Vështrime
Rruga
Rruga është argumenti më i mirë përmes së cilës bindemi se në këtë ecejake nuk jemi të parët që shkelim. Dikush para neve patjetër se ka ecur këndej, edhe pse caku i asaj rruge mbetet në dorë të kalimtarit të ri për nga ecja në këtë rrugë dhe të thyer në moshë për nga bredhjet gjithandej.
Shkruan: Iljasa Salihu
Të ecurit dëshmon një cak! Qëllimi i mirë arsyeton vetëm mjetin e mirë, përndryshe mjeti i keq, assesi nuk mund të përthekohet me një qëllim të mirë. Duke ecur kërkojmë shtigje dhe posa t’i gjejmë ato shtigje, fillimisht do ta falënderojmë Krijuesin që na dha vullnet për të ecur, përndryshe nëse do të rrinim ndenjur me shpinë të mbështetur në dysheme, atëherë do të bëheshim dëshmitar i vetëvetes në plogështin, dëshpërimin dhe përtacinë tonë.
Me rëndësi të ecim, të paktën ta hedhim një hapë që do ta arsyetonim lindjen dhe do ta meritonim vdekjen, mbase siç thuhet në një fjalë të urtë kineze, se qindrat e kilometrave kanë filluar me hapin e parë, ndaj edhe ti lexues e unë tani si shkrues i këtyre rreshtave, përse të mos hedhim hapa drejt asaj që gatuan fillimisht njerëzinë, përkundër që kjo rrugë mund të jetë me gjemba, porse i sigurt jam në një punë, se përfundimi i kësaj rruge do të jetë pllajë e shtruar me granit të lëmuar, ashtu sikurse fundi i çdo loti që është buzëqeshja.
Sot të punosh, të shkruash e të flasësh drejtë, nuk është gjithaq e drejtë në syrin e shumësisë së atyre që duan sa ora të pasurohen me para dhe me autoritet. Me të drejtë thekson publicisti Nexhmedin Spahiu kur thotë se në shoqërinë tonë autoriteti është mbi argumentin, ndaj edhe sot më shumë dëgjojmë zhurmë fjalësh se sa urtësi brenda fjalëve. Autoriteti sot burgosë fjalën e lirë, duke e bërë kështu fjalë të pështirë për veshin e atyre me jaka të bardha, por me zemra të nxira. Sot nuk kërcënohesh me armë për hedhjen e fjalëve prej kafazit mendje dhe derës gojë, por sot, sa ora të pushtetshmit ta vizatojnë një vijë të kuqe, brenda së cilës edhe një rrotullim të vetëm trupor është vështirë ta bësh.
Ku është faji se? Me rëndësi është diku faji! Tani vetëm duke ecur dhe hulumtuar me “fener” mund t’i shohim fytyrat e drejta dhe ato prej artisti. Shoqëria jonë shpesh harron fenerin në dhomën pa dritare, përmes të cilit do të bëhet e mundur rrezatimi i dritës në 360 shkallë. Jemi mësuar duke i parë disa kalorës duke kërkuar fajin vetëm njëdimensionalisht, ndaj edhe asnjëherë fijën e fajit nuk kanë mundur ta gjejnë, duke ia dhënë pastaj rrebeshit të paragjykimit. Nuk mund të themi se kryetari i shoqatës së grave duhet të jetë mashkull, ose kryetari i shoqatës së homoseksualëve të ketë grua e fëmijë dhe të krenohet me martesën e tij të qëndrueshme.
Njësoj është edhe me udhëheqësit e vendeve. Kurrfarë kuptimi nuk ka që udhëheqësi të jetë i pandershëm dhe populli i ndershëm, apo anasjelltas. Kësodore, të gjithë jemi kupë dhe kapak për njëri-tjetrin. Ndaj të shohim rreth e rrotull, pastaj ta përqendrojmë shikimin tonë në caqet më të largëta dhe pa asnjë dyshim fajtorin së bashku me fajin do të mund ta prangosim në qelinë ku para do kohësh banonin duke u torturuar keqas të pafajshmit.
Nuk duhet ta luajmë rolin e të vdekurit në shoqëri, ngase një rol të tillë vetëm i vdekuri mund ta luaj me përsosmëri. Duhet rikujtuar se mendimtari edhe kur flenë është mendimtar, ndërsa përtaci gjumash edhe kur përpiqet të mendojë sheh më tepër ëndrra se sa vizion të qartë.
Mendimtarit duke ecur rrugës së drejtë për në cakun fisnik, fare nuk i interesojnë fjalët që hidhen sikur gurë mbrapa shpinës së tij. Ai ecën ngadal e sigurt, nuk shikon mbrapa sikur kaprolli që kthen kokën për ta parë se ku është tigri plakush, duke e ulur pastaj shpejtësinë e vrapit kaprolli këmbëshpejtë dhe pa një pa dy, përkundër kësaj shpejtësie, ai lehtas bëhet ushqim i këndshëm i tigrit me këmbë më të ngadalta se të kaprollit.
Mendimtari lutet për këta gurahedhës, ngase ai duke menduar për gjëra të rëndësishme në jetë, ka kuptuar se tellallët nuk dinë rrezatim të urtësisë me zë të ulët, edhe pse me sëmbim të gjorët vuajnë prej paditurisë që edhe vetë çdo ditë e shohin.
Opinionet e autorëve janë perosonale dhe nuk paraqesin edhe opinionin e redaksisë së portalit të pavarur informativ Titulli.comcopy(/home/titulli/public_html/images/image/t/uploads/2013/09/rruga.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!