Lugina e Preshevës kërkon nga Qeveria e Kosovës pako financiare dhe përfshirje në dialogun me Serbinë
Shqiptarët e Luginës së Preshevës nga njëra anë kanë mbetur të diskriminuar nga Serbia dhe nga ana tjetër po ndjehen të pa përkrahur nga Kosova dhe Shqipëria, edhe pse viteve të fundit ka disa iniciativa nga dy shtete shqiptare për të ndihmuar bashkëkombësit në Luginë.
Për Albanina Post deputeti shqiptar nga Lugina e Preshevës në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se pret që Qeveria e re e Kosovës të krijoj një buxhet të veçantë për Luginën në mënyrë që të mbulohen nevojat e shqiptarëve.
“Kosovës të ndërtoj një program të veçantë për Luginën e Preshevës, një program të mbështetur edhe me një buxhet konkret në mënyrë që të mbulohen nevojat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës”, ka deklaruar ai.
Deputeti Kamberi është shprehur gjithashtu se ka pasur ndihma të kohë pas kohe nga Kosova, mirëpo ato kanë qenë të aty për atyshme.“Deri tash ka pas disa ndihma, disa projekte që janë financuar, por ishin ndihma at-hock, të rastit që sipas nevojës qoftë pandemisë apo për shkak të vërshimeve që ka pas Komuna e Bujanovcit është dhënë një ndihmë”, deklaroi.
“Ajo që kërkojmë ne është që të krijohet një program ne kuadër të buxhetit të Republikës së Kosovës, një program shtetëror i cili do të ketë edhe një plan akcional të realizimit të tij, natyrisht me të zgjedhurit shqiptar të Luginës së Preshevës” është shprehur ai.
Ndërsa Ragmi Mustafa, Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar për Albanian Post ka thënë se është lajm i mirë që në Kosovë janë konsoliduar institucionet e reja dhe tani ka një stabilitet politik dhe nga Qeveria Kurti pret një përkujdesje institucionale ndaj rajonit të Luginës së Preshevës.
“Këshilli Kombëtar Shqiptar si institucioni më i lartë përfaqësues i shqiptarëve në Luginë, pret nga Qeveria Kurti përkujdesje institucionale ndaj këtij rajoni dhe qasje më proaktive sistematike në adresimin dhe zgjidhjen e vështirësive, sfidave me të cilat ballafaqohen në vazhdimësi, në veçanti me abuzimin me të drejtave individuale dhe kolektive ndaj shqiptarëve etnik në Serbi” është shprehur ai.
Kryetari Mustafa tutje ka thënë se Kosova nuk duhet t’i trajtojë shqiptarët e Luginës si të huaj, por të zhvillojmë një strategji të përbashkët në avancimin e çështjes shqiptare në Luginë.
“Kosova nuk guxon shqiptarët e Luginës t’i trajtoj si të huaj, sepse janë të lidhur ngushtë në aspektin kulturor, gjuhësor dhe historik me Republikën e Kosovës”.
“Duhet të sigurojmë ndërlidhjen institucionale dhe juridike, përmes krijimit të strategjive të përbashkët afat-mesme në ushtrimin e bashkërenduar të aktiviteteve në funksion të avancimit të çështjes së shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në të gjitha fushat. Qoftë në arsim, kulturë, të drejtat e njeriut, zhvillim ekonomik e jo vetëm” ka thënë ai.
Këshillit Kombëtar Shqiptar nga Lugina, përkatësisht Kryetari Mustafa konsideron se viteve të fundit është e dukshme që ka një qasje më konkrete sa i përket Luginës së Preshevës.
“Në 3 vitet e fundit ka filluar një qasje më ndryshe e politikës në Kosovë si dhe asaj në Shqipëri karshi Luginës së Preshevës, e cila u theksua edhe gjatë takimit të dy qeverive në tetor të viti të kaluar, gjatë të cilit u vendos për krijimin e ‘Fondit e përbashkët ndërshtetëror për Luginën e Preshevës’. Andaj presim strategjinë me të cilën pritet t’i qaset kryeministri Kurti çështjes së Luginës së Preshevës si dhe qëndrimet që ai do ketë rreth Fondit, zyrës për asistencë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës në kuadër të kryeministrit, e miratuar nga qeveria pararendëse”.
Pritjet e shqiptarëve të Luginës janë që të përfshihen në dialogun Kosovë-Serbi, sepse kjo është një domosdoshmëri për ta është shprehur Mustafa.
“Është e pakuptueshme të diskutohet për çështjet e rregullimit juridik të Kosovës dhe në anën tjetër të mos diskutohet për çështjet e Serbisë, përkatësisht të shqiptarëve të Luginës. Prandaj do vazhdojmë të kërkojmë që Lugina e Preshevës të bëhet fakt në tavolinën e bisedimeve në Bruksel”.
Vitin e kaluar, Qeveria e Kosovës kishte ndarë 500 mijë euro për të përballur gjendjen e krijuar nga pandemia COVID-19.
“Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për mbështetjen financiare për Komunën e Preshevës, Komunën e Bujanovcit dhe Komunën e Medvegjës në vlerën prej 500,000.00 € (pesëqind mijë euro) që do të përdoren për përballimin e gjendjes së krijuar nga pandemia.”, thuhej në njoftimin e qeverisë.
Ndërsa dje Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka pritur në takim kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa.
“Në takim u potencua se duhet forcuar bashkëpunimin dhe duhet rritur tempon e komunikimit, por gjithashtu ministri Sveçla u zotua se MPB do të jetë në funksion të qytetarëve të Luginës që jetojnë në Kosovë.
”Ministri Sveçla e falënderoi kryetarin z. Mustafa për urimet dhe ritheksoi përkushtimin e tij për forcimin e bashkëpunimit në të ardhmen, me qëllim të adresimit të nevojave të shqiptarëve atje, sidomos për një pjesë të qytetarëve të kësaj ane që jetojnë në Kosovë” thuhet në njoftimin e MPB-së.
copy(/home/titulli/public_html/images/image/75F066B-61AD-4887-9612-37B96B7A9EFB.jpeg): failed to open stream: No such file or directory