QSA dy familjeve i dorëzon shtëpitë e ndërtuara (foto & video)
Familja katër anëtarëshe Taipi nga Shoshaja e Poshtme e komunës së Preshevës nga fundjava është bërë me shtëpi të re.
Kjo familje kishte tentuar që të gjejë një jetë më të mirë në Belgjikë, mirëpo azili I kërkuar nuk u solli asgjë duke u detyruar të kthehen në vendlindje.
Kthimi për ta në vendin e tyre ishte si në ferrë pasi përballeshin me kushte të rënda ekonomike, si dhe pa kulm mbi kokë.
Megjithatë ky muaj i shenjt i Ramazanit për ta do të mbetet edhe më i madhërishëm pasi Qendra e Solidaritetit dhe Avancimit (QSA) i ka dorëzuar çelësat e shtëpisë së re.
Ky moment për QSA-në ishte tejet i rëndësishëm pasi kjo familje brengën e shtëpisë nuk do ta ketë më.
“Ndihemi krenarë këtë ditë pasi që kësaj radhe në kuadrin e programit tonë strehimi ishte nderë ti vijmë në ndihmë familjes Taipi këtu në Shoshajë. Realisht ndihemi të gëzuar bashkërisht pasi arritëm ta kurorësojm me sukses këtë nismë e cila ia zgjidhë njerëzve çështjen e strehimit”, tha me këtë rast për Televizioni Presheva, Lejlan Sadiku, kryetar i QSA-së.
“Kjo për ne është një punë shumë e madhe. Duke i falënderuar të gjithë donatorët, bashkatdhetarët si dhe bizneset e ndryshme këtu në vend kemi arritë që këtë shtëpi sot t’ua dorëzojmë familjes Taipi. Ndihem shumë krenarë për këtë punë që kemi bërë, kjo familje është edhe e riatdhesuar nga Belgjika në vitin 2013-të”, u shprehë bashkatdhetari nga shteti belg.
Vlera e shtëpisë së familjes Taipi është 22 mijë euro e cila është realizuar me ndihmën e afaristëve dhe njerëzve solidarë. QSA deri më tani përmes programit “Strehimi” ka arrit që në vendbanime të ndryshme të Luginës të ndërtojë 7 shtëpi për familjet në nevojë./Titulli.com/
QSA në Preshevë bëri inaugurimin e shtëpisë për familjen Latifi në Stacionin Hekurudhor
Në vigjilje të festës së Bajramit, QSA në Preshevë të dielën zyrtarisht organizoi inaugurimin e projektit “Strehimi”, gjegjësisht dorëzimin e shtëpisë për familjen Latifi. Çelësat e shtëpisë u dorëzuan nga përfaqësuesit e familjes së Xhavit Sherifit nga fshati Tërnavë, komuna e Preshevës.
Kjo familje tregoi bujarinë e saj, duke marrë përsipër koston më të madhe për ndërtimin e shtëpisë së familjes Latifi, e cila nuk kishte strehë mbi kokë. Familja Latifi ka jetuar në kushte të vështira, duke bredhur nëpër shtëpi të ndryshme, herë me qera e herë falas, varësisht se s’i iu ofrohej mundësia.
Kryefamiljari Naser Latifi ndan fatin e shumë qytetarëve të Luginës, pra është i pa punë. Për të siguruar kafshatën e gojës për familjen e tij, ai punon punë krahu me mëditje gjatë sezonit të verës.
Me angazhimin e tij, ai mezi arrinte t’ua sigurojë kafshatën e gojës familjes së tij. Ndërtimi i shtëpisë për ta ka qenë ëndërr e parealizueshme, sepse me të ardhurat ditore prej 10 eurove, është vështirë t’i dilet për të mbijetuar, e lëre më për të bërë diç më të madhe për familjen e tij.
Ajo që edhe më tepër ia vështirësonte situatën kësaj familjeje, ishte dhe mungesa e truallit.
Për zgjidhjen e problemit të strehimit të kësaj familjeje, QSA fillimisht e siguroi donatorin për ndërtimin e shtëpisë, por gjithashtu u mobilizua maksimalisht për blerjen e truallit.
Edhe pse kjo gjë ishte shumë e vështirë, falë kontributit të vazhdueshëm të aktivistëve, afaristëve lokal dhe njerëve human që gjenden në Luginë, u mundësua grumbullimi i mjeteve dhe u bë blerja e parcelës, ku do të bëhej ndërtimi i shtëpisë. Përveç kësaj, u bë hapja dhe e pusit (bunarit).
Familja e Xhavit Sherifit nga fshati Tërnavë, e cila jeton dhe vepron në Zvicër, përmes kontributit të saj, arriti t’a rrumbullakësojë ndërtimin e shtëpisë. Nga buxheti i saj familjar, ajo ndau 23.500 euro, për t’i dhënë shpresë jete prindërve dhe pesë fëmijëve të familjes Latifi.
Dita e diel për familjen Latifi ishte ditë gëzimi. Për të shprehur këtë gëzim, familjarët nuk i përmbajtën dot as lotët. Ata po rifillillonin një jete të re në kushte më të mira.
Kontributi i pjesëmarrësve të tjerë në këtë projekt ka qenë i formave të ndryshme, si financiar, në formë të dhurimit të materialeve, në ofrimin e punës falas, në uljen e çmimit të kostove të materialeve apo punëve të kryera, gjithashtu edhe forma e kontributit moral dhe sensibilizues.
QSA shpreh falënderimin dhe mirënjohjen më të thellë ndaj familjes Sherifi dhe ndaj çdo pjesëmarrësi në këtë projekt, për këto gjeste humane që pa kurrfarë hezitimi, i vënë në dispozicion mundësitë e tyre, vetëm e vetëm për të strehuar një familje të pastrehë, të lënë në mëshirë të fatit./Titulli.com/