Schmitt: Rusia në Ukrainë dhe Serbia në Ballkan do të humbin (video)
Lokale

Schmitt: Rusia në Ukrainë dhe Serbia në Ballkan do të humbin (video)

23.Mar.2022 19:56
0

“Humbja e qartë e Rusisë në Ukrainë qartësisht do ta ndryshojë situatën në Ballkan. Kjo, sepse aleati më i ngushtë i Rusisë në rajon, Serbia, do të humbë me Rusinë”, ka thënë historiani Oliver Schmitt në intervistën për KOHË-n. “Të dyja, Rusia me Ukrainën dhe Serbia në Ballkan, duhet të humbin. Kjo duhet të hapë rrugën për një stabilizim të rajonit dhe integrim të shpejt evropian”. Schmitt, në intervistë flet edhe për atë se si Evropa i injoroi shenjat e luftës në Ukrainë, për presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ka mbetur po ai i kohës së Millosheviqit, e për kërcënimet që i bëhen Kosovës, e cila në një rast të tillë nuk do të mbrohet nga BE-ja, por nga SHBA-ja

Lufta në Ukrainë, sipas historianit të njohur zviceran, Oliver Jens Schmitt, ishte e pritshme përderisa në Evropën Perëndimore ajo u injorua krejtësisht. Në kontekstin e Kosovës, ai thotë se është edhe një mundësi për ta shpjeguar më mirë situatën, zhvillimin e shoqërisë kosovare dhe shtetit e demokracisë kosovare.

“Kjo, sepse unë mendoj që marrëdhëniet Kosovë-Serbi mund të krahasohen me marrëdhëniet Ukrainë-Rusi, sa i përket strategjisë së Serbisë, diskursit kombëtarist të Serbisë, rëndësisë së sistemit ushtarak të shërbimeve sekrete në organizimin e shtetit”, ka thënë Schmitt të martën në intervistën për KOHË-n, pak minuta pas përfundimit të ceremonisë së përurimit të veprës së tij dhe asaj në pesë vëllime, përgatitur bashkë me Eva Anne Frantz: “Politikë dhe shoqëri në Vilajetin e Kosovës dhe në Kosovën e sunduar nga serbët. Njoftime të konsujve austro-hungarezë nga Ballkani Qendror”, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Sipas Schmittit, ligjërues në Universitetin e Vjenës, anëtar i Akademisë së Shkencave të Austrisë, anëtar i jashtëm i ASHAK-ut, shqiptarët duhet të kenë kujdes në raport me Turqinë, sepse në rast agresioni nga Serbia, Kosovën s’e mbron kush tjetër pos SHBA-së. Lufta e Ukrainës sipas tij, ua ka hapur sytë politikanëve në Evropë se duhet të ndryshojnë politikën ndaj Serbisë.

Njëri prej historianëve më në zë të brezit të tij, autor i shumë veprave për Ballkanin – si “Arbëria Venetike”, “Kosova”, “Skën­derbeu”, “Shqiptarët” e të tjera – ka pranuar të flasë edhe për atë se si e sheh fundin e luftës dhe një kapitull të ri jo vetëm për Evropën.

Zoti Schmitt, “Ballkani në shekullin XX” titullohet libri për të cilin keni ardhur në Kosovë. Sa i ngjan sot – Ballkani i shekullit XXI – atij të shekullit të kaluar? Do të doja të tërhiqnim një paralele. Apo, nëse mund ta zgjerojmë: sa i ngjan sot Evropa e shekullit të kaluar kësaj së sotmes? 

