PVD mbështet qeverisje tenike në Preshevë
PVD përmes një komunikate ka ftuar partitë lokale PDSH dhe LR për formimin e shumicës së re qeverisëse në kuvendin komunal në Presheve.
Kjo është komunikata e plotë e degës së PVD-së në Preshevë:
Strukturat e Partisë për Veprim Demokratik, gjatë këtyre ditëve kanë mbajtur takime të vazhdueshme si pasojë e situatës së krijuar pas dorëheqjes së kryetarit të Kuvendit Komunal.
Gjatë ditës së sotme PVD mbajti mbledhje me Kryesinë e degës, kryetarët e nëndegëve dhe këshilltarët e Kuvendit Komunal në të cilën u diskutuan modalitetet e daljes nga kjo krizë politike.
Që nga formimi i shumicës udhëheqëse pas zgjedhjeve të dhjetorit të vitit 2017, PVD në vazhdimësi ka kritikuar pushtetin aktual dhe ka njoftuar qytetarët me keqmenaxhimin e këtij pushteti, si pasojë e dështimit të Shqiprim Arifit në realizimin e premtimeve të tij megalomane.
Partia për Veprim Demokratik pasi shqyrtoi situatën e krijuar në komunën e Preshevës, e cila po kalon në një periudhë të vështirë pandemike dhe bisedimeve Kosovë - Serbi, nuk merr mbi vete barrën e shpërndarjes së Kuvendit Komunal, duke lënë qytetarët e komunës së Preshevës pa përfaqësim legjitim dhe duke bartur qendrën e vendimmarrjes nga përfaqësuesit legjitim tek Qeveria e Republikës së Serbisë përmes organit të përkohshëm.
Duke u bazuar në faktet e lartëshënuara, Kryesia e PVD-së ka marrë vendim që të jetë pjesë e një shumicë të re me elemente të qeverisjes teknike.
Partia për Veprim Demokratik fton PDSH dhe LR, në këto pak ditë që kanë mbetur para afatit ligjor para shpërndarjes së Kuvendit, të evitohet kriza politike në këto rrethana delikate.
Preshevë, 25.08.2020
Partia për Veprim Demokratik - dega Preshevë