Serbia në konfrontim me Perëndimin, për shkak të Kosovës
Rajoni dhe Politika

Serbia në konfrontim me Perëndimin, për shkak të Kosovës

25.Dec.2022 00:33
0

Çfarë i sjell Serbisë konfrontimi me Perëndimin?

Kjo pyetje lind pasi presidenti dhe kryeministrja e këtij vendi kandidat për anëtarësim në BE i bënë kritika të ashpra ambasadorit gjerman në Kosovë, për qëndrimet e tij ndaj barrikadave në veri të Kosovës dhe ndaj kërkesës së Serbisë për të kthyer një numër ushtarësh në Kosovë.

Në veriun e Kosovës, të populluar kryesisht me serbë, grupe qytetarësh kanë bllokuar rrugët tash e dy javë, për shkak të arrestimit të një ish-pjesëtari të Policisë së Kosovës me nacionalitet serb. Dejan Pantiq dyshohet për pjesëmarrje në një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe atyre policorë në veri të Kosovës.

Naim Leo Beshiri, nga Instituti joqeveritar për Çështje Evropiane, thotë se “Serbia është tani në një pozicion unik për të punuar, së bashku me Bjellorusinë, direkt kundër Bashkimit Evropian”.

“Dhe, shtrohet pyetja se kur do të mund të vijë te një kthesë drakoniane kur bëhet fjalë për euro-integrimet”, thotë Beshiri për Radion Evropa e Lirë.

Një bllokadë në rrugë shihet në Rudarë, afër pjesës veriore të Mitrovicës, qytet i ndarë etnikisht.
Një bllokadë në rrugë shihet në Rudarë, afër pjesës veriore të Mitrovicës, qytet i ndarë etnikisht.

Çfarë ka thënë ambasadori i Gjermanisë?

Në një intervistë për televizionin e Kosovës, KTV, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se kërkesa e Serbisë në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, për të dërguar 1.000 ushtarë në veri të Kosovës, është “absurde dhe e papranueshme” për Gjermaninë.

“Për ne, si Gjermani, dhe për të gjitha ato shtete që e kanë njohur Kosovën e pavarur, është e paimagjinueshme që në një shtet të pavarur të bëjmë diçka kundër dëshirës së shtetit të pavarur. Prandaj, atë kërkesë e konsiderojmë si të papranueshme”, ka thënë Rohde më 19 dhjetor.

Më 15 dhjetor, Qeveria e Serbisë i ka dërguar një kërkesë elektronike KFOR-it për kthimin e “deri 1.000” pjesëtarëve të policisë dhe ushtrisë së saj në Kosovë.

 

Në intervistë, Rohde po ashtu ka thënë se qytetarët në veri të Kosovës po vuajnë nga barrikadat, për shkak të mbylljes së pikave kufitare me Serbinë dhe të shkollave. Ai ka thënë se bllokadat duhet të hiqen para Krishtlindjeve.

“Ne kemi nevojë për dialog, jo konfrontime. Ata që janë përgjegjës për barrikadat, duhet të mendojnë se po dëmtojnë popullatën e tyre”, ka thënë Rohde.

Reagimet në Serbi

Kjo intervistë ka shkaktuar reagime të furishme në Serbi.

Presidenti Aleksandar Vuçiq ka postuar një video në llogarinë e tij zyrtare në Instagram, më 21 dhjetor, ku, mes tjerash, ka thënë se Serbia po përballet me “paturpësi të madhe që vjen nga jashtë, nga disa fuqi perëndimore”, dhe ka kritikuar ambasadorin gjerman në Prishtinë që ka kundërshtuar kërkesën e Beogradit për dërgimin e 1.000 ushtarëve në veri të Kosovës.

“Nuk është absurde që në tokën e shenjtë serbe të ketë trupa shqiptare, kroate, gjermane, por është absurde të ketë trupa serbe. Dhe ne duhet të themi: Keni të drejtë, na falni, vetëm mos na rrëzoni nga pushteti. Epo, rrëzojeni kë të doni nga pushteti, bëni ç’të doni”, ka thënë Vuçiq.

 

Një ditë më herët, Vuçiq nga Azerbajxhani, ku ka qëndruar për vizitë zyrtare, ka thënë se deklarata e ambasadorit gjerman është “e rrezikshme” dhe se ajo paraqet “kërcënim për popullin serb”. Ai ka thënë se Rohde “është i njohur për qëndrime anti-serbe”.

“Gjermania do dominim të plotë në Ballkan”, ka thënë Vuçiq për televizionin privat serb, Pink.

As kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, nuk i ka kursyer fjalët. Në një postim në Twitter, ajo ka thënë se deklaratat e Rohdes, nëse “nuk është keqinterpretuar ose nëse nuk ka pasur goditje të vogël para intervistës”, janë “thellësisht shqetësuese”, sepse ai kërcënon shprehimisht serbët.

“Deklarata vërtet skandaloze nga ambasadori gjerman në aq shumë nivele. Së pari, ju keni deklaruar se barrikadat duhen hequr dhe, madje, guxoni të jepni/urdhëroni afate (deri në Krishtlindje). Meqë ra fjala, ambasador, sqaroni: Krishtlindjet tuaja apo tonat? Sa ta dimë”, ka shkruar ndër të tjera Bërnabiq.