Schmitt: Unë mendoj që shekulli i fundit, shekulli XX, ishte shekulli i shteteve kombëtare në Evropë, të cilët kanë synuar një qëllim të qartë: të vendosin perandoritë. Sidomos këtu në Ballkan, me trashëgiminë e Perandorisë Osmane, Austro-Hungareze, pjesërisht të Perandorisë ruse. Këto shtete kombëtare u ballafaquan me një trashëgimi jo vetëm institucionale, por edhe kulturore e deri tek ajo mentale. Ishte e qartë në rastin e çdo vendi në rajon, elitat kombëtare kanë synuar qëllimin që të shkatërronin trashëgiminë kombëtare. Çfarë quhet kjo në rastin e Kosovës për shembull? Shqiptarët e Kosovës në Perandorinë Osmane pa dyshim ishin një grup dominues në këtë rajon, që u transformuan shumë shpejt në Serbi, në Jugosllavi, në një pakicë. Kosova u ndryshua nga një provincë osmane në një koloni të brendshme të Jugosllavisë dhe shqiptarët u transformuan nga aktorët politikë në objekt politik të kolonizimit serb në rajon. Edhe shteti jugosllav, serb, kanë përdorur metoda të ndryshme si dhuna, shpërngulja, presioni, domethënë kanë penguar arsimin në gjuhën shqipe, kanë favorizuar atë islam dhe jo atë me frymë apo me qëllime shqiptare kombëtare. Edhe trashëgimia post-imperiale quhej edhe ‘të përcaktojmë disa grupe në këtë rajon’, për shembull shqiptarët në Rumani ishin magjarët dhe gjermanët, trupa që në fazën perandorake ishin grupe dominuese që në shtetet kombëtare tani u bënë në sytë e elitave të reja, armiq për idenë e shtetit kombëtar. Shteti kombëtar është përpjekur të homogjenizojë shoqërinë dhe shqiptarët e dinë shumë mirë çka do të thotë kjo në rastin e Serbisë ose të Jugosllavisë.

“Në qendrat kryesore të Evropës u harrua krejt çka ishte luftë”

Gjykuar në empirizëm, bazuar në faktet historike, e keni menduar ndonjëherë që sot në vitin 2022 do të mund të flisnim për luftën, për luftë në Evropë?

Schmitt: Për fat të keq po. Kjo, sepse në Ballkan këtu u bë një luftë e egër në vitet ‘90. Është e qartë. U harrua ndoshta shpejt edhe në Evropën Perëndimore, por sa i përket Ukrainës, kemi të bëjmë me një luftë që ka nisur më 2014. Nganjëherë kam përshtypje që në Evropën Perëndimore, në qendrat politike, u injorua. Mosnjohje me qëllim. Perëndimi ka preferuar marrëdhëniet ekonomike me Rusinë. Në këtë periudhë, Gjermania ka intensifikuar bashkëpunimin, sidomos në fushën e gazit dhe të naftës dhe ka krijuar situatë në të cilën sot Gjermania varet ekonomikisht sa i përket gazit nga Rusia. Kur flasim për luftën duhet të jemi realistë dhe unë për fat të keq, në Ballkan me eksperiencë e dhunës dhe luftës agresive serbe, njerëzit në Kosovë e perceptojnë me sy të ndryshëm, por kam përshtypjen se në qendrat kryesore të Evropës u harrua krejt çka ishte luftë, edhe pse jemi në vitin e 9-të të luftës në Ukrainë, e jo në fillim.

Ftesë për tejkalimin e kufijve kombëtarë në interpretimin e historisë bashkëkohore

Të mbetemi te libri juaj. Jeni këtu për promovimin e botimeve me material arkivor të Akademisë Austriake të Shkencave për Kosovën në 5 vëllime të përgatitura nga ju dhe Eva Anne Frantz dhe të veprës suaj “Ballkani në shekullin XX – Një histori post-imperiale”. Për ata që nuk e kanë lexuar veprën, si e rrumbullakoni atë me pak fjalë?

Schmitt: Libri i parë është një monografi, një interpretim i historisë bashkëkohore ballkanike. Ideja është të krahasojë vende të ndryshme për të mënjanuar një aticion të rasteve kombëtare. Për shembull unë pyes çfarë ishte pozita, si mund të kuptohej ish-Jugosllavia jo nga këndvështrimi apo pikëpamja e Beogradit, por interpretoj ish-Jugosllavinë nga këndvështrimi i Prishtinës dhe i Shkupit, do të thotë i jugut. Për mua, krahasimi është shumë i rëndësishëm. Për shembull, unë po interpretoj lidhjet farefisnore në rastin e bllokut në Tiranë. Shtroj edhe pyetjen, ky sistem me lidhje farefisnore të ngushtë, një elitë në bllok, është specifik për Shqipërinë? Dhe përgjigjja është “jo”. Mund të vërejmë edhe në Sofje e Bukuresht raste të tilla. Është ftesë për lexuesin të tejkalojë edhe pak kufijtë kombëtarë, duke interpretuar, analizuar e debatuar për historinë bashkëkohore. Për këto pesë vëllime, janë raportet e konsujve austro-hungarezë që shumica e tyre kishin njohuri të thellë edhe të gjuhës shqipe dhe kulturës e shoqërisë kosovare. Ata kanë analizuar e përshkruar jo vetëm politikën, por edhe shoqërinë në vilajetin e Kosovës, do të thotë Kosovën e sotme. Por selia, kryeqyteti i vilajetit ishte në Shkup. Raportet përbëjnë jo vetëm territorin e Kosovës, por edhe një pjesë të Serbisë së Jugut dhe Maqedonisë së Veriut. Janë raporte interesante, por duhet të interpretohen me kujdes, sepse ishin edhe prodhim i një perandorie të madhe, e cila ka ndjekur qëllimet politike. Megjithatë, unë mendoj se të gjithë studentët, lexuesit që kanë interes për politikën lokale të Gjakovës atëkohë apo të Prizrenit a Prishtinës, burimet mund të ofrojnë shumë. Ndoshta “një shënim i vogël”: mund të lexohen edhe falas, sepse është botim me qasje të hapur. Çdo kosovar që mund të lexojë gjermanishten, mund ta gjejë në faqen e shtëpisë botuese të Akademisë Austriake.

Lufta në Ukrainë – një mundësi për të shpjeguar më mirë Kosovën

Në librin tuaj konstatoni se “shtetet më të forta postosmane të Ballkanit – Kosova, Maqedonia dhe Bosnjë-Hercegovina – formojnë një zonë të shtetësisë së brishtë dhe të jostabilitetit gjeostrategjik”. Cilat janë pikat më të brishta, sipas jush, dhe si mund të manifestohet ajo brishtësi në rrethanat kur Lindja e Evropës është në luftë?

Schmitt: Unë mendoj nga një anë se shtetformimi në këto vende ishte mjaft i vështirë, sepse në Bosnjë, Maqedoni edhe në Kosovë, kombëtarizmi apo nacionalizmi serb kishte ndikim shumë problematik. Kjo është e qartë, sidomos në rastin e Bosnjës si vend të ndarë, por faktikisht, edhe Kosova është e ndarë, sepse një pjesë e territorit të Republikës së Kosovës është faktikisht nën kontrollin e Beogradit. Por nga ana tjetër, ju keni përmendur edhe luftën. Mendoj që lufta në Ukrainë është edhe një mundësi për të shpjeguar më mirë situatën dhe zhvillimin e shoqërisë kosovare dhe shtetit e demokracisë kosovare, sepse unë mendoj që marrëdhëniet Kosovë-Serbi mund të krahasohen me marrëdhëniet Ukrainë-Rusi, sa i përket strategjisë së Serbisë, diskursit kombëtarist të Serbisë, rëndësisë së sistemit ushtarak të shërbimeve sekrete në organizimin e shtetit. Ukraina është kundërmodel në marrëdhënie me Rusinë, por edhe Kosova ofron model tjetër, model të demokracisë shumë të re, por funksionale. Argumenti më i rëndësishëm në këtë trajtim është fakti se këtu në Kosovë si shoqëri shumë e re që ka vuajtur shumë nga dhuna serbe në vitet ‘90, ka një opozitë e cila ishte e aftë të fitojë zgjedhje të lira, por edhe Qeveri që pranon humbjen e zgjedhjeve të lira. Unë mendoj se kjo është edhe në krahasim rajonal diçka e jashtëzakonshme, po e krahasoj me Serbinë. Serbia është e qartë: shtet autoritar, e Shqipëria s’ka traditë me të cilën ata që humbin e pranojnë edhe humbjen.

“E dimë mirë se Putini e Vuçiqi janë takuar shpesh e kanë edhe debatuar për çështjet historike dhe Kosova është në argumentimin e Putinit një nga elementet që i përmend dhe për këtë arsye, e kam theksuar rëndësinë e zhvillimit demokratik këtu në Kosovë. Mendoj se nganjëherë Kosova në krahasim rajonal është shteti më demokratik...”, thotë Schmitti

Kosova në argumentimin e Putinit dhe ideja për ribashkimin popujve vëllezër sllavë

Nacionalizmi, sipas jush, del të jetë burimi i fundit i ish-Jugosllavisë. A është tash nacionalizmi burimi i luftës në Ukrainë dhe si mund të ndikohet Ballkani nga kjo luftë, kur kemi parasysh aleancën historike të Serbisë me Rusinë?

Schmitt: Mendoj që lufta në Ukrainë ishte edhe një goditje e rëndë për ata në Evropë që mendojnë vetëm në kategoritë ekonomike, sepse sipas mendimit të tyre, ekonomia, tregu janë garanci për paqe. Është e qartë që Putini synon diçka shumë më ndryshe, ka qëllime të ndryshme. Rrit idenë e tij për ribashkimin e popujve vëllezër sllavë. Ky diskurs e kjo ideologji kombëtariste ekziston edhe në rastin e Serbisë. E dimë mirë se Putini e Vuçiqi janë takuar shpesh e kanë edhe debatuar për çështjet historike dhe Kosova është në argumentimin e Putinit një nga elementet që i përmend dhe për këtë arsye, kam theksuar rëndësinë e zhvillimit demokratik këtu në Kosovë. Mendoj se nganjëherë Kosova në krahasim rajonal është shteti më demokratik, kjo është pika e parë, por ndoshta edhe elementi i dytë është shumë i rëndësishëm që tani shqiptarët në rajon padyshim janë elementi më properëndimor edhe në krahasim me serbët e bullgarët e të tjerët.

Edhe tash kur ne po flasim, nga Serbia vijnë kërcënime (nga ana e presidentit Vuçiq që është në fushatë për president) se Kosova e Mali i Zi do të vuajnë pasoja nëse nuk lënë që zgjedhjet e Serbisë të mbahen edhe në Kosovë e në Mal të Zi?

Schmitt: Është diçka e papranueshme, por tregon qartë se Vuçiqi s’ka ndryshuar dhe ka mbetur i njëjti. Më kujtohet dhe të gjithë kosovarët që e dinë serbishten i kujtojnë shumë mirë fjalimet e tij të viteve ‘90. Ai ka mbetur ministri i propagandës së epokës së Millosheviqit, s’ka ndryshuar. Për fat të keq, shumë qarqe mediatike, politike te ne, në një kohë të caktuar, kanë besuar se ai ka ndryshuar e u bë udhëheqës i një Serbie liberale që mund të jetë partner, por tani shpresoj vetëm që lufta e Ukrainës ua ka hapur sytë politikanëve tanë (në Evropë v.j.) dhe që duhet të ndryshojnë shpejt edhe politikën ndaj Serbisë e t’i dërgojnë mesazh të qartë që të mos provokojë këtu në rajon. (T’i thuhet Serbisë): Ne ju kemi identifikuar si faktor destabilizies dhe jo partner të zgjidhjes së situatës aktuale këtu në Ballkan.

“Në rastin e Serbisë, përgjigjja është e qartë, ata janë në këtë radhë ‘rusë’”

Si e shihni luftën në Ukrainë dhe cili është mendimi juaj për epilogun e saj?

Schmitt: Unë mendoj që Rusia ka prishur rregullat themelore të qytetërimit evropian. Kjo s’është luftë e Rusisë vetëm kundër Ukrainës, por kundër sistemit politik evropian dhe në këtë kontekst, mendoj se është edhe kundër shqiptarëve këtu në rajon, sepse aleati më i ngushtë në rajon është Serbia dhe është e qartë që në Ukrainë preket edhe siguria e Kosovës dhe e Shqipërisë. Është e qartë që një fitore e lehtë e Rusisë në Ukrainë, do të lehtësonte edhe politikën agresive të Vuçiqit në rajon. Për fat të mirë, populli i Ukrainës është shumë luftëtar dhe meriton çdo mbështetje që mund të ofrojmë nga Perëndimi. Kjo luftë agresive ka ndryshuar edhe situatën këtu në Ballkan, sepse edhe evropianët duhet të qartësojnë edhe sjelljen për pozitën e vendeve të ndryshme në rajon. Në rastin e Serbisë, përgjigjja është e qartë, ata janë në këtë radhë “rusë”. Në rastin e Bullgarisë, për shembull, përgjigjja s’është aq e qartë, sepse vendi është i ndarë politikisht dhe unë e shoh në këtë moment edhe mundësinë për politikën shqiptare, dy shtetet të përcaktojnë pozitën e tyre në Perëndim. Është moment historik për shqiptarët të sqarojnë këtë moment, sepse e di edhe për shkak të politikës së vizave, ka disa shqiptarë që presin edhe mbështetje nga Lindja, por unë i ftoj të gjithë të vërejnë se cila është pozita e Turqisë, cila është marrëdhënia e Turqisë me Serbinë dhe interesat e Turqisë në Serbi, dhe mendoj se në rastin e Kosovës, ju jeni të lumtur që keni ushtrinë amerikane në vend, sepse kjo është siguria më e mirë që mund të keni në këtë moment.

