Vështrime
Në të majt apo në të djatht?
Janë zgjedhjet e teta parlamentare, që prej rënies së regjimit diktatorial të Enver Hoxhës në Republikën e Shqipërisë. E diela e 23. Qershorit të 2013 do të jetë dita D për atë, se si do të orientohet vendi i shqiponjave, pra në të majtë apo në të djathtë.
Shkruan: Albion Maloku;
Në këto zgjedhje do të garojnë dy aleanca të mëdha, disa subjekte politike dhe individ të pavarur. Në njërën anë është Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim, e drejtuar nga kryeministri aktual i Shqipërisë, Sali Berisha, dhe në anën tjetër Aleanca për Shqipërinë Evropiane, e drejtuar nga ish-kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama. Sfondin tjetër garues e përbëjnë Aleanca Kuq e Zi, e drejtuar nga ish-zv-drejtori i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, Fryma e Re Demokratike, e drejtuar nga ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi si dhe kandidatët e pavarur: Arben Malaj, Dritan Prifti dhe Sazan Guri.
Fushata zgjedhore në Shqipëri është provuar deri më tani, por edhe në këto zgjedhje si periudha kur politika ditore e përfshinë çdo pore të jetës, ku duhet e ku nuk duhet. “Koalicioni i Vëzhguesve Vendor” në raportin e saj për Zgjedhjet 2013, me të drejtë sjell faktin se, “nisja e fushatës elektorale ka zhvendosur vëmendjen në zgjedhjet e ardhshme, duke ulur ritmin e funksionimit të institucioneve shtetërore.” Vëmendja e elektoratit është e kthyer sidomos nga ato subjekte politike të cilat kanë një eksperiencë të gjatë në sulme, kritika e deri në ofendime ndaj njëra-tjetrës.
Republika e Shqipërisë nën drejtimin e kryeministrit Sali Berisha pati hapat e saj pozitiv e negativ. Mirëpo, atmosfera e elektoratit në lidhje me zgjedhjet e ardhshme tregon shenja të vullnetit për ndryshim. Dhe, ajo çfarë do të dëshironte një votues është ardhja në pushtet e atyre që do të jenë të ndërgjegjshëm në detyrën e tyre. Shpresa e qytetarëve të Republikës së Shqipërisë vazhdon të jetë ngritja ekonomike, mirëqenia, lufta kundër korrupsionit, nepotizmit dhe afrimi i vendi me Bashkimin Evropian.
Anketat e bëra parazgjedhore nuk tregojnë gjithherë besueshmëri, e kjo nga fakti i frizimit të të dhënave të cilat do të mund ta nxirrnin dikë më fitues. Mbi të gjitha, ajo që mund të vërehet nga rezultatet e këtyre anketave të bëra në Shqipëri nga IPR Marketing, AlbStat, Kult, Piepoli, Albeu e të tjera tregojnë se qytetarët interesin e tyre e kanë të kthyer nga ndryshimet të cilat medoemos i presin.
Shumica e këtyre anketave tregojnë se vullneti i elektoratit është që qeverinë e drejtuar për tetë vite nga kryeministri Sali Berisha ta dërgojnë në pushim, e kjo ndoshta për ta freskuar atë me alternativa tjera. Fushata parazgjedhore e krahut pretendues për ta marrë qeverinë në drejtim kishte filluar shumë më herët se sa data zyrtare e fushatës parazgjedhore, dhe kjo fushat e kryeoponentit të Sali Berishës, Edi Ramës ishte shumë më intensive, e para së gjithash duke përdorur një retorikë politike mjaft moderne.
Për dallim nga radhët tjera, Edi Rama në vitet e fundit punoi shumë për ta gdhendur një imazh ndryshe të të majtës në Shqipëri, të një stili Evropian, çoftë nga programi por, edhe ideologjikisht. Shtyllat kryesore të të majtës shqiptare janë ato për të cilat ka nevojë Republika e Shqipërisë. Premtimi për ngritje ekonomike, rilindja shoqërore, fuqizimi i demokracisë dhe synimi tjetër i shqiptarëve të majtë apo të djathtë, integrimi në Bashkimin Evropian janë motorët me të cilët e ka ndezur fushatën e tij, Edi Rama dhe Aleanca për Integrime Europiane. Dallimit i shtohet edhe ngritja e interesit të kryetarit të të majtës shqiptare për Shqiptarët në trojet tjera etnike jashtë Republikës së Shqipërisë. Vizitat e kohë-pas-kohëshme të Edi Ramës në Preshevë, IRJ të Maqedonisë, Ulqinë e Prishtinë, me një retorik jo megalomane ishin hapa që i mundësuan atij të tërheq më shumë vëmendjen e shqiptarëve të këtyre hapësirave, që ishte komplet e kthyer nga oponenti i tij, Sali Berisha.
Jo pa shkasë Instituti për Studime Ballkanike dhe të Lindjes së Mesme me qendër në Lubjanë, në një studim për zgjedhjet në Shqipëri, kryeministrin aktual, Sali Berisha e konsideron si fenomen dhe kontraverz, për të vazhduar se: “Për dallim nga Shqiptarët në Shqipëri, të cilët janë të lodhur nga Berisha dhe politika e tij, Shqiptarët në Kosovë dhe Maqedoni, kanë mendim pozitiv për te. Sikur ata të mund të votonin ai do të rrinte edhe për katër vite në krye të qeverisë. Berisha është i vetëdijshëm për këtë dhe për këtë u mundua ta ndërrojë ligjin për shtetësinë, sipas të cilit çdo Shqiptar etnik, pavarësisht ku është lindur dhe ku jeton të ketë të drejtë në shtetësinë shqiptare, e me këtë edhe të drejtën për të votuar.” Nga kjo por edhe veprimet tjera mund të kokludojmë se kryeministri aktual i Shqipërisë, Sali Berisha përveç që e dinte se ishte e pamundur dhënia e shtetësisë në formën si ai e proklamoi, synimi bazë ishin zgjedhjet.
Besojë që, fatkeqësisht, ky moment rreth shtetësisë ishte kryevepra e gabimit në raport me simpatinë që e kishin edhe shqiptarët në Kosovë, Ulqin, Preshevë, Shkup e vende tjera për “fenomenin dhe kontraverzen”, Sali Berisha.
Në anën tjetër subjektet politike të dala që të dyja, në një apo formë tjetër, nga garnitura drejtuese aktuale në Shqipëri, Fryma e Re Demokratike e ish-presidentit Bamir Topi dhe Aleanca Kuq e Zi e ish-zëvendës drejtorit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu janë rrjedhë e pakënaqësive të akumuluara me kohë. Bamir Topi dhe Fryma e Re Demokratike shpresat e tyre nuk duhet t’i kenë aq të mëdha në hisen e mundshme të fituar për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Ndërsa Aleanca nacionaliste Kuq e Zi e Kreshnik Spahiut nga fakti i rrethanave në të cilen ndodhen Shqiptarët me fqinjët ngucakeq dhe mundësin e përdoriesë së një retorike më të ashpër do të mund të marrë në përqindje solide të votave për kuvendarët e saj.
Për dilemën se si do të orientohet Shqipëria, pra në të majtë apo në të djathë, ilustrativisht fletë edhe gazeta konservatore Britanike, Daily Telegraph, e cila tradicionalisht përkrah të djathtën, por në këtë rast simpatitë janë drejtuar nga e majta. E mendojë që qasja ndaj të majtës apo të djathtës për Shqipërinë në situatën e tanishme duhet të jetë pragmatike e me shpresë për ndryshime.
copy(/home/titulli/public_html/images/image/t/uploads/2013/06/lideret-e-shqiperise.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!