Lamtumirë mediume pushtetare!
Qeveria e Serbisë me miratimin e Ligjit për media, ua ka mbyllur dyert komunave të jenë themelues të Ndërmarrjeve Publike, si subjekte juridike, të cilat kryenin veprimtari informative me interes të veçantë për shoqëri.Me pakon e këtyre ligjeve të miratuara nga Qeveria e të cilat do t’i miratoj edhe Parlamenti i Serbisë, mediumet që kanë për themelues pushtetet lokale duhet të privatizohen më së largu deri në qershor të vitit të ardhshëm.
Këto ligje ndonëse kanë ngritur shqetësimin e punëtorëve në ndërmarrjeve publike për statusin e tyre në të ardhmen, ato kanë gjetur mbështetjen e institucioneve më të larta në Serbi, asociacioneve të gazetarëve dhe OEBS-it e Këshillit të Evropës.
Këto ligje, të cilat vlerësohen se janë në përputhshmëri me Strategjinë e medieve, përkatësisht privatizimin e tyre, mënyrën e financimit dhe transparencën në pronësinë e tyre.
Drejtuesit e pushteteve lokale në Bujanoc dhe Preshevë, jo më larg se një vit, do t’i humbin privilegjet ndaj mediumeve, të cilat i kanë pasur nën kontroll të rreptë, jo rrallë duke i përdorur ato si zëdhënëse të interesave të tyre partiake. Ata do të ngelin pa “tellallët” e tyre, të cilët i përcillnin nga mëngjesi deri në mbrëmje, madje edhe nëpër gazmende familjare.
Duke i pasur nën sqetull mediumet pushtetare, të cilat financoheshin nga buxheti komunal deri në 35 milion dinarë në vit (diku rreth 350 mijë euro), mediumet e tjera të varura e të pavarura, shpesh viheshin në pozita injoruese madje edhe poshtëruese.
Qindra punëtorë të mediumeve lokale, do të jenë “si guri i mullirit” në qafën e pushtetarëve, të cilët që tashti duhet t vrasin mendjen se si t’i sistemojnë ata nëpër ndërmarrjet e tjera, të cilat edhe ashtu po vuajnë nga prania e tepërt e punëtorëve.
Shoqëria Civili, në Bujanoc, mbështet çdo proces i cili do të kontribuoj në mbrojtjen e interesit të qytetarëve në sferën e informimit publik.
Shqiptarët në Serbi, nuk kanë çasje në Televizionin nacional, i cili do t’i plotësonte nevojat e qytetarëve për informim në gjuhë amtare. Ata të paktën nuk i kanë as ata 10 minuta program në shqip që kishin dikur në komunizëm, ndërsa Radio Televizioni i Kosovës, ndanë programe të posaçme për qytetarët serbë.
Në qoftë se Radio Televizioni i Serbisë dhe ai i Vojvodinës, do ta rregullojnë statusin e tyre në të ardhmen përmes buxhetit republikan, apo financimit me parapagim deri 500 din për ekonomitë shtëpiake, atëherë e njëjta do të vlej edhe për një Radio Televizion Shqiptar, të pavarur në Luginë të Preshevës, me një financim të qëndrueshëm dhe vetëm në këtë mënyrë do të përmbushej e drejta e informimit të shqiptarëve në gjuhën e tyre amtare.
Në bazë të Platformës politike të miratuar nga këshilltarët shqiptarë, në janar të vitit 2006, në Preshevë, “të gjithë qytetarët e rajonit të PMB-së, kanë të drejtë dhe obligim të informohen në gjuhën amtare si dhe të themelojnë mjetet e informimit - gazetat, radiot, televizionet”.
Shoqëria Civile "Perspektiva"Bujanoc