Largimi i Serbisë nga BE-ja

Naim Leo Beshiri, nga Instituti për Çështje Evropiane me seli në Beograd, thotë se retorika e ashpër e zyrtarëve më të lartë të Serbisë ndaj vendeve perëndimore, mund të jetë një tregues se vendet më të fuqishme po ia kthejnë ngadalë shpinën Vuçiqit, të cilin e kanë mbështetur kur ka ardhur në pushtet në vitin 2012.

Naim Leo Beshiri
Naim Leo Beshiri

Beshiri kujton se Partia Përparimtare Serbe (SNS) e Vuçiqit ka fituar pushtetin një dekadë më parë, me premtimet se do t’i zbatojë reformat sociale, të nevojshme për hyrjen e Serbisë në BE, si dhe do të jetë bashkëpunuese në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme mes Serbisë dhe Kosovës.

Normalizimi i marrëdhënieve është kusht edhe për Serbinë, edhe për Kosovën që të avancojnë drejt integrimit evropian.

“Kjo mund t’i sjellë partnerët perëndimorë në një pozicion që ta rishikojnë realisht situatën dhe të shohin se ai Vuçiq i reformuar, i cili ka pretenduar se është një njeri evropian, është larg kësaj, dhe në fakt, është i njëjti radikal i vogël që e mbajmë në mend nga vitet ‘90”, thotë Beshiri.

Presidenti aktual i Serbisë, gjatë viteve ’90 deri më 2008, ka qenë sekretar i përgjithshëm i Partisë ultra-nacionaliste Radikale të Serbisë, të cilën e ka udhëhequr Vojisllav Sheshel. Ky i fund ka qenë i dënuar nga Tribunali Ndërkombëtar në Hagë me dhjetë vjet burgim për përndjekje, dëbime dhe akte të tjera çnjerëzore kundër kroatëve në Vojvodinë.

Beshiri beson se shumica qeverisëse në Serbi po e kthen retorikën nga koha e ish-udhëheqësit serb, Sllobodan Millosheviq.

“Pasojat e një politike të tillë kemi mundur t’i shohim në vitet ‘90”, thotë Beshiri.

Sipas tij, mungesa e reformave serioze në gjyqësor, të cilat do të siguronin funksionimin e pavarur të prokurorisë dhe gjykatave, tregon se Serbia është duke ngecur në rrugën drejt BE-së.

“Në pesë vjetët e fundit nuk kemi pasur pothuajse asnjë reformë në fushën e sundimit të ligjit, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, vlerëson Beshiri.

Sipas tij, një aspekt jo më pak i rëndësishëm është edhe mospërputhja e Serbisë me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, sa u përket sanksioneve kundër Rusisë.

Serbia, së bashku me Turqinë, është i vetmi vend kandidat për anëtarësim në BE që nuk u është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë, pasi ky vend ka filluar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Për këtë arsye, Serbia është në shënjestër të kritikave nga Brukseli zyrtar tash e sa muaj.

 

Se ky qëndrim mund ta dëmtojë atë, tregon edhe propozimi që ka dalë në Dhomën e Përfaqësuesve të Holandës - vend anëtar i BE-së - për vendosjen e përkohshme të vizave për Serbinë.

Votimi për këtë propozim, tash për tash, është shtyrë me kërkesë të ministrit të Jashtëm holandez.

Beshiri beson se Serbia do ta ketë shumë të vështirë të hapë kapitullin për politikën e jashtme dhe të sigurisë, në kuadër të negociatave për anëtarësim në BE, duke qenë se po vepron kundër interesave të BE-së.

“Mund të ketë një pezullim të negociatave me Serbinë, që mund të nënkuptojë edhe vendosjen e vizave dhe uljen e investimeve direkte në Serbi”, thotë Beshiri.

Deri më tani, Serbia ka hapur 22 nga 35 kapitujt e negociatave për anëtarësim në BE.

 

Nga viti 2020, procesi i negociatave zhvillohet në kuadër të një metodologjie të re, brenda së cilës hapen grupe temash që mbulojnë disa kapituj. Metodologjia e re ka gjashtë grupe të tilla.

Sipas të dhënave të Bankës Popullore të Serbisë, kompanitë nga BE-ja janë investitorët më të mëdhenj në Serbi.

Në dekadën e mëparshme, investimet nga BE-ja kanë përbërë 63 për qind të të gjitha investimeve të huaja direkte.

Bashkimi Evropian është partneri më i madh edhe i tregtisë së jashtme të Serbisë.

Vlera totale e tregtisë ndërmjet Serbisë dhe BE-së në vitin 2021, sipas të dhënave të delegacionit evropian në Serbi, ka qenë më shumë se 30 miliardë euro dhe ka kaluar për shumë herë tregtinë e Serbisë me Rusinë dhe Kinën.

Përgatiti: Valona Tela-REL
copy(/home/titulli/public_html/images/image/ucic-scholz.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Tensionet në veri: Gjermania mik dhe armik i Serbisë?
Kamberi flet për situatën në veri të Kosovës: Serbia është zjarrvënësja në Ballkan
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration