Presheva dhe entropia e të drejtës për vetëvendosje
Lokale

Presheva dhe entropia e të drejtës për vetëvendosje

05.Oct.2016 15:11
0
Koncepti subjektiv i kombit arrihet të artikulohet në Lidhjen e Prizrenit më 1878 në Prizren. Në këtë formësim të këtij korpusi ontologjik, politikisht u angazhuan dhe kontribuuan intelektualët shqiptarë të Preshevës, akt i cili shënon fillesat e një iniciative historike, e që tek qytetarët e Luginës së Preshevës sot manifestohet si kujtesë kolektive e vetëdijes historike.

Shkruan: Liburn MUSTAFA, Preshevë

Debati rreth identitetit politik të shqiptarëve, sado që mund të konsiderohet i “dalë mode” në të gjitha përmasat, ai e ruan aktualitetin e tij, për të rifilluar për të satën herë identitetin politik të shqiptarëve dhe debatin për shtetin unik të shqiptarëve. Krijimi i shtetit të Kosovës, përpos që ka krijuar një realitet të ri politik, e ndihmuar nga konformistët e politikave ditore, normalisht edhe nga faktorë të tjerë politikë dhe sociologjikë, e riaktualizojnë debatin e kosovarit, duke imponuar kështu një identitet të ri, historikisht të paqenë. Krijimi i shtetit të Kosovës dhe modelimi i saj shoqëror, që i përngjason një koncept të shoqërisë jugosllave i ashtuquajtur kosovarizëm, i ndihmuar nga shoqëria civile dhe mediat në Kosovë po nxitë ngjizjen e pikëpamjeve të reja identitare te shqiptarët jashtë Kosove dhe Shqipërie. Paradokset më të depërtueshme janë ato te shqiptarët e Maqedonisë, Luginës së Preshevës dhe Malit të Zi, që në këtë udhëkryq politik detyrohen të zgjedhin identitetet shtetërore të Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, duke ua mohuar atyre të drejtën e vetëvendosjes. Për më tepër, kjo iniciativë për “shtetëzimin e identitetit politik” e vë në rrezik edhe procesin e kombformimit shqiptar dhe realizim e plotë të së drejtës së vetëvendosjes të kombit shqiptar.

Tëhuajësimi preshevar nga koncepti i Vetëvendosjes

Koncepti subjektiv i kombit arrihet të artikulohet në Lidhjen e Prizrenit më 1878 në Prizren. Në këtë formësim të këtij korpusi ontologjik politikisht u angazhuan dhe kontribuuan intelektualët shqiptarë të Preshevës, akt i cili shënon fillesat e një iniciative historike, e që tek qytetarët e Luginës së Preshevës sot manifestohet si kujtesë kolektive e vetëdijes historike. Përpos shtrembërimit konceptual, vetëvendosja e eklipsaur nga ideja e referendumit, më pak se një realitet, ishte një retorikë boshe e politikanëve shqiptarë dhe, së fundmi, është krejt një “fantazi”, siç u shpreh një udhëheqës komune.

Por, në të vërtetë, domethënia e vetëvendosjes ka qenë ruajta e territorit dhe bashkimi me Shqipërinë, sipas qytetarëve preshevarë, por kjo ide sot nuk është një ndjenjë, frazë e ndonjë fjalimi politik, madje për disa edhe iluzion. Tëhuajësimi sistematik i këtij koncepti, përmes integrimit institucional të shtresave politike, ka tëhuajësuar edhe frymën kolektive të shqiptarëve. Edhe pse narracioni historik legjitimon të drejtën e vetëvendosjes, legjitimimi i saj mund të jetë vetëm e vetëm rezultat i një akti esencial subjektiv, që kuptimëson historinë përmes përjashtimit të saj dhe përjetëson ontologjinë shqiptare përmes përbrendësimit të saj.

Tri momentet që konfirmojnë vetëvendosjen

Domethënia e konceptit të vetëvendosjes, si kategori më e ngushtë dhe më e thuktë logjike që është, do të arrihej të shpjegohej vetëm përmes një antinomie, duke tejkaluar hapësirën dhe kohën, duke e shtjelluar këtë koncept si të pastër, por që e kuptimëson kohën dhe hapësirën përmes aktit të shtyrë nga subjekti. Janë tri momente të rëndësishme, të cilat e bëjnë të veçantë të drejtën e vetëvendosjes në Luginë të Preshevës.

Momenti i parë, për të cilin mendoj se është fondamental dhe argument i rëndësishëm për gjenealogjinë ideore të së drejtës së vetëvendosjes është intelektuali i shquar Ibrahim Kelmendi, që përmes aktivitetit të tij intelektual dhe praktikë, arrin ta kolektivizojë frymën e risjellë të Lidhjes së Prizrenit. Lufta kundër forcave serbo-partizano dhe bullgare (9 shtator 1944 – 17 nëntor 1944) është një ndër faktet shumë të rëndësishme, me të cilën shqiptarët e nxorën veten seriozisht nga zhvillimi linear historik, kjo me aktin e organizimit të këtyre formacioneve ushtarake, që nga Ibrahim Kelmendi, Mulla Idriz Gjilani dhe të tjerë. Prandaj mund të konstatojmë për një shfaqje të Uni-t dhe vetërealizimit historik të qenies shqiptare, që territorin e konsideronte si pjesë unike të shpërfaqjes qeniesimit kombëtar. Ky moment mund të konsiderohet si përpjekja më serioze për aktin e vetëvendosjes.

Moment i dytë me rëndësi është momenti i referendumit. Referendumi ishte një përpjekje për vetëvendosje, por në esencë iniciativa e kishte filluar të tëhuajësohet. Kjo iniciativë kishte motivin e një koncepti të vetëvendosjes, e cila më tepër i përshtatej koniunkturës politike rajonale sesa konceptit të pastër të vetëvendosjes. Ajo që e ndoqi popullin shqiptar të Luginës së Preshevës, prej Lidhjes së Prizrenit deri në luftën organizuar kundër forcave serbo-partizano-bullgare, e deri në vitin 1992, ishte fryma për bashkim. Politikanët shqiptarë të Luginës së Preshevës, përmes organizimit të referendumit, u përpoqën t’i bindin qytetarët shqiptarë për iniciativat serioze për bashkim me Kosovë. Shtresat politike, të cilat qenë në koordinim me qendrat shqiptare për realizimin e këtij referendumi, më tepër ngjanin në vetëvendosjen koniunkturale, që është i ngjashëm me iniciativat e Mitrovicës së Veriut për referendum, e që janë rezultat po ashtu i një koordinimi. Pamundësia e koordinimit dhe presionet ndërkombëtare po krijojnë situata të paqëndrueshme politike të artikulara si: “realizim i planit të Ahttisarit”, “statusi special i Veriut”, “shkëmbim territoresh me jugun e Serbisë” etj. Aq më tepër që shtresa politike e Luginës së Preshevës, në vend që ta shtrojë dhe avancojë konceptin e vetëvendosjes si koncept të pastër dhe autentik për kolektivin shqiptar, rrjedhimisht nga ky koncept të rezultonte referendumi me formulim të pastër, ata organizuan referendum me një formulim dualist dhe të kundërshtueshëm në vetveten e tij. Në qoftë se do ta vëzhgonim këtë proces në mënyre lineare historike, politikanët shqiptarë të Luginës së Preshevës morën pjesë në zgjedhjet e organizuara në Jugosllavi menjëherë pas organizimit të referendumit. Ky akt, përpos asaj që është në kundërshti të plotë me aktin e referendumit, ardhja e tyre në pushtetet lokale vjen si rezultat i transformimit/shtrembërimit të ligjërimit politik, duke e parë integrimin në institucione si të vetmen rrugë të realizimit të referendumit. Edhe themelimi i tri kuvendeve, Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, nuk rezultoi me ndonjë riformulim të kauzës prej të zgjedhurve politikë, por insistimet – edhe pse ishin më të devijuara – ato akoma mbështeteshin në referendumin e vitit 1992. Me një fjalë, shtesat politike të Luginës së Preshevës e përthithën frymën kolektive dhe dëshirën e vetëvendosjes përmes një mimikrie metodike, e përvetësuan atë dhe e artikuluan duke u mbështetur në referendum dhe e tëhuajësuan në saje të integrimit në institucione. Vetëvendosjen në mënyrë sistematike e tëhuajësuan nga programi politik dhe kjo paradigmë nacionale, e krijuar në mendjet e qytetarëve shqiptarë, u thye në saje të realpolitikës, duke e eklipsuar atë me idenë e integrimit dhe konformizmit politik. Zhveshja nga ky ideal, një herë të politikanëve pastaj të qytetarëve shqiptarë, çështjen e bashkimit territorial të shqiptarëve e bëri të pamundur dhe anakronike si ide dhe mision deri në hyrjen e forcave të NATO-s në Kosovë dhe fillimin e luftës së UÇPMB-së në vitin 2000.

Momenti i tretë me rëndësi, pra, është lufta e UÇPMB-së, si luftë për bashkim kombëtar, një fije shprese, e cila i ngjalli përfundimisht ndjenjat për aspiratat dhe frymën e humbur kolektive. Sado që prej disa grupe qytetarësh merrej me dyshim, ajo ngjalli reagime të fuqishme te qytetarët dhe te shtresat politike njëkohësisht. Ajo që vlen të theksohet dhe që zë rëndësinë më të madhe në këtë iniciativë është ideali i luftëtarit dhe akti i tij për t’u bërë i përjetshëm përmes vdekjes. Akti i kapjes së pushkës, mu ashtu si në Luftën e Dytë Botërore, kur për tre muaj Lugina e Preshevës konsiderohej Shqipëri, luftëtarët shqiptarë u vunë në shërbim të një ideali, që sipas tyre ishte i kamotshëm dhe që duhej realizuar. Edhe pse kjo ushtri u transformua, ideali i saj u shtrembërua dhe përfaqësuesit politikë të dalë nga lufta pranuan të jenë pjesë e pushtetit dhe e institucioneve legjitime të shtetit serb, lufta që luftuan ata ushtarë në kontekst shfaq ndjenjën dhe vullnetin kolektiv, për unjësimin territorial për të ruajtur qeniesimin shqiptar.

Entropia e një substance politike

Politika shtetërore serbe, përpos planifikimit të shpopullimit sistematik të kësaj treve shqiptare, politikat e saja thellësisht politike ua impononi shqiptarëve si politika teknike. Pas vitit 2001 u krijua një plan teknik për kthimin e të zhvendosurve nga Karadaku dhe Medvegja. Në kuadër të këtij “pilot projekti” deri më vitin 2005-2006 Karadaku i Preshevës dhe Medvegja u shpopulluan në tërësi. I njëjti projekt u fillua të realizohet pikërisht në vitin 2005-2006, që njihet si viti i divergjencave më të mëdha shqiptare. Partitë më të mëdha politike, organizata e luftës së UÇPMB-së, Bashkësia Fetare dhe organizata të tjera u ndanë në dysh, madje edhe sot e kësaj dite janë në të njëjtën gjendje edhe akoma më keq. Ky bigëzim, përpos që e ka fragmentarizuar spektrin politik, ka nxitur një luftë të pafund interesash ndërmjet klaneve të ndryshme partiake dhe grupeve të interesit. Konformizmi politik i udhëheqjes politike të Luginës së Preshevës ndaj Beogradit, i shprehur në formën e një luajaliteti dhe kozmopolitizmi, po legjitimohet edhe më tepër nga qëndrimet e udhëheqësve të shtetit të Kosovës, qoftë me qëndrimet e tyre politike ndaj Luginës, qoftë me promovimin e kosovarizmit si projekt të jugosllavizimit të shqiptarit të Kosovës.

Prononcimet e drejtuesve politikë se problemi i shqiptarit të Preshevës është “nacionalizmi”; referendumi si diçka e “vjetruar, e tejkaluar”; nënshkrimi i marrëveshjes për përkthimin e teksteve nga lënda e historisë, gjeografisë, kulturës muzikore, e të tjera; vota PRO dhe pa kushte për qeverinë e Serbisë nga deputeti popullor shqiptar, e orienton subjektin shqiptar në një qenie tërësisht biologjike. Rrjedhimisht, duke ia imponuar logjikën e mbijetesës si koncept politik, e zhvesh atë nga identiteti nacional si motiv i politikëbërjes, ku do ta vendosin individin shqiptar në koherencë të plotë ideore me shtetin serb, që për dekada ushtron diskriminim dhe represion konstant ndaj shqiptarëve të Luginës.

Qëndrime të këtilla “përparimtare” të politikanëve shqiptarë të Luginës së Preshevës, po e përshpejtojnë procesin e entropozimit të zbërthimit të bërthamës shqiptare drejt një modelimi të tillë, që e forcon supremacinë e shumicës serbe ndaj pakicës shqiptare në Serbi. Interpretimi se problemet kanë qenë gjithmonë teknike dhe jo politike dhe interpretimi se investimet infrastrukturore janë esenciale për realizimin politik të shqiptarit, e shkërmoq maskën e “sinqeritetit politik”, duke shpërfaq naivitetin për kujtesën historike dhe orientimin strategjik kombëtar të shqiptarëve. Një diskurs i tillë ligjërimor e rrit rrezikshmërinë që individin shqiptar të Preshevës ta vendosë përballë dy alternativave: asaj të nënshtrimit dhe pranimit të gjithçkaje që vjen nga lart si të mirëqenë, që nënkupton rrugën drejt asimilimit politik, e më vonë edhe atij etnik, dhe të alternativës tjetër të kahmotshme dhe lehtë të realizueshme – migrimit. Në të dyja rastet kemi të bëjmë me një humbje ose bjerrje. E para, është metafizike, kurse e dyta është fizike.

Kjo “bjerrje ontologjike” ose humbje e qenësisë shqiptare, të kufizuar nga format e dhëna të gatshme, mund të rikthehet vetëm përmes një shkëputjeje kohore dhe hapësinore, duke e konfirmuar aktin e vetë-qenësisë. Aktin vetëdijesimit për veten dhe riqendërzimin e subjektit në kohë dhe hapësirë. Akti shmang kohën si kategori racionale, shmang hapësirën dhe është moment metafizik, por vazhdimësia e aktit si proces bashkërendon me kohën dhe hapësirën dhe kështu i jep kuptim historisë, kohës edhe hapësirës. Vetëvendosja do të legjitimohej vetëm në saje të këtij akti: UNË VENDOS PËR VETEN!

Autori është gazetar e publicist nga Lugina e Preshevës, opinionet e autorit janë personale dhe nuk paraqesin domosdoshmërish edhe mendimin e Portalit Informativ-TITULLI

Gjirokastra mikpriti shoqërinë kulturore "Zëri i Luginës", qyteti i gurit vlerë botërore (foto&video)
Ftesë për konferencë: Çështja e Luginës së Preshevës në dimensionin rajonal dhe ndërkombëtarë
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration