Qëllimi i vërtetë i Serbisë në Veri që për pak s’u realizua, mediumi zviceran hulumtoi
Rajoni dhe Politika

Qëllimi i vërtetë i Serbisë në Veri që për pak s’u realizua, mediumi zviceran hulumtoi

03.Jan.2023 09:54
0

A e prisnit që Serbia të pushtonte Kosovën?”, u pyet ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nga mediumi zviceran 20 Minuten, për t’u përgjigjur se jo vetëm që ishin të shqetësuar, por vazhdojnë të jenë. 

Pyetja e gazetarit zviceran lidhej me situatën e fundit të barrikadave në Veri, kur ushtria serbe u vendos në gjendje gatishmërie për luftë dhe u pozicionua farë pranë kufirit me Kosovën.

Por, Beogradi zyrtar nuk kishte qëllim pushtimin e veriut në kuptimin klasik me intervenim të ushtrisë. 

Madje, synimi i fshehtë zbulohet nga kërkesa për kthim të forcave serbe, duke u mbështetur në Rezolutën me të cilën operon KFOR-i në Kosovë, 1244.

Gjatë krizës së fundit, përkundër teatrit me rritjen e gatishmërisë luftarake Beogradi nuk ka pasur synim futjen e dhunshme në Kosovë.

Albanian Post mëson se qëllimi i barrikadave ishte tensionimi i situatës në veri me synim provokimin e Policisë së Kosovës për të ndërhyrë në veri në një formë tjetër. Një ndërhyrje e Policisë së Kosovës kundër barrikadave do të përdorej si pretekst për rezistencë të armatosur dhe kryengritje kundër rendit kushtetues të Kosovës.

Përshkallëzimi do të ishte aq i ashpër saqë forcat rebele (realisht njësi të rregullta serbe të maskuara si serbë lokalë) nuk do t’i bindeshin as KFOR-it, thonë për Albanian Post burime të inteligjencës ndërkombëtare.

“Pas marrjes së kontrollit efektiv mbi katër komunat veriore, këto forca rebele do të pranonin të tërhiqeshin vetëm nëse KFOR-i pranon kërkesën serbe për kthimin e një numri të forcave serbe të cilat së bashku me KFOR-in do të garantonin qetësinë dhe rendin në katër komunat veriore”, shpjegon burimi.

Serbët i bënë të qarta këto qëllime deri diku edhe më kërkesën e tyre për kthimin e trupave në Kosovë, por qëllimi nuk ishte kthimi i trupave ushtarake.

Ideja madje është e vjetër dhe daton qysh nga mbarimi i luftës, kur për herë të parë këtë e kishte kërkuar ish-kryeministri serb, Zoran Gjingjiç.

Me 4 shkurt të vitit 2003, NATO kishte lëshuar një komunikatë për media, ku tregonte se ka ndërmend ta reduktojë prezencën në Kosovë.

“NATO po redukton numrin e përgjithshëm të trupave në Kosovë si një proces i përmirësimit të efikasitetit dhe realizimit të një strukture operacionale të fokusuar në nevojat reale të sigurisë së rajonit”, thuhej në komunikatë.

“Populli i Kosovës nuk duhet të ketë asnjë dyshim se përkushtimi i KFOR-it është po aq i fortë si gjithmonë.  Për më tepër, duhet të theksojmë se riorganizimi do të jetë gjithmonë i balancuar kundrejt detyrës. Situata e sigurisë lejon asete më pak të rënda dhe forca më fleksibël”, shtonte komunikata nën emrin e atëherë zëdhënësit Anthony Adams.

Në po atë kohë, pak para se Gjingjiç të vritej në një atentat, i kishte dërguar një letër komandantit regjional të NATO-s, admiralit Gregory Johnson, duke i thënë se forcat serbe duhet të kthehen në Kosovë, pasi planet e NATO-s për të reduktuar prezencën u lënë hapësirë autoriteteve shqiptare të rrisin kontrollin.

Gjingjiç thoshte se “nuk do ta lejojmë që të ndodhë kjo” dhe se NATO duhet ta përfshijë gjithmonë Serbinë kur merr vendim të natyrës së sigurisë në Kosovë.

Edhe atëherë liderët në Kosovë, siç raportonte Radio Evropa e Lirë, thoshin se qëllimi i Gjingjiç ishte ta ndante Kosovën.

Por, Gjingjiç në fakt, duke i bërë një interpretim Marrëveshjes së Kumanovës dhe rezolutës 1244, po kërkonte që në Kosovë të sillte një forcë, apo një personel të sigurisë që merr në veri funksione patrulluese dhe të sigurisë.

Në atë kohë, edhe një zëdhënës i NATO-s kishte thënë se Rezoluta 1244 në asnjë variant nuk nënkupton kthim të forcave ushtarake të Serbisë, por një personel sigurie dhe në një kohë të papërcaktuar në të ardhmen.

Në atë kohë për këtë çështje kishte folur edhe Michael Steiner, shef i UNMIK-ut, apo siç njihej Përfaqësues Special i Sekretarit të Përgjithshëm, praktikisht shefi i pushtetit ekzekutiv në Kosovë.

Steiner në një komunikatë të lëshuar me 2 shkurt në Prishtinë, kishte deklaruar “se nuk ka asnjë arsye për OKB-në dhe UNMIK-un të ndryshojë pozicionin e vetë dhe se është shumë herët për çfarëdo rikthimi të ndonjë force serbe në Kosovë”, raportonte Radio Evropa e Lirë në gjuhën shqipe.

20 vjet prapa, lideri aktual serb prapë i ka dërguar KFOR-it kërkesë zyrtare me shkrim për sjelljen e trupave në Kosovë. Është lënë sërish e paqartë për çfarë lloj trupe bëhet fjalë.

Megjithëse kanë kaluar disa javë, KFOR-i ende nuk ka kthyer përgjigje zyrtare. Në një komunikatë për publikun u tha se po e shqyrtojnë kërkesën.

Ndërsa me 28 dhjetor, në një tjetër komunikim për publikun, nga KFOR sqaruan se afrimi i ushtrisë serbe pranë vijës kufitare me Kosovën nuk bie ndesh me marrëveshjen e Kumanovës.

“Në përputhje me marrëveshje ekzistuese, njësitë e Forcave të Armatosura Serbe kërkohet të informojnë shtabin e KFOR-it vetëm në rast se disa nga njësitet e tyre afrohen më pak se 1 kilometër larg kufirit me Kosovën”, thuhej në komunikatë.

Çfarë ndodhi në Veri?

Afërsisht tri javë pjesa veriore e Kosovës mbeti e bllokuar nga 16 barrikada të vendosura nga serbët lokalë dhe të mbrojtura nga persona të maskuar dhe të armatosur. Ato u vendosen pas arrestimit të një ish-polici të Kosovës nga komuniteti serb, Dejan Pantiç, i cili akuzohet për sulm terrorist në veri.

Policia e Kosovës nuk i largoi dot barrikadat, derisa KFOR-i nuk u përgjigj pozitivisht në kërkesën e Qeverisë së Kosovës për t’i larguar. Derisa dukej se situata po shkonte drejt shpërthimit, meqë hedhja e shok-bombave dhe shkrepja e plumbave filloi të bëhet rutinë ditore në Veri, në një vendim ende të pasqaruar mirë, Gjykata Themelore vendosi ta lëshojë ish-policin Pantiç, pasi Prokurori argumentojë se atij nuk iu plotësuan kushtet e një të paraburgosuri, meqë u mbajt në një kontejner në Veri, për shkak të bllokadave që pamundësonin transportimin e tij në jug.

Më vonë, nga përshëndetja që i bënë veprimit diplomatët evropianë dhe ata amerikanë, u kuptua se në prapaskenë ishin zhvilluar negociata dhe Kosova, me një veprim të paprecedent, kishte garantuar se askush nga ata që sulmuan policët, hodhën bomba dhe bllokuan rrugët, nuk do të ndiqet penalisht.

Presidenti i Serbisë u kërkoi serbëve të Kosovës që të heqin barrikadat, pasi u tha se “të gjitha kërkesat na janë plotësuar”. Ata e dëgjuan.

Në komunikatën përshëndetëse, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës protestuesit e armatosur dhe barrikadat i quajtën “mjete paqësore për protestim”. /Albanianpost/

copy(/home/titulli/public_html/images/image/eriu-okb-ks.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Gorani: Për lëmshin e Veriut do kemi prapë një “zgjidhje” të imponuar – një Dayton, apo Ahtisaar tjetër
A do ta zgjidhë Serbia çështjen e Kosovës në vitin 2023?
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration