Ndërron jetë Shaban Salihu, veprimtari përcillet për në banesën e fundit (Foto)
Në varrezat e qytetit në Bujanoc të dielën u varros veprimtari dhe aktivisti Shaban Salihu "“ Genga.Të shumtë ishin qytetarët që edhe në motin me shi përcollën për në banesën e fundit familjarin, mikun e bashkëqytetarin e tyre.
I ndjeri, Shaban Salihu, ishte i njohur si aktivist i palodhur i çështjes shqiptare në komunën e Bujanocit si punëtor shumëvjeçar i Administratës Komunale dhe në Bashkësinë Lokale të Tërnocit.
I lindur në Tërnoc ku përfundoi shkollën fillore, shkollën e mesme e kreu në Gjilan ndërsa Fakultetin Ekonomik në Prishtinë. Pas mbarimit të fakultetit punësohet si arsimtar i gjuhës serbe në shkollën fillore “Muharrem Kadriu” në Tërnoc, e më pas si përkthyes serbisht – shqip në Administratën Komunale të Bujanocit, ku punoi deri në pension.
Salihu, në këtë kohë të vështirë për shqiptarët, ku numri i punëtorëve shqiptarë në administratë lokale ka qenë vetëm simbolik, ka ndihmuar shqiptarët për çdo punë dhe hall që kanë pasur me pushtetin e atëhershëm lokal, raporton Titulli.
“Ai ka ndihmuar shqiptarët në komunë si askush tjetër” e kujtojnë qytetarët, e gjithashtu edhe ish studentët për plotësimin e dokumentacionit për bursa.
Ai ishte gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar popullatën shqiptare edhe jashtë punës së administratën lokale, dhe për një kohë gjatë viteve të shtatëdhjeta tanimë të shekullit të kaluar, ishte sekretar i Bashkësisë Lokale në Tërnoc.
Përveç këtyre aktiviteteve, Shaban Salihu, të cilët të gjithë e njihnin si “Shaban Genga”, në vitet e para të themelimit ka qenë edhe në kryesi të Klubit Futbollistik “Tërnoci”.
I urtë, i shoqërueshëm dhe i palëkundshëm në qëndrimet e tij, Shaban Salihu i përket gjeneratës së parë të tërnocasve që janë shkolluar në arsim të lartë dhe kontributi i tyre është i pashlyeshëm në shkollimin e gjeneratave të reja dhe avancimin e çështjes shqiptare në rajonin e Luginës së Preshevës.
Shaban Salihu ndërroi jetë të shtunën (29 nëntor) në mbrëmje në moshën 74 vjeçare, pasi kohëve të fundit sëmundja e kishte dobësuar së tepërmi. /Titulli.com/