Gorani: Për lëmshin e Veriut do kemi prapë një “zgjidhje” të imponuar – një Dayton, apo Ahtisaar tjetër
Epidemia e papjekurisë në pozitat e pushtetit politik apo “infantokracia” në Kosovë arriti pikën e saj më të lartë me triumfin e forcave politike që dolën nga zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, thotë, sociologu, gazetari dhe komentatori politik, Dukagjin Gorani, në një intervistë për Albanian Post.
Sipas Goranit, Albin Kurti me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Vjosa Osmani me Listën GUXO erdhën në pushtet duke promovuar kryesisht narrativen populiste me vendosjen e “popullit” kundër një elite të korruptuar dhe egoiste.
Ndjesia e të padurueshmes, mendimi i pashqitur në shoqërinë kosovare se “kjo” nuk mund të vazhdonte, për Goranin, paraqet largimin përfundimtar të shoqërisë nga “represioni i arsyeshmërisë”.
Gorani, në këtë intervistë të gjatë për AP, ka komentuar edhe kauzën e Kurtit rreth “Bashkimit Kombëtar”, idesë nacionaliste të bashkimit territoral mes Kosovës dhe Shqipërisë, të cilën ai e konsideroi vetëm një “një gënjeshtër ideologjike”.
Për situatën në Veri të Kosovës, të cilës Gorani i referohet si “lëmsh”, Kosova e Serbia vetë s’kanë opsione as dije për zgjidhje.
Prandaj, nga përvoja, Gorani e di se “vështirë është të parashikohet ndonjë zgjidhje, përveç atyre tradicionale, të imponuara si detyrime nga bashkësia ndërkombëtare – çfarë janë ajo e Daytonit apo e Ahtisaarit”.
Madje, qeveritë në Kosovë e Serbi do ta donin një të tillë, kjo “meqë besojnë se kësisoj mund t’i shmangen përgjegjësisë vendimmarrëse para shoqërive të veta dhe para historisë”
“Natyrisht, e keqja e zgjidhjeve të tilla është se nuk funksionojnë”.
Intervista e plotë me Dukagjin Goranin dhënë për Albanian Post:
Albanian Post: Z. Gorani, ju jeni një sociolog i mishëruar me rezistencën e Kosovës dhe luftën e saj. Ju po ashtu patët një përvojë me Lëvizjen Vetëvendosje si deputet. Kosova ka një qeveri që udhëhiqet po nga Vetëvendosje dhe atë me mbi 50 për qind. Çfarë mendoni, zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 ishin një aksident elektoral, apo një ndryshim që sjell shpresë?
Dukagjin Gorani: Zgjedhjet 2021 i shoh si kulmim të një botëvështrimi të kahmotshëm në shoqërinë tonë, e që ishte i margjinalizuar vazhdimisht gjatë pasluftës – atij të naivitetit politik dhe infantilitetit shoqëror.
Partitë Vetëvendosje/Guxo garuan duke promovuar histori të paqena dhe duke premtuar gjëra të pamundshme. Dhe, fituan, duke e nxitur elektoratin e vet që t’i synojë dy gjëra: të drejtën që kundërshtarët politikë t’i emërtojë armiq të kombit, dhe, të drejtën të besojë se përrallat mund të jetësohen. Sot, këto dy të drejta janë të integruara në narracionin e pushtetit aktual si norma të logjikës qeverisëse dhe të komunikimit publik. Sot është normale të dëgjosh fraza si ’opozita tradhtare’, ‘shkatërrimi 20 vjeçar’ apo ‘sovraniteti absolut’. Një shoqëri infantile herëdokur do të prodhojë qeverisje fëmijërore.
Patjetër, gjendja në të cilën ndodhemi duhet të shihet si ndryshim. Mbi të gjitha, bëhet fjalë për largim përfundimtar të shoqërisë sonë nga represioni i arsyeshmërisë, nga detyrimi i veprimit pragmatik.
Albanian Post: Si u bë që Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Guxo, respektivisht Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, shënuan këtë sukses elektoral, duke kaluar mbi 50 për qind të votës së përgjithshme?
Dukagjin Gorani: Historikisht, tradita jonë e mendimit dhe veprimit publik ka dalluar strukturalisht nga logjika racionaliste e cila tek ne u tentua të zbatohej përmes administrimit, dhe, më vonë, mbikëqyrjes ndërkombëtare – pa ndonjë sukses të madh.
Ajo periudhë u përjetua rëndë, madje edhe si ndrydhje identitare, andaj menjëherë pas përfundimit të saj filluam ta riprodhojmë një rend shoqëror më të pranueshëm për ne, më të hapur për botëvështrimet provinciale dhe më të mbyllur për ato globale e universale. Ky proces mori fund simbolikisht me zgjedhjet e fundit, kur u çliruam përfundimisht nga detyrimi që veten ta shohim e ta vlerësojmë në raport me botën.
Sot jemi të akomoduar brenda jetës në absurditete shoqërore e politike që e riprodhojnë një gjendje kolektive të disonancës kognitive. Nuk e shohim problem pamundësinë e pajtimit të dëshirave të mëdha dhe mundësive të vogla; më nuk bezdisemi me diskrepancën kolosale mes mënyrës se si e shohim veten dhe si na vlerësojnë të tjerët. Jetojmë të lirë në izolimin tonë, të çliruar nga terrori i nevojës që t’i përshtatemi botës dhe shekullit që e jetojmë.
Albanian Post: A po shkatërrohet shtresa e mesme, për t’u ngritur një klasë e re në emër të barazisë shoqërore, me tendencë për kapjen e shtetit apo krijimin e partisë-shtet?
Dukagjin Gorani: Kurti s’është i pari përfaqësues i grupeve që synojnë pushtet politik, e që e përjeton kërcënuese ekzistencën e çfarëdo grupi shoqëror që aspiron – çfarë është sidomos shtresa e mesme. Natyrisht, mundemi vetëm të shpresojmë që ai të jetë i fundit. Mirëpo, para se të përgjigjem në pyetje, mendoj se duhet ta përpiqem ta përkufizoj ‘shtresën e mesme’ – së paku, siç e kuptoj unë – në kontekstin kosovar.
Pra, bëhet fjalë për segment të shoqërisë në zgjerim të vazhdueshëm, pa ndonjë koncentrim specifik gjeografik, që dallohet me dëshirën obsesive për avancim të pozitës së vet socio-ekonomike dhe të statusit socio-kulturor, gjithnjë në kërkim të fushave te reja të angazhimit dhe në largim progresiv nga traditat e deridjeshme familjare, fisnore e rajonale. E përbërë nga afaristë, shërbyes publikë, politikanë, gazetarë, IT-specialistë, punëtorë arsimi e profesionistë të fushave të ndryshme – që të gjithë në proces të pafundëm të ‘trial-and-error’, duke fituar e duke humbur dhe, rrugës, duke mësuar nga gabimet – kjo e paraqet shtresën më dinamike dhe më të traumatizuar e shoqërisë sonë. Është grup shoqëror në transformim të përhershëm dhe, rrjedhimisht, vepron me logjikë të ndryshueshme e të brishtë.
Si e tillë, është shtresa më e papërshtashme për të gjitha grupet politike meqë është strukturalisht e pabesë. Sivjet ta përkrahë një parti, vitin e ardhshëm tjetrën. Sot ta çmon një lider, nesër tjetrin. Paparashikueshmëria e preferencave politike të saj përbën njëkohësisht edhe bazën e ndryshimit demokratik në shoqëri, por edhe kërcënimin e madh për pushtetin e ditës.
Andaj, disciplinimi i kësaj shtrese, natyrshëm të paparashikueshme, është synim i çdo pushteti. Zakonisht, kjo bëhet përmes klientelizimit, kur një grup i caktuar brenda kësaj shtrese privilegjohet nga pushteti dhe kësisoj ngurtësohet dhe fiksohet pas ruajtjes së statusit të fituar – e këtë e ushtron duke monopolizuar hapësirat e veprimit konkurrent, kësisoj duke dëmtuar dinamikën zhvillimore. Në sipërfaqe, një situatë e tillë prodhon tablo të një rehatie sociale për grupet politike, por në realitet shkakton traumë të rëndë në avancimin e shoqërisë.
Albanian Post: A bëri thirrje Kurti për forcimin e partisë dhe dobësimin e strukturave qeverisëse kur tha se “më i rëndësishëm është posti i anëtarit të kryesisë partiake se sa ai i ministrit në Qeveri”, apo fliste për diçka tjetër?
Dukagjin Gorani: Deri sot, çdo pushtet e kishte krijuar klientelën e vet nga shtresa e mesme. Këtu nuk dallon as pushteti aktual i Kurtit: ‘oligarkia’ e pushteteve të mëhershme vazhdon të jetë oligarki edhe gjatë pushtetit të tij. Ajo që e bën Kurtin të dallojë nga pararendësit është disonanca e pazakontë mes rrëfimit të tij ideologjik dhe realitetit pushtetor: ai dhe grupi tij politik vazhdojnë të flasin ne emër të ‘vegjëlisë’, mirëpo veprimet e tyre e dëshmojnë të kundërtën.
Politikat ekonomike të qeverisë së tij në kohën e krizës së rëndë globale po e varfërojnë pikërisht këtë ‘vegjëli’ kosovare. Është përjetim makabër ta shohësh se si vendime brutale ‘neo-liberale’ (shembull, qasja ndaj grevave, etj.) zbatohen lehtësisht përmes një diskursi grotesk egalitar e socialdemokrat.
Albanian Post: Si e vlerësoni faktin se në kryesinë e LVV-së zënë vend katër aktivistë nga Shqipëria dhe a mendoni se Kurti do t’i rikthehet integrizmit, që e quan Bashkim Kombëtar? Ekziston bindja se ky integrizëm etnik e ndanë Kosovën kurse ndarja territoriale e Veriut e shpërbën projektin ahtisaarian duke e bërë të panevojshëm ekzistimin e një Kosove të pavarur?
Dukagjin Gorani: Kjo që po e quani ‘integrizëm’, e që partia e Kurtit e përkufizon ‘bashkim kombëtar’, ishte një gënjeshtër ideologjike që e shndërroi në kinse-program politik në ditën kur Kosova u shpall shtet i pavarur. Ç’prej atëherë, ‘bashkimi kombëtar’ u përdor vetëm si mjet për denoncim të pushteteve të ditës dhe si parullë mobilizuese për një shoqëri naive. Kurti dhe LV/Guxo nuk duhet marrë seriozisht në kontekst të kësaj aspirate: qëllimet e tyre gjithnjë kanë qenë lokale dhe provinciale, duke mos dalluar fare nga grupet e tjera politike.
Privilegjet e pushtetit publik dhe punësimi i strukturave partiake ishin dhe mbeten synimet kryesore të grupeve politike në Kosovë, përfshirë këtu edhe Kurtin dhe LV/Guxo. Sikurse edhe partitë e tjera, edhe Kurti dhe LV/Guxo kanë ankthe nga skenari i bashkimit kombëtar përmes ndonjë ripërcaktimi të kufijve me Serbinë.
Ngjashëm me shumë të tjerë, këtë e shohin nga një kënd defanziv psiko-social: ai i drojës nga humbja e rëndësisë individuale, grupore e rajonale, i frikës nga zvetënimi identitar si pasojë e shkrirjes në një konstruksion më të madh kombëtar e shtetëror. Vitet e fundit dëshmuan se këto ankthe provinciale identitare e pamundësuan brutalisht diskutimin e bashkimit kombëtar në kontekst realistik, duke insistuar që ai të mos del jashtë kornizave folkloriste dhe performanseve periodike të nacional-romantizmit.
Albanian Post: Për një pjesë të konsiderueshme të kosovarëve, sot pjesëtarët e luftës çlirimtare shihen vetëm si struktura të korruptuara. Për më tepër, sot liderët kryesorë të saj po mbahen në burg, në Hagë. A mendoni se po rishkruhet historia e Kosovës duke synuar një “Republikë të Tretë”?
