Shqiptarët e diskriminuar në Serbi,  punësimi në institucione shtetërore i vogël (video)
Lokale

Shqiptarët e diskriminuar në Serbi, punësimi në institucione shtetërore i vogël (video)

05.Feb.2016 12:05
0
Shqiptarët e Luginës së Preshevës kërkojnë një kohë të gjatë integrimin në organet shtetërore të Serbisë, sipas strukturës së popullatës që jeton në këtë rajon.

Pasi shqiptarët kanë bojkotuar regjistrimin e vitit 2011, sipas regjistrimit të vitit 2002 në komunat Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë kanë jetuar gjithsej 88.966 banorë.

Prej këtij numri 57.595 apo 64.74 përqind janë shqiptarë, 24.929 apo 28.02 për qind serbë, 4.297 apo 4.83 për qind romë dhe 2.145 apo 2.41 për qind të tjerë.

Sipas shënimeve nga viti 2011, e që nuk ndryshojnë shumë as tani pas pesë viteve, nga numri i përgjithshëm i të punësuarve në organet shtetërore, pa përfshirë administratat komunale dhe shkollat, shqiptarët janë të punësuar vetëm 24.25 për qind.

Numri i tyre është simbolik nëpër disa organe.

Në komunën e Medvegjës disa organe shtetërore, por edhe ato lokale, siç është Shtëpia e Shëndetit, nuk kanë asnjë shqiptarë të punësuar.

Në komunën e Bujanocit, në Shërbimin e Kadastrit nuk ka asnjë shqiptar të punësuar, ndërsa gjendja më e rëndë është në inspeksione republikane, ku kemi vetëm një shqiptar të punësuar, edhe atë në inspeksionin e punës, thotë Shaip Kamberi, deputet në Kuvendin e Serbisë.

Nermine Aliu-Ademi nga Iniciativa Qytetare në Beograd, zyra në Bujanoc mendon se integrimi i shqiptarëve edhe pse temë shumë e përfolur, lidhur me këtë çështje është bërë shumë pakë.

“Një problem shumë i rëndësishëm është edhe mosnjohja e diplomave të Kosovës. Të rinjtë tonë që studiojnë në Kosovë me problemin e parë që ballafaqohen kur po kthehen është mosnjohja e diplomave”, thotë Aliu – Ademi për portalin informativ Titulli.com.

Sipas saj, të rinjtë e këtij rajoni hasin në diskriminim nëpër institucione të ndryshme, por problem mund të jetë edhe mosnjohja e gjuhës serbe, si gjuhë zyrtare e këtij shteti.

“Ne mendojmë se të rinjtë duhet të inkurajohen që të mbesin këtu. Ne kemi realizuar disa projekte të ndryshme më të rinjtë, siç është projekti për luftimin e diskriminimit. Po flas për diskriminimin sepse edhe diskriminimi është një faktor që ndikon në integrimin e të rinjve, psh bëhet diskriminim nëpër institucione të ndryshme duke mos pranuar që shqiptarët të kyqen nëpër ato institucione”, shton përfaqësuesja e organizatës Iniciativa Qytetare, Nermine Aliu-Ademi.

Belgzim Kamberi, kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut (KDNJ) në Preshevë thotë që pika kryesore që ka dështuar plani i qeverisë së Serbisë nga viti 2001 është integrimi i shqiptarëve.

“Në këtë drejtim mund të thuhet se shqiptarët janë të nënpërfaqësuar në të gjithë institucionet që nuk janë në kompetenca të pushtetit lokal. Nuk ka pasur asnjë lloj avancimi dhe adresa e përgjegjësisë është qeveria e Serbisë, e cila nuk ka treguar vullnet për t’i integruar shqiptarët, por përkundrazi ka vazhduar politikën e saj diskriminuese”, thotë Kamberi për Titullin.

Sipas tij, subjektet politike shqiptare, fatkeqësisht, pas vitit 2001, e kanë degraduar këtë temë edhe më shumë.

“Rritja e pushtetit simbolik në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, pas përfundimit të luftës ka krijuar më shumë mundësi pushteti për politikanët dhe më shumë hapësira për ata. Në këtë drejtim ka degraduar tërësisht organizimin e partive politike shqiptarë, të cilët sot jo vetëm që janë të përçara, por iu mungon cilësia, iu mungon veprimi politik, aktivizmi politik, që do të thotë që ata janë bashkëpërgegjëse për situatën e shqiptarëve në Luginë të Preshevës”, thekson kryetari i KDNJ-së, Belgzim Kamberi.

Lidhur me integrimin e shqiptarëve, kryetari i Partisë Republikane (PR) në Bujanoc, Avdyl Ramadani, thotë se pushtetarët tonë nuk janë angazhuar aq sa duhet.

“Numri i shqiptarëve në organet shtetërore është shumë i vogël, por këtu është edhe përgjegjësi e jona dhe e pushtetarëve tonë që nuk janë angazhuar sa duhet. Kemi institucione, siç është kadastri ku nuk kemi asnjë shqiptar të punësuar”, thotë Ramadani për portalin tonë.

Ai fajëson qeverinë e Serbisë, pasi sipas tij, qeveria është shumë pakë e interesuar për popullin shqiptar, por edhe pushtetin lokal.

“Qeveria na cilëson si popull i shkallës së dytë apo të tretë. Por ata nuk kanë faj, por pushteti lokal ka më shumë faj. Sepse nuk munden të drejtat tona të na mohojnë aq shumë nëse ne nuk i kërkojmë ato. Pushteti lokal duhet të mbrojë të drejtat tona, pasi ne i kemi votuar për t’i mbrojtur interesat tona, e ata interesat e popullit shqiptar nuk i kanë mbrojtur as 20 për qind”, përfundon Avdyl Ramadani, kryetar i republikanëve në Bujanoc./Titulli.com/

 

VIDEO:

Presheva në alarm nga qentë endacak, kërkohet qendër strehimi
Deputetët shqiptarë të angazhuar për zbardhjen e personave të zhdukur në Luginë
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration