Vështrime
Me shqiptarët në Serbi
Marrëveshja e Brukselit, e arritur kohëve të fundit mes Prishtinës dhe Beogradit, inkurajon shqiptarët e Luginës së Preshevës, për më shumë të drejta individuale dhe kolektive. Nuk mund të ketë standarde të dyfishta për serbët në Kosovë, e shqiptarëve në Serbi, tu shkelen të drejtat elementare për punësim, shkollim e gjallërim, pa e cenuar identitetin e tyre kombëtar. Në këtë drejtim, Prishtinën e Tiranën, askush nuk do ta akuzoj për nacionalizëm, nëse nxitin fonde për zhvillimin dhe afirmimin e bashkëkombësve të tyre, të cilët jetojnë në trojet e tyre etnike: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Shkruan: Drilon Hyseni;
Aktualisht, marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë, në aspektin e dhënies së ndihmës, për rreth 100 mijë shqiptarë etnikë, që jetojnë në Serbi, janë të cunguara, dhe si duket nuk del dot as një dritë shprese, për mënjanimin e kësaj brenge shekullore, për shqiptarët e Luginës, të cilët kanë si motiv jete, dy shtetet shqiptare!
Në Republikën e Serbisë, jetojnë përafërsisht 100 mijë shqiptarë, po aq sa kishte dikur vetëm në Beograd, të cilët vazhdojnë ta njohin dhe t’i respektojnë ligjet dhe nenet e Kushtetutës së Serbisë. Ndonëse e kaluara, ka përjetuar ngjarje të mbartura me konflikte, shqiptaro-serbe, shqiptarët e Serbisë prapë vazhdojnë të jetojnë në trevat e tyre shekullore. Jo, pse s’kanë nga t’ia mbajnë, porse këtu e kanë vendin e lindjes, pronën private, trashëgiminë kulture, varret e të parëve, etj.
Ata edhe sot nuk kanë qejf kur i quajnë herë shqiptarë të Luginës së Preshevës, e herë shqiptarë të jugut të Serbisë. Ata janë shqiptarë të Kosovës Lindore, ngase historikisht dhe territorialisht, shtrihen në lindje të Kosovës, në vazhdimësi me Anamoravën dhe asnjëherë nuk kanë hequr dorë për të qenë bashkë me vëllezërit kosovarë, qoftë me Referendum, qoftë me luftën e UÇPMB-së, Marrëveshjen e Konçulit dhe me Platformën politike të këshilltarëve shqiptarë të tre kuvendeve komunale, për një rajon të posaçëm autonom me të drejtë bashkimi Kosovës.
Sa kanë rrezikuar shqiptarët e Kosovës Lindore, për ndërtimin e shtetit të Kosovës, qoftë me ndihma humanitare, qoftë në luftë, ata, lëre që nuk janë shpërblyer, por akoma vazhdojnë të gjobiten me taksa në rrugë, me ryshfete në shkollim, punësim, shëndetësi, etj, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.
Faleminderit Shqipëri! Faleminderit Kosovë!
Shekulli 21, 20 Euro për 1 javë!
Taksat që paguajnë shqiptarët e Luginës, për të kaluar kufirin me Kosovën janë akoma në funksion. Ky problem mund të zgjidhet me një frymë! Nuk kemi nevojë për marrëveshje, në kuadër të lëvizjes së lirë dhe normalizimit të marrëdhënieve, nga ana e një Ashtoni, kur këto probleme mund të zgjidhen lehtësisht nga ana e dy kryeministrave, me shumë pak punë dhe vullnet.
Tek e fundit, Ashtoni, edhe po erdhi dhe e kaloi kufirin personalisht, ajo nuk paguan taksë. Taksat prapë po i paguajnë qytetarët shqiptar të Serbisë, të cilët fatkeqësisht, i lidhin shumë punë me Kosovën.
Përveç disa deklaratave të disa zyrtarëve, me gojën plot e vepra hiq, në këtë aspekt nuk është bërë asgjë. Pos ndryshimit të shumës nga 40 në 20 euro në javë, e cila prapë mbetet një shumë e pa përballuar për popullatën e kësaj pjese. Shqiptarët, që jetojnë në Serbi, janë shqiptarë! Për ta duhet të kujdeset shteti shqiptar, i cili e ka edhe në kushtetutë një nen dhe një ligj, i cili si duket se është pluhurosur keq. Ka ardhur koha e praktikës, mjaftë më retorikë dhe demagogji! Serbia do të ecë përpara, drejt integrimeve evropiane, me marrëveshjen e arritur me Kosovën, kurse gjendja e shqiptarëve në këtë shtet, dita ditës po shkon drejt izolimit, degradimit dhe shkatërrimit, si popull dhe si etni.
Çfarë bënë Shqipëria për shqiptarët në Serbi?! Ka një ambasadë të akredituar në Beograd, dhe asgjë më tepër. Ka mundësuar një kuotë të veçantë për regjistrimin e studentëve nga Lugina, gjë që s’është për t’u lavdëruar, ngase nuk ka ndarë as bursa, e as strehim për studentët shqiptarë të këtij rajoni.
Shqipëria duhet t’i bëjë presion Kosovës, dhe t’i thotë mjaft me haraçin e taksave rrugore për qytetarët shqiptarë të Republikës së Serbisë, të cilët janë shqiptarë me ligj, me fe, dhe me kanun.
Popullata serbe, në Kosovë, është financuar me miliarda euro nga Serbia, në këtë dhjetë vjeçar të fundit. Shqiptarët e Serbisë, lëre që nuk janë financuar fare, mbase as nuk janë vizituar nga institucionet e Shqipërisë e Kosovës. Ata vazhdojnë akoma të paguajnë haraçin e 20 eurove për javë, për t’i vizituar vëllezërit e motrat e tyre në Kosovë.
Kur Qeveria e Kosovës, në pikën kufitare veriore me Serbinë, i transporton policët dhe doganierët e saj akoma me helikopterë, si mendon se e zgjidh problemin e reciprocitetit, duke bërë që shqiptarët e Luginës të paguajnë 20 euro, për të hyrë në Kosovë, me të hollat e të cilëve, paguhen shpenzimet e helikopterëve të doganierëve, në anën e kundër të Republikës. Kjo është skandaloze!
Pavarësisht faktit, se këto iniciativa qytetareske, do të shkojnë në vesh të shurdhur, ne nuk do të ndalemi kurrë së ecuri, për të funksionuar si një komb, e drejtë kjo historike e politike, e cila na ndjek brez pas brezi.
Po e përmbyllim këtë opinion me konstatimin e përfolur shpesh: Kur nëna nuk kujdeset për fëmijën e vet, atëherë ç’ka pritet nga njerka..?!.
E ne, shqiptarët e Serbisë, s’kishim pasur as nënë e as njerkë..
Mjafton, të paktën të na i hiqni taksën e 20 eurove!
Opinionet e autorëve janë perosonale dhe nuk paraqesin edhe opinionin e redaksisë së portalit të pavarur informativ Titulli.com
copy(/home/titulli/public_html/images/image/t/uploads/2012/12/Drilon-Hyseni.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!