LPD reagon për grantet e Kosovës: Albin Kurti ta shqyrtojë këtë vendim
Kryetari i Lëvizjes së Progresit Demokratik, Shqiprim Musliu ka reaguar ndaj vendimit të Këshillit Kombëtar Shqiptar për ndarjen e granteve të Kosovës.
Postimi i plotë në Facebook nga Shqiprim Musliu:
Përpjekja e shqiptarëve të Kosovës Lindore për shtetndërtimin e Kosovës është e kahmotshme e ndër shekuj. Burgimet, internimet, vrasjet e qindra e dhjetëra njerëzve tanë për Kosovën Republikë janë të shumëta e sidomos dekadave të fundit me referendumin e ‘92-së, bashkëveprimtarinë në ilegalitet e kauzën e përbashkët të luftës çlirimtare me UÇK-në e më pas me UÇPMB-në që si qëllim sublim ishte bashkangjitja me Kosovën.
Pas krijimit të realiteteve të reja politike, qasja e Kosovës ndaj shqiptarëve të trevës sonë ka qenë pragmatike, por asnjëherë dhe në asnjë rrethanë nuk është keqpërdor emri dhe pushteti i Qeverisë së Kosovës për interesa parciale.
Shpërndarja e djeshme e fondeve nëpërmjet Këshillit Kombëtar është e papranueshme edhe si qytetarë i këtij vendi por edhe si funksionar i Komunës së Bujanocit.
Jam plotësisht dakord që shoqëria civile e segmentet tjera si shtylla të KKSh-së të mbështeten, por publikimi i djeshëm është i tmerrshëm, sepse fokusi i mjeteve ka qenë forcimi i shtyllave bazë të KKSh-së pozitës së shqiptarëve në përgjithësi.
I bëj thirrje Kryeministrit të Kosovës që nëse vërtetë i dëshiron shqiptarët e Kosovës Lindore më mirë e më të fortë, ta shqyrtojë këtë vendim sepse në të kundërtën po e dëshmon qasjen e tij vetëm ndaj një subjekti politik dhe disa nga aktivistët e tij.