Vendoset flamuri kombëtar në godinën e KKSH-së
Këshilli Kombëtar Shqiptar vendosi flamurin kombëtar në godinën e këtij institucioni personalisht kryetari Ragmi Mustafa.
"Obligim mbetet për politikën shqiptare Bashkimi i Luginës me Republikën e Kosovës si zgjidhja e vetme!
Përkundër përpjekjeve dhe “falënderimeve”as BG as Nishi s’janë zgjidhje për shqiptarët e Luginës", ka shkruar Enver Mehmeti zëvendës kryetar i KKSH-së.
Ai shkroi se me gëzim për festën në krye të detyrave me lutje për shqiptarët, të bashkuar për integrim ne BE dhe partneritet të përhershëm me SHBA.
Postimi i plotë në facebook i kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa:
Të nderuar bashkëqytetarë të Luginës.
Sot shënojmë 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit.
Pavarësisht vështirësive të kuptueshme dhe pavarësisht mosdakordësive të njohura, më lejoni t’ju them se jemi shumë besimplotë që kemi hapur një faqe të re në Këshillin Kombëtar Shqiptar.
Kemi marrë përsipër përgjegjësinë që na takon, që të mos lejojmë që gjenerata e re e shqiptarëve, të trashëgojnë traumat dhe pasojat traumatike të diskriminimit sistematik.
Kjo është një përgjegjësi që Këshilli Kombëtar Shqiptar e ka marrë të plotë, e njeh plotësisht si detyrimin e saj dhe përtej të gjitha atyre që preferojnë të jetojnë me slogane dhe me retorika, ne, me këtë përgjegjësi dhe me këtë vetëdije kombëtare do të bëjmë çmos që t’i japim një të ardhme të denjë çdo shqiptari dhe shqiptareje.
Ky nuk është një detyrim vëllazëror vetëm, nuk është as një detyrim politik vetëm, është një detyrim kombëtar.
Të mos e harrojmë për asnjë moment se liria dhe të drejtat e çdo shqiptari, kudo ku jeton, janë të paprekshme dhe si të tilla duhet t’i mbrojë pavarësisht vështirësive që ka mbrojtja e tyre dhe pavarësisht pengesave që gjejmë sëbashku, në rrugën për t’i garantuar ato.
Serbia është sot e vetmja republikë ish-jugosllave që I ndalon me ligj simbolet kombëtare shqiptare.
Po të njëjtat simbole që lejoheshin në sistemin monist jugosllav para rreth tridhjetë vitesh, ndalohen sot në Serbinë e cila pretendon vlera demokratike evropiane.
Si reagim i kësaj shtypje, pothuajse çdo vit janë organizuar forma të ndryshme të protestës në Luginën e Preshevës, për ta fituar këtë të drejtë elementare. Ato kërkesa legjitime janë shpërfillur vazhdimisht ashtu siç po refuzohen të Këshillit Kombëtar Shqiptar nga Beogradi zyrtar, në emër të asaj se këto simbole janë identike me ato të një shteti tjetër, në këtë rast me atë të Republikës së Shqipërisë.
Ndryshe nga shtetet e tjera në rajon, ky argument po përdoret vetëm nga Serbia shtetërore. E njëjta që I do simbolet e veta kombëtare gjithandej në rajon.
Qeveritë respektive të Serbisë vazhdojnë të trumbetojnë se po respektojnë të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në Serbi. Por, pikërisht ndalimi ligjor i përdorimit të simbolit kombëtar nga autoritetet shtetërore dëshmon diskriminimin dhe shtypjen e shtetit ndaj diversitetit, të ndryshmes, asaj që nuk është serbe.
Edhe sot, jo pak shqiptarë të Luginës përfshirë edhe Këshillin Kombëtar Shqiptar përballen me procese gjyqësore për shkak të ngritjes së flamurit kombëtar shqiptar. Kjo politikë në emër të shtetit ligjor është në fakt politikë e dëbimit të tjetrit.
Fakti se në asnjë 28 nëntor nuk ka pasur tensione midis qytetarëve të përkatësive të ndryshme etnike reflekton se simbolet kombëtare shqiptare ju pengojnë mbi gjithash autoriteteve shtetërore, e jo qytetarëve serbë.
Vetë ndalimi me ligj i flamurit kombëtar shqiptar është njollosje e tij nga shteti. Nuk i takon shtetit t’i përzgjedhë veçoritë identitare të bashkësive të ndryshme etnike/kombëtare. Ndalimi I tyre flet për karakterin demokratik të vetë shtetit, një shteti ku nuk ka të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët, në shpërputhje edhe me konventat për të drejtat e njeriut dhe të minoriteteteve, të nënshkruara nga vetë ai.
Drejtimi i së ardhmes është drejtimi i lirive dhe të drejtave të barabarta për çdo qytetar.
Bashkërisht, sot, ne jemi në të drejtën e Zotit dhe të vendit që të mbrojmë me forcë lirinë dhe të drejtën e çdokujt që jeton në këto territore, për të mos u ndjerë I ndryshëm, në kuptimin diskriminues, ndaj askujt tjetër.
S’ka arsye që shqiptarët e Luginës së Preshevës të kenë më pak mundësi, të kenë më pak liri, të kenë më pak të drejta setë tjerët.
Duke u bërë përçues të ëndrrave dhe të aspiratave të brezave më të rinj dhe duke sakrifikuar pak nga vetvetja si qenie politike, si shprehje e një identiteti të pathyeshëm, të patjetërsueshëm dhe të paasimilueshëm.
Besoj se, më të dëgjuar dhe më të respektuar se ç’jemi sot, nuk kemi qenë asnjëherë. Ne ia kemi dale aty ku askush nuk ka menduar t’ia dalim. Sepse nuk kemi kërkuar kurrë diçka që nuk i takon tjetrit.
Duke kërkuar të drejtat tona kombëtare, Ministrave dhe zyrtarëve shtetërorë të Serbisë ia njohim të drejtën edhe të dalin mendsh, sepse është e drejtë e njeriut dhe kjo!
Rruga jonë është përpara. Rruga jonë është e drejtë. Nëse sot ne kemi të drejtën të ndjehemi mirë kur shohim nga kemi ardhur dhe të ndihemi jo mirë kur shohim ku duam të shkojmë, atëherë duke marrë dhe lexuar si duhet historinë që na solli deri këtu, le të bëjmë së bashku histori për të shkuar aty ku duam dhe ku do të shkojmë me siguri.
Këshillit Kombëtar Shqiptar do ta vazhdojë betejën politike dhe juridike për legalizimin e simboleve kombëtare shqiptare. Simbolet tona. Pa ndryshime. Pa dallime.
Simbolet kombëtare nuk duhen ndryshuar!
Ligjet diskriminuese duhen ndryshuar!
Flamuri kombëtar shqiptar do të valojë në Luginën e Preshevës!
Gjithnjë, gjithmonë, përgjithmonë!
Urime 28 nëntori – Dita e Flamurit!
copy(/home/titulli/public_html/images/image/D44A8FC-6AF7-42E7-932C-B818EB275D9F.jpeg): failed to open stream: No such file or directory