LR-PDSH: Kuvendi i këshilltarëve shqiptarë të Luginës jo me kërkesa deklarative...
Lokale

LR-PDSH: Kuvendi i këshilltarëve shqiptarë të Luginës jo me kërkesa deklarative...

08.Jul.2018 12:11
0
Sami Salihu, kryetar i kuvendit komunal të komunës së Preshevës dhe kryetar i Lëvizjes për Reforma PDSH përmes një shkrimi ka është shprehur lidhur me iniciativat e fundit politike për mbledhjen e tre kuvendeve shqiptare në Luginë tyë Preshevës.

Një udhëtim i shkurtër në të shkuarën dhe të ardhmen.

Një ditë më parë u thirrëm në një takim me iniciativë të PDSH-së për të diskutuar rreth zhvillimit të një kuvendi me këshilltarët nga 3 komunat e Luginës së Preshevës.

Personalisht, por edhe në përfaqësim të LR-PDSH-së, përmes një letre të hapur kam shprehur pikëpamjet dhe rezervat e mia në lidhje me pritshmëritë dhe mjetet e mënyrat për ti realizuar këto pritshmëri.

Nuk është hera e parë që inicohet një takim i tillë, as nuk është risi mënyra e zgjedhur për të diskutuar problemet më shqetësuese në Luginën e Preshevës.

Jemi dëshmitarë të sa e sa përpjekjeve të çdo lloji e forme, që prej dekadash vetëm sa ngjyrosin politikisht letrat në të cilat shprehen kërkesat e kahershme për ta bërë Luginën një vend ku shqiptarët të jetojnë në trojet e tyre si të barabartë për sa i përket integrimit dhe përfaqësimit, si dhe çdo qytetar tjetër i serbisë.

Prej vitesh përpjekje, organizime, tubime, manifestime, të çdo forme të mundshme demokratike, madje edhe luftë me çdo mjet…sa e sa të tilla numërojmë, pa mundur të bëjmë realitet asnjë nga aspiratat e këtij populli. Me të drejtë cdokush mund të jetë skeptik dhe mosbesues nga cilado kahje që të nisin këto lloj iniciativash…. Mosbesues dhe indiferenet për pasojë, fatkeqësisht!

Së pari, duke qenë si një nga ata që i ka provuar të gjitha çka me sipër, më lind e drejta edhe të nxjerr konkluzione e të bëjë analiza të cilat koha i ka vërtetuar si të sakta. Për sa kohë veprimet tona do të limitohen vetëm në kuadër të shfaqjeve patriotike, sporadike apo edhe te mirëllogaritura për përfitime momentale të pushtetit, për përkrahje politike apo interesa të ngushta të grupimeve apo klaneve të caktuara për pozitë brenda strukturave përkatëse partiake apo edhe për përfitime elektorale, asgjë, e theksoj, asgjë nuk do të mund të arrijmë për shqiptarët dhe Luginën e Preshevës.

Nuk dua aspak të shpërndaj nota pesimizmi por përkundrazi, dua t'ju bëj thirrje te gjithëve, për të kuptuar një herë e mirë se pa koordinim të përpjekjeve brenda dhe jashtë Luginës së Preshevës, të të gjithë faktorit shqiptar dhe atij ndëkombëtar, cdo gjë do të mbetet vetëm në letër.

Kemi shembullin e Kosovës, e cila është ne fazën përmbyllëse të bisedimeve me palën serbe. Kam theksuar se do të duhej te ishim edhe ne shqiptarët e Preshevës si banorë të Kosovës lindore, palë e atyre bisedimeve që përpejkjet tona të finalizoheshin dhe të ishin të mbështetura e të garantuara.

Por nuk është asnjeherë vonë për ta ngritur zërin aty ku duhet dhe ashtu si duhet për të senzibilizuar të gjithë aktorët e mundshëm që mund ti japin zgjidhje çështjes së shqiptarëve në Luginë.

Jetojmë në një botë të lirë dhe aspirojmë për demokraci, ndaj edhe synojmë me mjete demokratike të arrijmë të plotësojmë kërkesat legjitime dhe të garantuara ndërkombëtarisht si për cdo qytetar tjetër të kësaj bote. Ekuilibrat në rajon, situatat aktuale në ballkan dhe më gjerë, janë ato që diktojnë formën e dialogut politik si më të mirën për të ngritur, diskutuar dhe nxjerrë në shesh problematikat komplekse me të cilat përballet Lugina e Preshevës.

Është koha për tu përballur së pari me mungesën e unitetit të mendimit dhe veprimit brenda faktorit politik në vend. Duke qartësuar dhe unifikuar qëndrimin dhe kërkesat e çdo grupimi politik pa harxhuar energji se e kujt është merita, dhe pa u akuzuar në mënyrë të ndërsjelltë, vetëm kështu bëhet e mundur tërheqja në dialog e faktorit ndërkombëtar dhe e gjithë faktorit shqiptar jashtë Luginës së Preshevës.

Duke qenë i hapur për çdo lloj bashkëpunimi në realizim të këtij objektivi, pres dhe mbështes takimet e radhës apo kuvendet e radhës të mos dalin me kërkesa deklarative të përsëritura që bien në vesh të shurdhët, por me një platformë të mirëfilltë veprimi dhe strategjie.
Do të përpiqem që nga ky tubim, të dilet me një rezolutë për Beogradin, Tiranen, Prishtinën dhe Brukselin, për fillimin e një dialogu gjithpërfshirës për zgjidhje të pakontestueshme dhe të pranueshme të çështjes shqiptare në Luginën e Preshevës, duke e konsideruar zgjidhjen e saj ashtu si edhe është në të vërtetë: Faktor stabiliteti në rajon.

Sami Salihu- Lëvizja për Reforma PDSH- Preshevë

Botohet libri me poezi për fëmijë "Ëndrra që më dha gëzim"
Përfundon turniri humanitar i organizuar nga BIPMB në Bujanoc
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration