Rezultatet e fundit: Lugina e Preshevës pa deputetë në Kuvendin e Serbisë
Për shkak të pjesëmarrjes së ulët, asnjëra nga dy listat zgjedhore të pakicës shqiptare nga jugu i Serbisë nuk e kaloi pragun, kështu që shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk do të kenë përfaqësues të tyre në përbërjen e parlamentit të ri serb.
Sipas të dhënave të Komisionit Republikan të Zgjedhjeve “Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar”, kryetar i të cilit është Shaip Kamberi, ka fituar 9,630 vota ose 0.26 për qind.
Tri herë më pak vota ka fituar lista “Alternativa Demokratike Shqiptare”, e udhëhequr nga ish-kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, me gjithsej 3,250 sosh ose 0,09 për qind.
Ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme të vitit 2020, kur partitë shqiptare u bashkuan në një listë, në këto zgjedhje ishin dy para votuesve.
Regjistrimi zyrtar i kryer nga shteti në vitin 2011 tregon se rreth 6,000 shqiptarë jetojnë në Serbi, por kjo nuk është një pasqyrë reale sepse shqiptarët në pjesën jugore të Serbisë e bojkotuan regjistrimin në atë kohë.
Sipas vlerësimeve të bashkësisë ndërkombëtare, rreth 60.000 pjesëtarë të pakicës kombëtare shqiptare jetojnë në Serbi, kryesisht në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në Serbinë jugore.
Shaip Kamberi nga “Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar”, dhe Sami Salihu, i dyti në listën “Alternativa Demokratike Shqiptare”, nuk i janë përgjigjur kërkesës së REL-it për deklaratë lidhur me rezultatin e dobët në zgjedhjet parlamentare.
Në një postim në Facebook më 5 prill, Kamberi kërkoi përsëritjen e zgjedhjeve parlamentare në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Autoritetet në Serbi nuk i janë përgjigjur kësaj kërkese. Ai, po ashtu, ka thënë se këto zgjedhje u karakterizuan me dalje të ulët të shqiptarëve, për shkak të, siç tha, pasivizimit të adresave të shqiptarëve.
Autoritetet serbe kanë thënë se përmes kontrollit në terren kanë konstatuar se të gjithë ata që janë fshirë, nuk kanë vendbanim në territorin e Serbisë, gjë që është kusht për të votuar.
Në anën tjetër, Shqiprim Arifi në llogarinë e tij në Twitter, më 6 prill ka shkruar se mungesa e strategjive kombëtare të Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe mosinteresimi i tyre për Luginën e Preshevës, janë fajtorët kryesorë për rezultatet.
/REl/
copy(/home/titulli/public_html/images/image/erbiaparl.jpg): failed to open stream: No such file or directory