshim që hapi debatin e rëndësishëm për të drejtat e shqiptarëve, për të cilat tashmë pritet të shihen rezultate konkrete.
“Për ne ka një peshë të posaçme kjo që u hap një debat pas këtij takimi dhe pas deklaratave të kryeministrit Rama në Beograd. Tashmë është shumë aktual dhe ka reagime fillimisht të ashpra lidhur me kërkesën që shqiptarët e Preshevës të kenë të drejta të njëjta sikur serbët në Kosovë dhe ky debat edhe pse në këtë moment është i ashpër, besoj se do të jetë produktiv në periudhën që vjen”, thotë Halimi.
Politikanët shpresojnë shumë që kjo vizitë e kryeministrit Rama ti japë një hov shpresës për shqiptarët e vecanërisht për të rinjtë, të cilët po largohen në mënyrë massive për shkak të gjendjes së vështirë dhe mungesës së perspektivës reale./A1report/