Sinani akuzon Arifin për nënshtrim ndaj Serbisë, ky e quan gënjeshtare- shkak flamuri serb
Këshilltarja e kryeministrit Albin Kurti për Luginën e Preshevës, Ardita Sinani, ka thënë se Komuna e Preshevës, që udhëhiqet nga Shqiprim Arifi, i është nënshtruar Beogradit, duke ulur në gjysmështizë flamurin, pas shpalljes së zisë në Serbisë.
“Patriotizëm nëpër rrjete sociale, e zbatim urdhrash në realitet. Pas shpalljes ‘ditë zie’ me rastin e vrasjes së tre terroristëve në Kosovë, nga ana e presidentit serb, Vuçiq, urdhrit iu nënshtruan komunat me shumicë serbe në Kosovë, republika Srpska, dhe e fundit, e vetmja komunë me shumicë shqiptare, komuna e Preshevës”, ka shkruar Sinani në Facebook të mërkurën.
Ajo ka publikuar fotografi të flamurit që shihet i rënë në gjysmështizë, por këto pamje i ka mohuar kryetari Arifi, duke thënë se ato nuk përkojnë me zhvillimet e fundit.
“Ardita Sinani është me vite rrence dhe shpifëse e pandërprerë. Pse i besoni? E ka marrë një fotografi të vjetër para shumë viteve dhe tash bëhet lajm. Rrence e paparë është. Unë sapo pyeta kryeshefin e Administratës dhe më konfirmoi se nuk është e vërtetë. Kjo paramendo, në këtë situatë që gjendet i gjithë rajoni do ta përkeqësojë edhe njëherë më shumë”, thuhet në përgjigjen e Arifit për KOHËN.
Ndërsa, këshilltarja e Kurtit, dikur kryetare e Preshevës, i ka thënë KOHËS se fotografitë e flamurit pranë objektit të Komunës janë shkrepur të mërkurën rreth orës 18:00.
Qeveria e Beogradit e ka shpallur ditë zie për siç ka thënë "ngjarjet tragjike" në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku u vranë të paktën tre sulmues të Policisë së Kosovës. Këtij vendimi i është bashkuar partia më e madhe serbe në Kosovë, Lista Serbe, duke i shpallur tri ditë zie në komunat me shumicë serbe.