Ministri i jashtëm shqiptar, Hasani takon delegacionin nga komuna e Preshevës
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani ka pritur një delegacion nga komuna e Preshevës, Ardita Siani, Ragmi Mustafa me bashkëpuntorë.
Postimi i kryetares së komunës së Preshevës, Ardita Sinani:
Hapja e kapitujve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian – një hap më afër shqiptarëve me Evropën
Sot patëm kënaqësinë të mirëpritemi nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Igli Hasani.
Ky takim i rëndësishëm u fokusua në hapjen e kapitujve të ri për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, një arritje që ka rëndësi të madhe për të gjithë shqiptarët, kudo që janë.
Shpreha mirënjohjen dhe falënderimet tona të sinqerta për angazhimin dhe përkushtimin e ministrit për çështjet e Komunës së Preshevës në veçanti dhe Luginës së Preshevës në përgjithësi.
Diskutuam për disa nga sfidat kritike që përballen shqiptarët në këtë rajon, përfshirë:
- Pasivizimin e adresave,
- Mosnjohjen e diplomave nga Republika e Kosovës,
- Çështjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Ministri na siguroi për mbështetjen e tij të vazhdueshme në realizimin e projekteve të rëndësishme për zhvillimin e kulturës dhe ekonomisë lokale, si:
- Panairi i Librit Shqip në Komunën e Preshevës,
- Murale artistike për zbukurimin e qytetit,
- Subvencionimi i startapeve për të rinjtë,
- Ndërtimi i shkollës fillore “Selami Hallaçi” në Rahovicë.
Ne ndamë një vizion të përbashkët për fuqizimin e identitetit kulturor dhe zhvillimin ekonomik të rajonit, duke u angazhuar për projekte që do të sjellin përfitime të qëndrueshme dhe të ndjeshme për qytetarët tanë.
Faleminderit shtetit shqiptar për mbështetjen e tij të vazhdueshme në këto përpjekje të rëndësishme.