Pengesa e Serbisë për në BE, a është i mundur pezullimi i përkohshëm i negociatave?
Lokale

Pengesa e Serbisë për në BE, a është i mundur pezullimi i përkohshëm i negociatave?

22.Mar.2022 08:02
0

“Pas zgjedhjeve të 3 prillit dhe formimit të një shumice të re parlamentare dhe një qeverie të re, udhëheqja politike e Serbisë duhet të jetë e qartë në përkushtimin e saj ndaj zgjedhjes strategjike të Serbisë për Evropën”, thotë për Radion Evropa e Lirë Vlladimir Billçik, raportues i Parlamentit Evropian (PE).

Billçik e thekson këtë në përgjigjen e tij ndaj pyetjes se a pret përparim në negociatat për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian (BE) këtë vit.

Gjatë tri javëve të agresionit rus kundër Ukrainës, Serbia nuk tregoi synimin e saj për t’u harmonizuar me sanksionet e BE-së kundër Rusisë.

Më 15 mars, BE-ja vendosi një paketë të katërt sanksionesh ndaj Moskës, duke e izoluar Rusinë nga sektori bankar dhe tregtar, me synimin për t’i ndalur vuajtjet në Ukrainë.

 

Menjëherë pas pushtimit rus të Ukrainës, Billçik shprehu keqardhjen që Serbia nuk iu bashkua të gjitha sanksioneve të BE-së kundër regjimit të Vladimir Putinit, duke vlerësuar se zgjedhja e Serbisë do të ketë pasoja të gjera politike.

“Qëndrimi i Serbisë tashmë ka nxitur një debat të gjerë në Parlamentin Evropian, për perspektivën e saj evropiane. Pres që kjo çështje gjithashtu të luajë një rol të rëndësishëm në debatet politike mbi raportin tim për Serbinë në Parlamentin Evropian, më vonë këtë pranverë”, theksoi Billçik për Radion Evropa e Lirë.

Si raportues, Vlladimir Billçik i paraqet Parlamentit Evropian një raport për progresin e Serbisë në integrimet evropiane.

Porositë nga Brukseli për Beogradin

Që nga fillimi i agresionit rus, Brukseli i ka dërguar disa herë porosi Beogradit se vendet kandidate për në BE nuk pritet të tërhiqen mënjanë kur bëhet fjalë për luftën në Ukrainë.

Gjithashtu, në deklaratat e zyrtarëve evropianë është theksuar se renditja në anën e gabuar të konfliktit, do të ketë çmimin e vet.

Një ditë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Serbia tha se e konsideronte të gabuar shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës dhe mbështeti rezolutën e OKB-së që dënonte agresionin rus kundër Ukrainës.

Por, është i vetmi vend kandidat për t’u anëtarësuar në BE dhe që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, ndërkaq që është pothuajse edhe i vetmi vend në Evropë me një vendim të tillë.

 

Bodo Weber, ekspert për Ballkanin dhe bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për politikat e demokratizimit në Berlin, thotë për Radion Evropa e Lirë se Beogradi mendon se mund të vazhdojë të mbajë qëndrimin “edhe Rusia edhe BE-ja”.

“Në këtë moment gjeopolitik ‘ose-ose’, Beogradi e ka shpenzuar kapitalin e tij që të mund të nxirret sikurse deri më tash”, vlerëson ai.

Politika e Vuçiqit ‘edhe BE-ja, edhe Rusia’

Një nga shpjegimet e presidentit Aleksandar Vuçiq se pse Serbia nuk vendos sanksione ndaj Rusisë ishte se ajo nuk do të nxitojë drejt armiqësive për shkak se dikush po ia kërkon një gjë të tillë. Në të njëjtën kohë, Vuçiq nënvizoi se Serbia është në rrugën evropiane, sepse ky është orientimi i saj.

Edhe para agresionit rus ndaj Ukrainës, Vuçiq pati thënë se Serbia kishte orientim pro-evropian, por edhe se ruan marrëdhënie të mira me SHBA-në, Rusinë dhe Kinën.

Tani zyrtarët në Beograd thonë se nuk mund të vendosin sanksione ndaj Rusisë, për shkak të interesave të tyre jetike ekonomike dhe politike. Gjithashtu, i theksojnë edhe marrëdhëniet “tradicionalisht të mira” mes dy vendeve.

