Lugina e Preshevës kërkon përfshirje në marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa, ka kërkuar përfshirjen e çështjes së Luginës së Preshevës në marrëveshjen përmbyllëse mes Kosovës dhe Serbisë.
Duke folur në Nënkomisionin e të Drejtave të Pakicave të Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës, Mustafa ka thënë se ndaj komunitetit shqiptar në Serbi bëhen shumë shkelje të të drejtave. Ai ka theksuar se Serbia nuk po i përmbahet tri marrëveshjeve që kishte nënshkruar me përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës.
“Më lejoni të theksoj se të gjitha të dhënat empirike dhe statistikore dëshmojnë se nuk ka pasur përmirësime të dukshme në dy fushat kryesore nga marrëveshjet për paqe në mes të liderëve politik të shqiptarëve dhe shtetit serb: integrimin gjithëpërfshirës i shqiptarëve (të drejtat e tyre kolektive) dhe zhvillimin socio-ekonomik. Qeveria e Republikës së Serbisë nuk po i jetëson tri marrëveshjet që i ka firmosur me përfaqësuesit politik të Luginës së Preshevës më vitet 2001, 2009 dhe 2013 me prani ndërkombëtare, ne shpresojmë që procesi i integrimeve evropiane do ta nxisë Serbinë që t’i plotësojë të gjitha standardet evropiane sa i përket të drejtave individuale dhe kolektive”, ka thënë ai.
Me këtë rast ai ka shprehur bindjen se çështja e Luginës duhet të jetë temë në tavolinën e negociatave mes Serbisë e Kosovës, duke “pasur parasysh se një mori problemesh të shqiptarëve të Luginës së Preshevës janë pjesë përbërëse e kontekstit Kosovë-Serbi”. Ka shtuar se përfshirja e Luginës së Preshevës në marrëveshjen përmbyllëse garanton paqe të qëndrueshme mes vendeve e popujve në rajon.
“Por, duke qenë në fakt komuniteti shqiptar i përjashtuar nga dialogu me Qeverinë e Serbisë nga viti 2013; dhe duke pasur parasysh se një mori problemesh të shqiptarëve të Luginës së Preshevës janë pjesë përbërëse e kontekstit Kosovë-Serbi, ne jemi thellësisht të bindur se çështja e Luginës së Preshevës duhet të jetë temë e trajtuar në tavolinën e negociatave për marrëveshjen e mundshme përmbyllëse midis Prishtinës dhe Beogradit. Përfshirja e çështjes së Luginës së Preshevës në marrëveshjen përmbyllëse është garancë për paqe të qëndrueshme dhe për paqe në mes popujve e midis popujve në rajon”, ka thënë Mustafa.
copy(/home/titulli/public_html/images/image/ujanoc-kuvendi-seanca-.jpg): failed to open stream: No such file or directory