Luginë: Fillon regjistrimi i nxënësve në shkollë të mesme (foto)
Në Luginë, rrethi i parë i regjistrimit të nxënësve në shkollë të mesme ka nisur sot, ndërsa këtij regjistrimi i janë përgjigjur një numër i konsiderueshëm i kandidatëve.
Regjistrimi i nxënësve i filluar të hënë është bërë nëpër drejtime të ndryshme, në bazë të listës së formuar nga Ministria e Arsimit e Serbisë e cila bazohet në rezultatet e nxënësve që kanë treguar në testin e maturës së vogël.
Si në Preshevë njashtu edhe në Bujanoc, regjistrimi ka vijuar pa ngecje. Nga ora tetë deri në mesditë, sipas profesorëve që kanë qenë të caktuar në komisione, rreth 90 për qind e nxënësve kanë dorëzuar dokumentacion për regjistrim në vitin e ri shkollor 2014/2015, që do të fillojë në shtator.
Në shkollën e mesme “Sezai Surroi”, në pesë drejtime katër vjeçare si dhe një me tre vite, janë paraparë të regjistrohen 313 nxënës.
120 nxënës në gjimnaz, 60 në makineri, 60 në drejtimin e elektrosë, 30 në mjekësi sa ka të paraparë edhe në ekonomi, si dhe 13 nxënës në drejtimin trevjeçar për axhustatorë, automekanikë dhe instalues.
Pranimi i dokumentacionit do të vazhdojë edhe ditën e martë me fillim nga ora 9:00, andaj nxënësit që nuk kanë kryer regjistrimin luten që atë ta bëjnë me kohë duke u paraqitë me dokumente në korridorin e kësaj shkolle të mesme, e vetmja në gjuhën shqipe në komunë të Bujanocit./Titulli.com/