Lokale
“Sezai Surroi” feston me Evropën (foto)
Në ditën e Evropës më 9 maj, shkolla e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc ka shënuar ditën e këtij institucioni të mesëm arsimor
Në prezencë të qindra nxënësve, mësimdhënësve, nismëtarëve për hapjen e kësaj vatre arsimore, veteranëve të arsimit si dhe udhëheqësisë komunale e liderëve politikë, sot u bë shënimi i ditës së shkollës me program të begat kulturoro-artistik.
Drejtori i kësaj shkolle Zejni Fejzullahu, pas përshëndetjeve që bëri për të pranishmit dhe kontribuuesit në hapjen e kësaj shkolle, shpalosi edhe njëherë historikun e shkollës, me theks të veçantë hapat e formimit të saj si dhe arritjet deri në ditën e sotme.
“Sot ka dy data mjaft të rëndësishme, njëra 45 vjetori i hapjes së paraleleve të para të gjimnazit nga Presheva në Tërnoc si dhe 40 vjetori i pavarësimit të shkollës nga gjimnazi preshevar”, u shpreh Fejzullahu.
Ai falënderoi të gjithë kontribuuesit që u angazhuan dhe patën dëshirën e flaktë për hapjen e kësaj shkolle të mesme, ku ndër më meritorit përmendi familjen Xheladini dhe Bektashi duke mos harruar edhe mësimdhënësit si dhe kryetarin e tanishëm të Komunës Nagip Arifin për ndërtimin e objektit në të cilin sot mësojnë nxënësit e kësaj shkolle.
Ndërkaq, Shaban Xheladini, koordinatori i parë i në këtë vatër arsimore, falënderoi për ftesën ndërsa kërkoi nga udhëheqësia e re e shkollës që mos të anashkalohen edhe kontribuuesit tjerë, kurse nxënësve i bëri ftesë që të vijojnë mësimin me rregull dhe të mos humbin orë.
Edhe kryetari i Komunës së Bujanocit Nagip Arifi ftoi nxënësit që të mësojnë se tani i kanë të gjitha kushtet në shkollën “Sezai Surroi”. Ai nënvizoi tre momentet që e kanë emocionuar më shumë ate gjatë kohës sa drejton Komunën e Bujanocit.
“Nxjerrja e librave në gjuhën shqipe nga podrumet dhe ekspozimi i tyre për lexuesit shqiptar në raftet e bibliotekës, largimi i ushtrisë nga hapësira e shkollës si dhe ndërtimi i shkollës “Sezai Surroi” në vitin 2006 janë momentet më emocionuese dhe të pa harruara nga koha që drejtojë këtë komunë”, tha Arifi.
Në manifestimin e sotëm përveç recitaleve, nxënësit shpalosën edhe vallëzimin dhe skeçe, kurse u ndanë mirënjohje për nxënësit më të dalluar. Mirënjohje pranuan edhe kontribuuesit për hapjen e kësaj vatre arsimore.
Shkolla e mesme “Sezai Surroi” pas pavarësimit në vitin 1973, drejtor të parë kishte Mejdi Rufatin, kurse në vitin 1974 është transferuar nga Tërnoci në qytetin e Bujanocit. Më 16 korrik 1990 qeverisja e atëhershme me masa të dhunshme, shkollës “Sezai Surroi” ia ndryshoi emrin në “Mihajlo Pupin”, emër ky i cili qëndroi deri në ardhjen në pushtet të shqiptarëve në vitin 2002.
Nxënësit e kësaj shkolle nga viti 2007 mësojnë në objektin e ri. Kjo shkollë ka 50 paralele dhe 1450 nxënës.
Para 45 viteve kishte vetëm dy paralele me gjithsejtë 70 nxënës./Titulli.com/
copy(/home/titulli/public_html/images/image/t/uploads/2013/05/Sezai-Surroi4.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!