Sinani priti përfaqësues të ndryshëm politik e diplomatik
Kryetarja e komunës së Preshevës, ka pritur përfaqësues të ndryshëm politik.
Postimi në Facebook nga Ardita Sinan:
Pata kënaqësinë të pres në Komunën e Preshevës mysafirët e nderuar:
-Z. Walter Miller, përfaqësues rajonal për migracionin nga Athina
-Znj. Carmen Wilke, eksperte për apatridinë, Uashington
-Znj. Bailey Lamb, analiste programore për Evropën në Byronë për popullsi, migrime dhe refugjatë
Nga Ambasada e SHBA-së në Beograd:
-Z. Nicholas Enz, zyrtar i Departamentit Politik
-Znj. Alice Wolfram, zëvendëse e këshilltarit politik
-Znj. Ksenija Lazović, nga Departamenti Politik
Nga UNHCR:
-Z. Sofian Agjalli, përfaqësues i UNHCR-së
-Znj. Jelena Milonjić, nga shërbimi ligjor
-Lirije Selmani Misini, udhëheqëse e zyrës së UNHCR për jug
Diskutuam për sfidat e mëdha që komuna jonë po përballet në lidhje me krizën e migrantëve.
Presheva është një nga zonat më të prekura nga fluksi i migrantëve në Serbi dhe më gjerë, dhe sot, më shumë se kurrë, kërkojmë mbështetje për të përballuar sfidat e rënda që rëndojnë mbi komunitetin tonë.
Me burime të kufizuara uji, infrastrukturë të vjetëruar dhe papunësi të lartë, ndjejmë barrën e mikpritjes që kemi ofruar që prej vitit 2015 për më shumë se 1 milion migrantë. Ndihma ndërkombëtare është thelbësore për të zbutur krizën dhe për të mbështetur zhvillimin e komunitetit tonë.
Diskutimi me partnerët tanë u fokusua në krijimin e një bashkëpunimi më të ngushtë, ndërsa Komuna e Preshevës mbetet e angazhuar për integrimin e migrantëve në komunitet. Nuk duam që komuna jonë të ketë epitetin e një burgu për migrantët, por të jetë një vend ku integrimi dhe bashkëjetesa janë prioritet.