Perspektiva evropiane e Ballkanit, tema kryesore në Samitin Bërdo-Brioni
Rajoni dhe Politika

Perspektiva evropiane e Ballkanit, tema kryesore në Samitin Bërdo-Brioni

09.Oct.2024 07:34
0

Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa shtetet e Ballkanit Perëndimor, është mesazhi i përbashkët i presidentëve të shteteve të rajonit nga Samiti Bërdo-Brioni, që po mbahet të martën në Tivat të Malit të Zi.

Nikoqiri i takimit, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka thënë në një konferencë për media se stabiliteti afatgjatë i rajonit nënkupton edhe marrëdhënie të mira fqinjësore.

"Me një rend botëror të lëkundur, dhe me rritjen e paqëndrueshmërisë globale, liderët e Ballkanit Perëndimor janë të vetëdijshëm për momentin politik dhe dritaren e re të BE-së, sa i përket zgjerimit. Jemi të gatshëm të shfrytëzojmë këtë mundësi edhe më fuqishëm”, ka thënë Millatoviq.

 

Pritjet e tij janë që përparimi i Malit të Zi drejt bllokut evropian, të jetë shtysë edhe për vendet e rajonit.

"BE-ja nuk është vetëm një nevojë dhe një qëllim i deklaruar, por edhe një imperativ gjeopolitik dhe moral."

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se vendi që udhëheq ajo vazhdon të jetë i përkushtuar për bashkëpunim rajonal, “të bazuar në fqinjësi të mirë, gjithë përfshirje dhe qëllimin e përbashkët për integrim në institucionet euroatlantike”.

Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, ka thënë se vlera e Samitit Bërdo-Brioni "qëndron në faktin që në këto takime komunikojnë disa vende që nuk e kanë njohur njëra-tjetrën."

Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, të shpallur në shkurt të vitit 2008.

Millanoviq ka thënë se detyra e Kroacisë dhe Sllovenisë është që t’i inkurajojnë vendet e Ballkanit Perëndimor që të mos heqin dorë nga rruga e tyre drejt anëtarësimit në BE.

"Ekziston inercia dhe dobësia e BE-së në konkurrencën globale me lojtarë më të fuqishëm dhe të paskrupullt. Në njërën anë janë Shtetet e Bashkuara, tjetrën shtetet e BRICS-it, pra Rusia, Kina, India... ato që nuk na duan”.

 
Presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, ka thënë se Sllovenia dhe Kroacia mbështesin intensivisht procesin e integrimit evropian.

"Mali i Zi ka bërë më shumë përparim dhe ka perspektivën më të mirë për t’u anëtarësuar së shpejti në BE”, ka thënë ajo.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk ka marrë pjesë në seancën planare të samitit, por u është bashkuar më vonë pjesëmarrësve.

Tema e Samitit në Tivat është përmirësimi i bashkëpunimit midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe anëtarëve të Bashkimit Evropian.

Procesi Bërdo-Brioni është një nismë slloveno-kroate, e iniciuar në vitin 2010, me qëllim forcimin e besimit dhe ndihmës për vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian./REL

copy(/home/titulli/public_html/images/image/amiti-brdo.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Interpol: Shtohet rreziku nga bandat globale
Seanca (4) e Kuvendit Komunal të Bujanocit (video)
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration