Molliqaj: Ripërcaktimi i kufijve është zgjidhja për paqen e përhershme me Serbinë
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka deklaruar se ripërcaktimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë është zgjidhja për marrëveshjen përfundimtare.
Në prezantimin e manifestit të PSD-së, Molliqaj tha se në qendër të kësaj marrëveshjeje finale duhet të jetë barazia dhe vullneti i popujve dhe rrjedhimisht, sipas tij, edhe vetëvendosja e Kosovës për t’iu bashkangjitur Shqipërisë.
“Kosovës i duhet marrëveshja dhe i duhet gjithë rajonit. Në horizont janë tri mundësi, të vazhdohet status quo, e cili do të jetë regres. E dyta, arritja e marrëveshjes që ka Asociacionin brenda që nuk është funksionale dhe nënkupton vazhdim të konfliktit. E treta, është ripërcaktimi i kufijve dhe kjo nënkupton ndarje përfundimtare dhe njohje të ndërsjellë mes dy shteteve. Kjo nënkupton për vetëvendosje të Kosovës dhe bashkëngjitje me Shqipërinë… Ne besojmë në këtë të tretën se ripërcaktimi i kufijve është zgjidhja për paqen e përhershme. Është mundësia për një marrëveshje përfundimtare në qendër të së cilës do të ishte barazia dhe vullneti i popujve”, tha ai.
Molliqaj kritikoi Qeverinë Kurti për qasjen që po e përdor në procesin e dialogut me Serbinë.
“Qasja e qeverisë se re është shumë e vjetër. Diskursi i saj është të bëhemi gati për sulmin e ri, në vend të diskutonim për paqe, kemi diskurs për luftë dhe hakmarrje për Serbinë… Një qasje e tillë nuk sjell as bashkëpunim dhe as mirëqenie. Por ne nuk kemi pritur diçka nga kjo Qeveri. Bindjet tona janë se Kosovës dhe Serbisë i duhet paqe bazuar në barazi mes popujve”, tha ai.
Në shpalosjen e dokumentit themelor të partisë, Molliqaj tha se i njëjti paraqet mënyrën më të qartë të kritikës së PSD-së.
“Manifesti jonë nuk është thjesht dokument, por paraqet në mënyrën më të qartë kritikën tonë dhe është rruga e vetme përpara për PSD-në. Është mënyra jonë e të menduarit dhe botëkuptimet tona”, tha ai.
Mes tjerash zyrtarët e tjerë partiakë të PSD-së, thanë se do të angazhohen për tatim progresiv, forcim të rolit të punëtorëve dhe sindikatave./KP/
copy(/home/titulli/public_html/images/image/ardan-molliqaj.jpg): failed to open stream: No such file or directory