Përveç varësisë nga burimet ruse të energjisë, Serbia llogarit edhe në mbështetjen politike të Rusisë për Kosovën, pavarësinë e së cilës nuk e njeh. Në të njëjtën kohë, Serbia, nën patronazhin e BE-së, është duke negociuar me Kosovën për normalizimin e marrëdhënieve, që do të duhej të rezultojë me një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

 

Beogradi lë dyert e hapura për rublën ruse

Weber vlerëson se do të jetë jashtëzakonisht i vështirë vazhdimi i politikës së uljes në dy karrige, veçanërisht sapo të kalojnë zgjedhjet e prillit.

Në Serbi, më 3 prill, mbahen zgjedhjet presidenciale dhe ato të parakohshme parlamentare.

Përkujtim i situatës Merkel-Tadiq

“Ky është padyshim një moment vendimtar për regjimin e tij (të Vuçiqit) – ai kujton ndryshimin e kursit politik të BE-së ndaj Serbisë në gusht të vitit 2011, kur Angela Merkel ndaloi politikën e regjimit të Tadiqit ‘edhe Kosova edhe BE-ja’, duke e vënë atë përballë një zgjedhjeje”, thotë Weber.

“Vendimi kundër BE-së, siç dihet, pati një ndikim vendimtar në rënien e regjimit të Tadiqit”, shton ai.

Në vitin 2011, kancelarja e atëhershme gjermane Angela Merkel, i kërkoi presidentit serb, Boris Tadiq në Beograd, ndër të tjera, të shfuqizojë institucionet paralele (të cilat funksiononin sipas sistemit serb) në veri të Kosovës, gjë që ai nuk e pranoi.

 

Tadiq, i cili i humbi zgjedhjet në vitin 2012, proklamonte politikën “edhe BE-ja edhe Kosova”.

Pas bisedimeve me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Beograd, më 11 mars, ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock tha se ata që ndajnë “vlerat evropiane nuk mund të qëndrojnë anash kur bëhet fjalë për luftën në Ukrainë”.

Bodo Weber thekson se tani nuk është viti 2014.

“Me pushtimin rus të Ukrainës, i cili shkaktoi një unitet deri më tani të paimagjinueshëm si të BE-së, ashtu edhe të Perëndimit, situata ndryshoi brenda natës”, thotë Bodo Weber.

Serbia nuk iu bashkua sanksioneve që BE-ja i vendosi ndaj Rusisë në vitin 2014, për shkak të aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë dhe mbështetjes për forcat separatiste pro-ruse në lindje të vendit në Donjeck dhe Luhansk.

Serbia, gjithashtu, në OKB voton në anën e Rusisë, kur bëhet fjalë për rezolutat që dënojnë pushtimin rus të gadishullit ukrainas të Krimesë.

Rezervat e Beogradit rreth Rusisë

Edhe para pushtimit rus në Ukrainë, domosdoshmëria e harmonizimit me politikën e jashtme të BE-së, përkatësisht bashkimi me sanksionet kundër Rusisë, ishte një temë e domosdoshme gjatë takimit të zyrtarëve evropianë me ata në Beograd.

“Do të ishte mirë që Serbia të vendoste më herët, tani presioni është edhe më i fortë në këtë situatë krize”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Natasha Dragojlloviq, koordinatore e Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian.

Kjo platformë e shoqërisë civile bashkon më shumë se 750 organizata dhe ofron mbështetje të organizuar për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

“Konventa Kombëtare ka theksuar në mënyrë të përsëritur, në rekomandimet e saj drejtuar autoriteteve, se Serbia duhet të lëvizë më me vendosmëri drejt harmonizimit, pa marrë parasysh faktin se ajo nuk është formalisht e detyruar të pajtohet plotësisht me politikën e jashtme të BE-së deri në anëtarësim”, thekson Dragojlloviq.

Sipas saj, Serbia ka rritur nivelin e harmonizimit me vendimet e politikës së jashtme të BE-së, por tregon rezervën e vetme ndaj vendimeve që kanë të bëjnë me çështjet e Rusisë dhe Ukrainës.

Për herë të parë, Serbia respektoi vendimin e BE-së për sanksionet rreth Ukrainës që nga13 marsi, por ato sanksione nuk kanë të bëjnë me agresionin e Rusisë ndaj këtij vendi.

Gjegjësisht, bëhet fjalë për zgjerimin e sanksioneve ndaj ish-politikanëve ukrainas, përfshirë edhe ish-presidentin pro-rus, Viktor Yanukovych, për shkak të keqpërdorimit të fondeve shtetërore.

Më parë, në korrik të vitit 2021, Serbia pjesërisht u pajtua me sanksionet që BE-ja vendosi ndaj Bjellorusisë për shkak të shkeljeve sistematike të të drejtave të njeriut në atë vend.

Në prill të vitit 2021, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i tha kreut të atëhershëm të diplomacisë gjermane, Heiko Mass, se Beogradi do të kujdeset që për të gjitha çështjet, që nuk rrezikojnë drejtpërdrejt interesat më vitale kombëtare dhe shtetërore serbe, të arrijë harmonizim sa më të madh të mundshëm me vendet e BE-së.

A është i mundur pezullimi i përkohshëm i negociatave?

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Vlladimir Billçik, thotë se instrumentet ekzistuese sikurse negociatat e pranimit, korniza e zgjerimit dhe instrumentet financiare të lidhura me zgjerimin, duhet të përdoren plotësisht për të arritur stimuj pozitivë për Serbinë pro-evropiane, duke përfshirë pozicionin e saj ndaj sanksioneve.

“Kjo është qasja që unë do ta mbështesja në javët dhe muajt e ardhshëm, për të punuar në ndryshimin e pozicionit të Serbisë. Ne duhet t’i përdorim të gjitha mjetet ekzistuese drejt zhvillimeve të mundshme pozitive në këtë çështje dhe jo për pezullimin”, thotë Billçik.

Më herët, grupi prej nëntë parlamentarësh nga grupimi politik liberal në Parlamentin Evropian i kërkuan Komisionit Evropian të ngrijë përkohësisht bisedimet e pranimit me Qeverinë serbe dhe të mohojë mbështetjen financiare për shkak të dështimit për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë.

“Serbia është e lirë të vendosë se në cilin drejtim dëshiron të shkojë, por nuk mund të vazhdojë të konsiderohet një bashkëbisedues i besueshëm dhe nuk mund të vazhdojë të përdorë ndihmën financiare të para-anëtarësimit derisa të vendosë”, thuhet në letrën e parlamentarëve.

Natasha Dragojlloviq, nga Konventa nacionale, thekson se nuk ka bazë formale për ndërprerjen e negociatave me Serbinë dhe ndërprerjen e asistencës para anëtarësimit, sepse përpos Komisionit Evropian, këtë vendim duhet ta përkrahin edhe të gjitha shtetet anëtare.

“Ky është një sinjal se kjo mund të radikalizohet, por nuk besoj se është e mundur të pezullohen negociatat me Serbinë ose të pezullohet ndihma e para-pranimit”, thotë Dragojlloviq për thirrjen që kanë bërë nëntë euro-deputetët.

Ajo, gjithashtu, vlerëson se është joreale të pritet ndonjë kthesë e papritur e politikës së jashtme apo tregtisë së jashtme të Serbisë në fushatën zgjedhore.

“Në qoftë se Serbia do të bënte një kthesë pak më radikale të politikës së jashtme, nuk është realiste të pritet një gjë e tillë para majit”, beson Dragojlloviq.

Sipas sondazheve të opinionit publik, shumë njerëz në Serbi e shohin Rusinë si një mbrojtëse dhe presidenti rus, Vladimir Putin, gëzon një popullaritet të madh.

Sipas një hulumtimi të Institutit joqeveritar për Çështjet Evropiane me qendër në Beograd, të publikuar në korrik të vitit 2021, numri më i madh i qytetarëve të anketuar të Serbisë, 83 për qind, besojnë se Rusia është mike e Serbisë.

Hulumtimi lidhur me BE-në nga e njëjta organizatë, në maj të vitit 2021, ka treguar që për anëtarësimin e Serbisë në BE do të votonin 48.9 për qind e të anketuarve, kundër do të ishin 28.4 për qind, nuk do të votonin 11.2 për qind e të anketuarve, ndërkaq 11.5 për qind nuk e dinë se si do të votonin.

Sa larg ka arritur Serbia në integrimin evropian?

Serbia filloi negociatat e anëtarësimit me BE-në, në vitin 2014. Që atëherë, janë hapur 18 kapituj negociues dhe dy janë mbyllur përkohësisht.

 

Megjithatë, gjatë vitit 2020, Serbia nuk hapi asnjë kapitull negociues.

Në shkurt të vitit 2020, u miratua një metodologji e re, kështu që 35 kapituj negociues u sistemuan në 6 grupime.

Deri më tani, janë hapur dy grupime, 1 - Bazat dhe 4- Agjenda e gjelbër dhe lidhja e qëndrueshme.

Përgatiti: Bekim Bislimi-REL
copy(/home/titulli/public_html/images/image/utin-vucic-mos.jpg): failed to open stream: No such file or directory
PVD nis fushatën për zgjedhjet parlamentare, Kamberi: Bashkohuni
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration