Sveçla: Ambiciet territoriale të Serbisë për Kosovën vazhdojnë të përbëjnë problem serioz për rajonin
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se ambiciet territoriale të Serbisë për Kosovën vazhdojnë të përbëjnë problem për vendin, por edhe për rajonin.
Të martën, në një takim me shefen e operacioneve aktuale, Divizioni për Operacione i Shtabit të Përgjithshëm të NATO-s, Ariella Viehe, Sveçla ka thënë se diskutuar për bashkëveprim më të mirë e të vazhdueshëm mes KFOR-it dhe Policisë së Kosovës.
“Biseduam mbi situatën aktuale të sigurisë në Kosovë, veçanërisht në veriun e Kosovës. Sulmet e njëpasnjëshme viteve të fundit ndaj institucioneve tona dhe zyrtarëve tanë në veriun e Kosovës si dhe sulmi terrorist i 24 shtatorit ishin çështjet e rëndësishme për të cilat biseduam me znj. Viehe, poashtu edhe për bashkëpunimin dhe bashkëveprimin e mirë e të vazhdueshëm mes KFOR dhe Policisë së Kosovës. Me këtë rast, u dakorduam për bashkëpunim të mëtejmë të institucioneve tona dhe misionit të KFOR. Kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë dhe ambiciet e saj territoriale për Kosovën vazhdojnë të përbëjnë problem serioz për Kosovën por edhe të rajonit”, ka shkruar Sveçla në Facebook.