Vështrime
Molla e kuqe e ndarë në dysh!
“Molla e kuqe”, dikur ishte e plotë. Mirëpo, me kalimin e kohës, ajo u nda në dysh. Ndarja ndodhi, pikërisht kur krimbi filloi ta shkatërroj nga brenda dhe ta deformojë nga jashtë. Sot, molla e ndarë në dy pjesë, nuk i përngjanë asaj të dikurshme, as për së afërmi, as për së largu. Njëra pjesë e mollës shtyn tjetrën, duke bërë gara se cila është më e mirë se tjetra. “Ato” harrojnë se një botë, kur ishin “Një Mollë”, u helmuan nga krimbi, duke qenë së bashku. Edhe sot, pse janë të ndara, nuk do të thotë se njëra nga pjesët nuk është e helmuar!
Shkruan: Drilon Hyseni;
Pushteti: Në Luginën e Preshevës, lakmia për pushtet, ka bërë që lidershipi i saj, të ndahet në dysh, si shembulli i Mollës së Kuqe. Ndarja e spektrit politik në pozitë dhe opozitë, e ka sjellë Luginën, para sfidave të reja.
Krimbi i pushtetit, i ka infektuar subjektet politike, të cilat vrapojnë për pozita, duke lënë anash veprat me interes kombëtar dhe qytetar.
Pozita dhe opozita shqiptare, duke u shtyrë se cila prej tyre është më kombëtare, harrojnë se janë si dy pjesët e Mollës së Kuqe, të prekur nga krimbi. Dikur nuk ishte kështu.
As nga organizimi i Referendumit, gjatë vitit 1992, për bashkim me Kosovën, kur ishin bashkë, as gjatë frontit të luftës së UÇPMB-së, kur ishin NJË, as gjatë Marrëveshjes së Konçulit dhe marrëveshjeve të tjera shqiptare.
Ndarja e shqiptarëve të Luginës në pozitë dhe opozitë, ka bërë, që shpesh zëri i tyre, të mos jetë unik, qoftë në debate, qoftë në takime zyrtare, qoftë edhe në protesta, siç ishte kjo e fundit në Preshevë.
Nëse ndarjet, përçarjet partiake, vazhdojnë kështu, spektri politik do të hajë shumë molla të kalbëta.
Nëse klasa politike e Luginës së Preshevës, nuk është bashkë, si NJË grusht i vetëm, kjo nuk i bënë nder aspak çështjes së tyre politike, nuk i bënë nder bërthamës etnike, nuk i bënë nder Shqipërisë dhe Kosovës e gjithë shqiptarisë e as nuk i bënë nderë Mollës së Kuqe, nga e cila i kanë rrënjët.
Rrënjët
Por, rrënjët e Mollës së Kuqe, janë të thella. Ato, qëndrojnë të paprekura nga krimbi dhe pesticidet. Thellë nga toka, nxjerrin kokë, herë në Nish, herë në Leskoc e herë në Bujanoc.
Mund, pse jo, frytet e saj të krimben, të kalben, të vyshken dhe të rrudhen, por rrënjët e saj, prapë do të rilindin, filiza të rinj.
Lloji i “Mollës së Kuqe”, nuk zhduket kurrë.
Populli e ruan në kujtesë, mollën e kuqe gjatë gazmendeve dhe dasmave mbi bajrak, në arkat e nuseve, etj.
Kush e di mirë historinë e Mollës së Kuqe, nuk i humb shpresat, iluzionet se një ditë, ajo do të lulëzojë e të frutojë, sipas zakonit, ashtu kuqaloshe, larg nga krimbi dhe parazitë të tjerë.
E Molla e Kuqe, ka kuptim vetëm kur është NJË, e plotë si hëna si top, si dielli rrumbullak.
Vetëm kështu Molla e Kuqe, e ka shijen dhe aromën si dikur, e këndshme dhe e dëshiruar për të gjithë, ashtu siç e do populli, tradita dhe zakoni.
Shembulli
Shembulli i Mollës së Kuqe, duhet të jetë një mesazh i mirë për shqiptarët e Luginës së Preshevës, për të qenë bashkë dhe unik. Ata duhet t’i lënë anash hasmëritë, inatet, bajraktarizmat, lokalizmat dhe gjithë dukuritë e tjera negative të cilat qojnë ujë në mullirin e armikut.
Krimbi i ndërgjegjes politike për pushtet e autoritet, nuk duhet t’i bëjë shqiptarët pikë e pesë. Ka ardhur koha, që klasa politike në Luginë, të mendoj pak më ndryshe, të reformohet, të formatizohet dhe të bashkohet.
Uniteti i spektrit politik shqiptar në Luginë, është i domosdoshëm, urgjent dhe efikas. Tjetër alternative nuk ka….
Opinionet e autorëve janë perosonale dhe nuk paraqesin edhe opinionin e redaksisë së portalit të pavarur informativ Titulli.com
copy(/home/titulli/public_html/images/image/t/uploads/2013/05/molla-e-kuqe.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!