Dukagjin Gorani: Gjatë gjithë periudhës së pasluftës ne vazhdimisht harruam t’i marrim parasysh efektet traumatike që shkaktoi përmbysja e madhe shoqërore, kulturore dhe ekonomike të cilën e prodhoi çlirimi nga hierarkia shtetërore e pushtetore e Serbisë/Jugosllavisë, e që kishte zgjatur gati njëqind vjet.
Mes tjerash, polarizimet e sotme politike i shoh edhe si pasojë të vonuar të faktit se çlirimi dhe liria u përjetuan (edhe) si shkarje e thellë shoqërore, si një ‘event’ brutalisht transformativ i cili, mbi të gjitha, u shpërfaq me rrënim të rendit të deriatëhershëm shoqëror, të statuseve socio-kulturore e socio-ekonomike, qoftë individuale apo grupore e rajonale.
Efekti i parë i lirisë në Kosovë ishte përmbysja strukturore: individë dhe grupe të reja shoqërore nga margjinat e zunë vendin e elitave të deridjeshme; dinamika kaotike e administrimit ndërkombëtar, e kombinuar me dyndjet e mëdha fshat/qytet dhe ndërmarrësia e re dhe agresive socio-ekonomike – të gjitha këto e prodhuan një gjendje të re kulturore e statusore në shoqëri, e që për shumëkë ishte traumatike.
Andaj, edhe fraza pezhorative ‘qe 20 vjet…’ e patentuar së voni si sllogan elektoral nga LV/Guxo e ka burimin e vet në këtë shkarje transformative të çlirimit dhe pasluftës. Sot e kësaj dite, kjo frazë më së shumti përsëritet nga individë dhe grupe shoqërore të cilët e përkrahën çlirimin popullor me besimin se raportet shoqërore do të mbesin të njëjta.
Në vete, një besim i tillë nënkuptonte definicion të naivitetit politik dhe shkurtëpamësisë strukturore. Sidoqoftë, sot këto grupe të pezmatuara shoqërore përdoren si asete elektorale – veçanërisht nga Kurti dhe LV/Guxo. Ato mbahen të mobilizuara nga tregimet mbi humbjen dhe hakmarrjen: atyre u aludohet se çlirimi dhe lufta çlirimtare s’ishte tjetër veçse shpronësim i tyre nga standardi ekonomik dhe statusi shoqëror që e kishin ‘para 20 vjetëve’ dhe se kanë të drejtë morale në dëmshpërblim përmes hakmarrjes politike.
Ndjenja e ‘humbjes historike’ lehtë mund të shndërrohet në sentiment të fuqishëm politik, kur karburant ideologjik e ka nostalgjinë për rendin e dikurshëm statusor dhe aspiratën e sotme për rikthimin e tij.
Albanian Post: Asociacioni si zgjidhje kushtetuese duket se mbetet mekanizmi i vetëm për integrimin e serbëve të Kosovës në shtetin e ri?
Dukagjin Gorani: Me gjasë, po. Asociacioni apo ‘Zajednica’ është pasojë e moskuptimit tonë të ditëve të para të pasluftës se çlirimi, liria dhe pavarësia do të vijnë pa ndonjë kosto. Sipas bashkësisë ndërkombëtare, Kosova ishte paraparë të zhvillohet në një shtet të ri multietnik dhe multikulturor. Kjo nuk ndodhi meqë komunitet etnike në Kosovë nuk kuptojnë gjë nga toleranca etnike e politike.
Gjatë viteve, ndasitë etnike shkuan aq larg sa që për një çast të shkurtër bashkësia ndërkombëtare shprehu gatishmëri që ta pranojë edhe shkëmbimin e territoreve nëse do të dëshmohej zgjidhje efikase për armiqësitë e vazhdueshme.
Sidoqoftë, kjo dritare e vogël e mundësisë u mbyll shumë shpejt, të shumtën për shkak të frikave provinciale të elitave tona politike dhe kontraverzës që kjo mund ta shkaktonte edhe në kontekstin e të drejtës ndërkombëtare. Sot, kam frikë se Zajednica na imponohet si trajtë e avancuar e autonomisë territoriale për serbët e komunave veriore të Kosovës.
Albanian Post: Në veriun e vendit palët sikur po luftojnë për të krijuar realitet të ri, për ta forcuar pozicionin në negociim të planit franko-gjerman. A do të këtë sipas jush marrëveshje deri në mars? A jeni optimist?
Dukagjin Gorani: Nuk e di nëse bëhet fjalë për ‘forcim të pozicioneve negociuese’. Më shumë po më duket se bëhet fjalë për eskalim të pritshëm të veprimeve të pamenduara mirë. Nga lëmshi i sotëm në veri të vendit vështirë është të parashikohet ndonjë zgjidhje, përveç atyre tradicionale, të imponuara si detyrime nga bashkësia ndërkombëtare – çfarë janë ajo e Daytonit apo e Ahtisaarit.
Mendoj që udhëheqjet aktuale në Kosovë dhe Serbi do të mirëprisnin zgjidhje të tillë të imponuar meqë besojnë se kësisoj mund t’i shmangen përgjegjësisë vendimmarrëse para shoqërive të veta dhe para historisë. Natyrisht, e keqja e zgjidhjeve të tilla është se nuk funksionojnë – nuk e zgjidhin problemin por vetëm e shtyjnë për ndonjë periudhë tjetër. Këtë fat mund ta pësojë edhe plani franko-gjerman i cili përflitet shumë, e për të cilin nuk dihet gjë.
Albanian Post: Z. Gorani ju jeni një gazetar veteran. Cili duhet të jetë roli i medias në demokraci dhe pse media po stigmatizohet për qëndrimin e saj kritik ndaj pushtetit? A keni drojë se demokracia kosovare mund të rrëshqasë në autokraci si në Hungari, Turqi apo Serbi?
Dukagjin Gorani: Nuk e di çfarë nënkuptohet me ‘media’ në epokën e rrjeteve sociale dhe platformave të pafundme të komunikimit global – apo edhe me termin ‘gazetari’ në kohën e blogerëve, influencerëve, komentatorëve e opinionistëve.
Por, së paku, besoj se ende mund të flasim për natyrën dhe dinamikat e komunikimit publik. Në Kosovë, ky është domen hiper-aktiv dhe tërësisht i pastrukturuar, dhe mendoj se do të mbetet i tillë për një kohë të gjatë. Kombinimi i teknologjive të reja me kulturën lokale të komunikimit publik të dekadave të fundit – agresive, vullgare dhe brutale – po e riprodhon këtë gjendje që kemi sot: të depresionit shoqëror të shkaktuar nga represioni diskursiv.
Mirëpo, gjeneza e dhunës diskurzive tek ne dallon strukturalisht nga rastet e ngjashme nëpër histori meqë shpërfaqet si pasojë e pafuqisë së individit apo grupeve të caktuara për të ndikuar në ndryshim të rendit të gjërave, e jo si pasojë e ndonjë botëkuptimi supremacist e përjashtues. Bëhet fjalë për klithmat e një shoqërie të traumatizuar që nuk e gjen dot guximin të merr drejtim dhe të largohet nga udhëkryqi identitar ku ndodhet tash e dy dekada.
Përndryshe, Kosova është tepër shoqëri e vogël që të mund të shndërrohet në autokraci reale. Gjasat janë më të mëdha që ajo të shndërrohet në një hapësirë të pabanueshme, mes tjerash, edhe për shkak të polarizimit të vazhdueshëm mes grupeve konkurrente që synojnë pushtet politik, e që tashmë e kanë etabluar grindavecërinë si normë të komunikimit publik. S’do mend, edhe grindavecëria publike mund të interpretohet si njëfarë gjendje e demokracisë, porse është demokraci e bezdisshme, e lodhshme, joproduktive dhe jokonstruktive. /Albanianpost/
copy(/home/titulli/public_html/images/image/orani-ks.jpg): failed to open stream: No such file or directory