Shqiptarët e Luginës kërkojnë përfshirjen në dialogun Kosovë "“ Serbi
Me rinisjen e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shqiptarët e Luginës së Preshevës po kërkojnë që edhe ata të përfshihen në këtë proces.Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Fatmir Hasani, ka thënë që kjo duhet të bëhet patjetër, pasi që Lugina ka mbetur shumë prapa, raporton KTV.
Ai konsideron që Kosova duhet t’i vë reciprocitet Serbisë, çka ofron Kosova për pakicën serbe, ashtu duhet edhe Serbia të ofrojë për shqiptarët e Luginës, pasi pakica shqiptare në Serbi ka shumë ngecje.
Ndihma e Prishtinës zyrtare dhe Tiranës, është shumë e nevojshme, por sipas Hasanit nuk është e mjaftueshme.
Jeta Krasniqi nga “Demokracia në Veprim” vlerëson që në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd, Bashkimi Evropian duhet ta kushtëzojë Serbinë që t’i respektojë të drejtat e pakicës shqiptare atje.
Bisedimet ndërmjet dy vendeve kanë rinisur, duke u udhëhequr nga presidenti Hashim Thaçi si dhe homologu i tij serb, Aleksandër Vuçiq.
Shqiptarët në Luginë kanë kërkuar përherë përkrahje më të madhe nga shtetet shqiptare, por thonë se deri tani kanë marrë vetëm premtime.