Vështrime
Mos ikni nga realiteti!
Mjerisht, u bënë shumë vite që shoqëria shqiptare nuk po mund të dalë nga zullumet që po sjellë pushteti politik dhe ai mediatik. Jemi ende larg momentit kur shoqëria shqiptare do të të forcojë zërin dhe të bashkojë të gjithë ata që duan shtetin funksional, me ligj dhe liri, ku e drejta e individit të jetë e drejtë parësore.
Shkruan: Fatlum Hetemi
Sot, po bëhet zhurmë mediatike dhe politike vetëm atëherë kur duhet të mbrohen të metat e udhëheqësve politik, ngase lidhja pushtet-medie ka arritur shkallën më të lartë, dhe mbrojtja e dyanshme e ngritur kinse në parimin e demokracisë, po shkakton zhvendosje të realitetit në shoqërinë shqiptare. Mediat shqiptare ndodhen në një pikë kritike me plot probleme. Nuk kanë qenë asnjëherë kaqë keq, janë bërë gardiani i së keqes dhe mbulues të realitetit politik, ekonomik e social. Vënia në funksion të pushtetarëve bëhet me qëllim që, të zhvendoset realiteti i mjerueshëm politik dhe në të njëjtën kohë ky realitet i krijuar nga udhëheqësit, po bëhet domeni kryesor në jetën e vështirë të qytetarëve,
Zhvendosja e opinionit në një kohë të caktuar, sidomos në ligjërata të mbajtura nga prijësit fetar, po bëhet për ta mbuluar realitetin e tanishëm, ku burgosjet e ish-ushtarëve të UÇK-së, kriza ekonomike, shitja e resurseve shtetërore dhe papunësia, i kanë dhënë një vulë të zezë udhëheqësve shqiptarë, dhe rruga drejtë integrimit në Evropë, po vështirësohet pikërisht po nga vetë këta udhëheqës. Asnjëherë nuk po analizohet se çfarë ka në realitet nga ajo që po ligjërojnë prijësit fetar, por po analizohet mënyra se si është thënë. Nuk po i jepet mundësi asnjëherë trajtimit të problemeve që po mbretërojnë në shoqërinë shqiptare, por po i jepet hapësirë individëve që po e ndiejnë vetën të ofenduar nga këto ligjërata; nuk po diskutohet realiteti, por diskursi; nuk po analizohet mundësia, por pamundësia; nuk po diskutohet liria e përgjithshme, por po diskutohet liria selektive. Dhe këtu del se shteti i përgjumur dhe i pandjeshëm në rrethanat e vështira politike që i shkakton po vetë, pikërisht në zhvendosjen e këtyre rrethanave, është i zgjuar dhe i ndjeshëm, normalisht edhe falë mediave dhe shërbëtorëve tjerë.
Të thirrur në emër të drejtësisë, ikja nga realiteti është vula e turpit, për të gjithë ne, kushdo qofshin, politikan e gazetar, prijës e qytetar, ngase të gjithë konsiderohemi si mbrojtës të së keqes, dhe këtu vetvetiu na kujton një thënie e Albart Ajnshtajn se: ”Bota nuk rrezikohet nga njerëzit e këqinjë, por nga ata që e lejojnë të keqen”. Dhe lind pyetja se a jemi ne që po e lejojmë të keqen? Në çfarëdo mënyre, rrethane apo kohe mbyllja e syve para realiteti është mbyllje e syve para së keqes, dhe dukuritë negative që kemi sot në shoqëri janë të krijuara nga vetë ne. Sot, realiteti fshihet pikërisht për mungesën e shtetit dhe të ligjit, sepse është shteti ai që sot shkel mbi të drejtat dhe liritë njerëzore; sepse është shteti që vetë bën ligje dhe po vetë përsëri i shkel; është shteti që kërkon të mbrohet mendimi i lirë dhe po vetë e cenon mendimin e lirë.
Ndërkohë, në gjithë këtë zhurmë politike dhe mediatike, luftimi i këtyre dukurive negative nuk bëhet duke ju shmangur realitetit, por bëhet duke u ballafaquar me problemin; nuk bëhet duke ia hedhë fajin dikujt tjetër, por bëhet duke e fajësuar vetveten.
Opinionet e autorëve janë perosonale dhe nuk paraqesin edhe opinionin e redaksisë së portalit të pavarur informativ Titulli.com
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!