Kosovën nga Serbia s’e mbron BE-ja, por SHBA-ja

Si i shihni marrëdhëniet aktuale midis Turqisë dhe Serbisë, dhe nëse i krahasojmë ato me Kosovën dhe Shqipërinë. Ka raportime të ndryshme dhe zakonisht kur presidenti turk vjen në Kosovë dhe Shqipëri, qëndron për investime që ringjallin në atë që e quan trashëgimi të Perandorisë Osmane, ndërsa në Serbi janë të orientuara investimet ekonomike...

Schmitt: Turqia, në rastin e Kosovës dhe Shqipërisë, ndjek një politikë, jo vetëm ekonomike, por edhe kulturore. Po përpiqet të ndërhyjë në librat shkollorë, për shkak të fesë së shumicës së kosovarëve, fesë islame. Kam përshtypje që Erdogani harron një pjesë e rëndësishme të historisë shqiptare në Perandorinë Osmane, domethënë ishte kryengritja. Shqiptarët ishin një pjesë e rëndësishme brenda Perandorisë, por deri në momentet kur Perandoria ka tentuar të hyjë në autonomi, në vetëqeverisje, në Kosovë apo në Shqipëri. Hapësira shqiptare në Perandorinë Osmane nuk ishte një provincë e thjeshtë, ishte një lloj autonomie, sidomos shqiptarët myslimanë e kanë mbrojtur edhe me armë. Sa i përket Serbisë, është shumë interesante dhe duhet të analizohet nga shqiptarët, sepse është një diskurs i dyfishtë. Për shqiptarët, feja myslimane, por në të njëjtën kohë një bashkëpunim me armikun më të rreptë të shqiptarëve në rajon. Për këtë arsye, mendoj që shqiptarët duhet të shtrojnë pyetjen në rast se vjen një agresion nga Serbia, sipas kërcënimeve të Vuçiqit, kush do ta mbrojë Kosovën? Turqia? Përgjigjja është e qartë: As Bashkimi Evropian, por Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në dekadën e fundit, ka pasur sugjerime për ndryshimin e qasjes paradigmatike për relacionin e shqiptarëve kundrejt Perandorisë Osmane. Kjo tendencë dukej sikur një revizionizëm i qëllimshëm për ta krijuar imazhin se shqiptaret patën dobi në kuadrin perandorak. Por, në anën tjetër, kishte edhe popuj ortodoksë në Ballkan që u privilegjuan si komunitete (milete). Për kë ishte më e favorshme kjo periudhë dhe si ishte për shqiptarët?

Schmitt: Problemi është që periudha osmane u përshkrua në historiografinë shqiptare me një frymë enveriste. Natyrisht, kjo frymë enveriste ka preferuar një interpretim i cili pasqyronte edhe realitetin e Shqipërisë enveriste, do të thotë vetizolimin, kryengritjet, tradita e partisë së anëve, ksenofobia, lufta kundër të huajve. Në këtë mënyrë, Perandoria Osmane ishte edhe armik. Ky interpretim duhet të diskutohet, kemi nevojë për pikëpamje të ndryshme. Për fat të keq, në këtë debat ka hyrë edhe presidenti turk, që ka shkatërruar të gjitha mundësitë për debat të hapur. Tani ka vetëm dy mundësi, ose të pranohet ky interpretim enverist, që Perandoria Osmani ishte krejt negative, ose nga ana tjetër, që Perandoria Osmane ka shpëtuar shqiptarët nga asimilimi greko-sllav, teza e Hasan Kaleshit. Historia nuk është bardhezi. Flasim për një Perandori me një jetë shumë të gjatë, 500 vjet. Nuk mund të ofrojmë një përgjigje në këtë pyetje. Me ndërhyrjen e zyrtarëve politikë, hapësira e historianëve në Kosovë për të diskutuar lirisht me argumentet shkencore dhe për kohën që kemi nevojë për t’i zhvilluar argumentet, u prish. Kjo është, për mua, fatkeqësi e madhe, sepse natyrisht duhet të riinterpretohet ndikimi osman. Shqiptarët ishin një pjesë shumë e rëndësishme. Ka barrën edhe feja, katolikët, ortodoksët e myslimanët shqiptarët. Është një çështje shkencore dhe për sa kohë kemi nevojë për të arritur në një moment për t’i diskutuar këto gjëra me qetësi intelektuale.

“Në shekullin XV, shqiptarët kishin një mundësi reale për një integrim evropian”

Kur flasim për perandoritë, dua të kthehemi tek ajo osmane. Në vitet ‘70, orientalisti për shumëkënd kontrovers, Hasan Kaleshi, doli me pikëpamjen e tij, që nuk ishte e re, sipas së cilës ardhja e Perandorisë Osmane e stopoi asimilimin e shqiptarëve në sllavë e bizantinë. Kishte vërtet rrezik nga “asimilimi” asokohe dhe këtë e ndaloi ardhja e Perandorisë?

Schmitt: Nuk e mendoj, sepse një nga qëllimet kryesore të Skënderbeut, ky është kundërmodeli, ishte krijimi i një mbretërie të Arbërve krishtere-katolike. Bashkëpunëtorët më të ngushtë të Skënderbeut ishin intelektualët e shquar, ata që si të parët kanë përdorur gjuhën shqipe. Qendrat kryesore kulturore arbërore u shkatërruan nga osmanët. Ose popullsia u zëvendësua, si në rastin e Shkodrës, që banorët u dërguan në Vatikan dhe aty u zëvendësua me myslimanët. Nuk është e qartë, sepse në shekullin XV, shqiptarët kishin një mundësi reale për një integrim evropian, si mbretëri katolike dhe me një kulturë humaniste, si dhe përdorimin e gjuhës shqipe.

Humbja e qartë e Rusisë në Ukrainë qartësisht do ta ndryshojë situatën në Ballkan

A po bëhet gati Evropa për t’i bërë ballë edhe një perandorie, tash asaj të Federatës Ruse?

Schmitt: Duhet të kemi parasysh edhe dimensionin e ndikimit rus politik dhe ekonomik në Evropë, për ta analizuar më mirë edhe reagimin. Reagimi politik ishte shumë i qartë. Më ka befasuar. Që nga dita e parë e luftës, edhe shoqëritë perëndimore kanë kuptuar që ky është një agresion, jo vetëm kundër Ukrainës, por kundër gjithë Bashkimit Evropian. Jo vetëm disa qeveri, si qeveria gjermane që u detyrua të ndryshojë rrënjësisht politikën e vet, por reagimi i cili ka ardhur nga shoqëritë civile, mobilizimi shumë i madh në fushën e kulturës, shkencës, ndihma që po u ofrohet refugjatëve dhe janë miliona euro. Kjo ka treguar që media e lirë ka vënë disa kufij për ndikimin rus. Ata që përfaqësojnë ndikimin rus në nivelin politik, tani po kritikohen ashpër dhe po përjashtohen nga jeta politike. E përsëris, që tani kam përshtypje që ne duhet t’i ofrojmë Ukrainës çdo mbështetje ushtarake, politike në çdo moment. Tani jemi në luftë me një sistem totalitar agresiv. Është e qartë se shumë rusë tani janë në largim, janë në diasporë. Inteligjenca ruse, shkencëtarët, artistët e të tjerë, tani vuajnë shumë nga regjimi i Putinit dhe nga ana tjetër, është e qartë që deri tani një shumicë e popullsisë ruse është në anën e Putinit.

Si e shihni të ardhmen e shteteve ballkanike kur Kosova dhe Serbia janë në atë që po konsiderohet “konflikt i ngrirë” e gjendja në Republikën Serbe në Bosnjë-Hercegovinë është çdo ditë e më e nxehtë?

Schmitt: Lufta kundër Ukrainës mund ta ndryshojë pak situatën në Ballkan. Tani kemi një linjë ndarëse, me vendet si Serbia me tendenca proruse dhe të tjerët. Flitet gjithmonë për Ballkanin Perëndimor, për mua nuk është një kategori interpretimi, sepse është një grup i përfshirë, është shteti agresor i viteve ’80, ’90, dhe shtetet e tjera që kanë qenë janë viktima të një politike agresive të Beogradit. Tani varet edhe nga iniciativa që mund të marrin udhëheqësit politikë këtu në rajon. Sepse unë e shoh edhe një mundësi për të shpejtuar integrimin evropian, sidomos në rastin e Kosovës. Kosova ka trupat amerikane këtu dhe NATO duhet të shtrojë pyetjen, kush është aleati i vërtetë? Në rastin e Bullgarisë nuk është e qartë, në rastin e Kosovës është shumë e qartë. Këto pyetje do të diskutohen. Dy muaj më parë, është e qartë që ky interpretim do të kishte fantazi, por tani realiteti ndryshon shumë shpejt. Ky është një shans edhe për një rajon i cili në dekadën e fundit u harrua pak nga politika perëndimore.

E përmendët që në rast lufte, është SHBA-ja që do t’i dalë në mbrojtje Kosovës. Mendoni që Bashkimi Evropian është zhytur goxha thellë në harresë për zhvillimet e Ballkanit në vitet ’80 – ’90?

Schmitt: Një shembull i mirë për këtë trajtim, ishte Procesi i Berlinit ose procesi i Merkelit. Unë si përfaqësues i akademisë austriake, kam bashkëpunuar me kolegë nga universitetet e ndryshme të rajonit. Ne kemi një përgatitur një projekt shumë të bukur për krijimin e një fondacioni shkencor, për shkencëtarët e rinj në rajon dhe deri në fund kemi pasur buxhet modest, 50 milionë euro në vit. Kjo ka treguar shumë qartë mungesën e vullnetit politik. Merkeli e ka filluar këtë proces, por pa qenë e interesuar në të vërtetë të investojë edhe politikisht. Në Gjermani po diskutohet trashëgimia e epokës së Merkelit, dhe del mjaft qartë se shumë problemet me të cilat po ballafaqohet Gjermania, janë të asaj epoke.

E di që s’është punë e një historiani parashikimi i së ardhmes, por do të doja t’ju pyesja: Kur do të ketë paqe në Ballkan, në Evropë (kur të shuhen nacionalizmat, kur të shuhen idetë për botën serbe, perandori ruse)?

Schmitt: Kjo është shumë e vështirë. Sa i përket situatës në Ukrainë, duket shumë qartë që tani falë ndihmës së Perëndimit, humbjet e ushtrisë ruse janë të mëdha. Mendoj që Rusia duhet ta humbë këtë luftë. Humbja e qartë e Rusisë në Ukrainë qartësisht do ta ndryshojë situatën në Ballkan. Kjo, sepse aleati më i ngushtë i Rusisë në rajon, Serbia, do të humbë me Rusinë. Të dyja, Rusia me Ukrainën dhe Serbia në Ballkan, duhet të humbin. Kjo duhet të hapë rrugën për një stabilizim të rajonit dhe integrim të shpejtë evropian. Nga ana tjetër, varet edhe nga instrumentet që BE-ja do t’i ofrojë. Ndoshta jo shumë shpejt integrim të plotë, por bashkëpunim, për shembull në fushën e ekonomisë, infrastrukturës, domethënë projekte konkrete. Ndoshta edhe vizionare, pse jo një linjë hekurudhore në Ballkan. Kosova dhe Shqipëria nuk lidhen me sistemin hekurudhor evropian. Kjo do të jetë e ardhmja e transportit dhe e komunikimit. Ky është një disavantazh i madh i rajonit. Por nga një projekt i tillë njerëzit mund të përfitojnë. Ky duhet të jetë një hap i parë. Shumë projekte u përgatitën ose janë gati, por kemi nevojë edhe për pak vullnet politik.

Si do të shkruhet historia e shekullit XXI, me Rusinë që humb një luftë dhe Ballkanin më afër Bashkimit Evropian?

Schmitt: Kjo është shpresa ime dhe do të ishte varianti më i mirë.

Kur mund t’ju presim sërish në Kosovë?

Schmitt: Shpresoj të kthehem në Kosovë e Shqipëri në shtator për një hulumtim kërkimor me kolegët.



copy(/home/titulli/public_html/images/image/liver%20Jens%20Schmitt.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Tesla hap fabrikën e parë Evropiane në Gjermani
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration