Ndërron jetë Shaban Salihu, veprimtari përcillet për në banesën e fundit (Foto)
Lokale

Ndërron jetë Shaban Salihu, veprimtari përcillet për në banesën e fundit (Foto)

01.Dec.2014 10:04
0
Në varrezat e qytetit në Bujanoc të dielën u varros veprimtari dhe aktivisti Shaban Salihu "“ Genga.

Të shumtë ishin qytetarët që edhe në motin me shi përcollën për në banesën e fundit familjarin, mikun e bashkëqytetarin e tyre.

I ndjeri, Shaban Salihu, ishte i njohur si aktivist i palodhur i çështjes shqiptare në komunën e Bujanocit si punëtor shumëvjeçar i Administratës Komunale dhe në Bashkësinë Lokale të Tërnocit.

I lindur në Tërnoc ku përfundoi shkollën fillore, shkollën e mesme e kreu në Gjilan ndërsa Fakultetin Ekonomik në Prishtinë. Pas mbarimit të fakultetit punësohet si arsimtar i gjuhës serbe në shkollën fillore “Muharrem Kadriu” në Tërnoc, e më pas si përkthyes serbisht – shqip në Administratën Komunale të Bujanocit, ku punoi deri në pension.

Salihu, në këtë kohë të vështirë për shqiptarët, ku numri i punëtorëve shqiptarë në administratë lokale ka qenë vetëm simbolik, ka ndihmuar shqiptarët për çdo punë dhe hall që kanë pasur me pushtetin e atëhershëm lokal, raporton Titulli.

“Ai ka ndihmuar shqiptarët në komunë si askush tjetër” e kujtojnë qytetarët, e gjithashtu edhe ish studentët për plotësimin e dokumentacionit për bursa.

Ai ishte gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar popullatën shqiptare edhe jashtë punës së administratën lokale, dhe për një kohë gjatë viteve të shtatëdhjeta tanimë të shekullit të kaluar, ishte sekretar i Bashkësisë Lokale në Tërnoc.

Përveç këtyre aktiviteteve, Shaban Salihu, të cilët të gjithë e njihnin si “Shaban Genga”, në vitet e para të themelimit ka qenë edhe në kryesi të Klubit Futbollistik “Tërnoci”.

I urtë, i shoqërueshëm dhe i palëkundshëm në qëndrimet e tij, Shaban Salihu i përket gjeneratës së parë të tërnocasve që janë shkolluar në arsim të lartë dhe kontributi i tyre është i pashlyeshëm në shkollimin e gjeneratave të reja dhe avancimin e çështjes shqiptare në rajonin e Luginës së Preshevës.

Shaban Salihu ndërroi jetë të shtunën (29 nëntor) në mbrëmje në moshën 74 vjeçare, pasi kohëve të fundit sëmundja e kishte dobësuar së tepërmi. /Titulli.com/

Shqipëria nderoi akademikun medvegjas, Idriz Ajeti me dekoratën më të lartë
Me çka do të merret poltika nëse të rinjtë largohen nga Bujanoci?
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration