Vizita e Donika Gërvallës: Lugina del me tri kërkesa për Kosovën, Qeveria ia ofron reciprocitetin
Tri janë propozimet që kanë dalë nga takimet e zhvilluara mes ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, dhe përfaqësuesve politikë të Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Në emër të Qeverisë, Gërvalla i ka premtuar Luginës reciprocitet në trajtimin e kërkesave të tyre me ato që do t’u ofrohen serbëve në fazën e ardhshme të dialogut të Brukselit.
Reciprocitet me të drejtat që gëzojnë serbët e Kosovës u ka premtuar qeveria shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit. Në vizitën që ministrja e Punëve të Jashtme i bëri Luginës të enjten është diskutuar gjendja e shqiptarëve atje dhe adresimi i kërkesave të tyre edhe nëpërmjet dialogut të Brukselit.
Kryetari i Komunës së Bujanocit ka treguar për kërkesat që i kanë shtruar dhe ato që u ka ofruar Qeveria nga Prishtina.
“Sot kam paraqitur tri versione ndaj zonjës Gërvalla. Se dëshira e shqiptarëve është bashkimi me Kosovën, çështja tjetër është reciprociteti dhe pika e tretë ka qenë plani shtatëpikësh të cilin në vitin 2013 të gjitha subjektet politike shqiptare e kanë aprovuar. Por kemi rënë dakord që prioritet i Qeverisë së Kosovës për momentin është t’i jepet përparësi parimit të reciprocitetit”, ka thënë Nagip Arifi, kryetar i Bujanocit.
“Vendosja e standardeve unike e trajtimit të pakicave në Kosovë dhe rajon është jashtëzakonisht e rëndësishme, në radhë të parë për të mënjanuar çfarëdo konflikti në të ardhmen. E dyta një nga kërkesat thelbësore të Luginës ka qenë reciprocitetin në të drejta me qytetarët serb në Republikën e Kosovës dhe e katërta ne vazhdimisht kemi kërkuar që çështja e Luginës së Preshevës të jetë pjesë e tavolinës së Brukselit. Ne konsiderojmë se një marrëveshje përfundimtare e obligueshme do të duhej të jetë gjithëpërfshirëse dhe në këtë kuptim do të duhej të përfshihej edhe çështja e Luginës dhe statusi i saj juridiko-politik”, ka thënë Ragmi Mustafi, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar.
“Në qoftë se shqiptarëve në Luginë u është imponuar në vitin 2010 për të ndërtuar Këshillin Kombëtar pse e njëjta gjë të mos i ofrohet Serbisë për serbët e Kosovës. Mbase edhe në takimin e parë e ofroi Kurti, por që reagoi ashpër Vuçiqi. Pse mos të jetë kjo zgjidhje për ta, por të kërkohet Asociacioni”, është shprehur Ragmi Mustafa, zëvendëskryetar i Preshevës.
Përfaqësuesit e Luginës kanë thënë se ministren e njoftuan për diskriminimin e vazhdueshëm nga Qeveria e Serbisë me theks të veçantë pasivizimin e adresave të shqiptarëve, si dhe mosnjohjen e diplomave.
Gërvalla vizitoi Luginën e Preshevës me një ditë vonesë, pasi autoritet serbe fillimisht nuk i dhanë leje.