Kush ishte Bujar Nishani, ish-president i Shqipërisë? Vizita e tij historike në Bujanoc dhe Preshevë (video)
Sot ka vdekur, ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani. Ai njihej për një karrierë të suksesshmë në politikë, ku në vitin 2012 ai u zgjodh president i Shqipërisë.
Ish-presidenti Nishani kishte mbajtur edhe pozita të rëndësishmë si: ministër i Drejtësisë, ministër i Brendshëm e deputet në Kuvendin e Shipërisë, shkruan Zeri.
Më poshtë keni biografinë e plotë të tij, e publikuar në uebfaqen e Presidencës së Shqipërisë:
Bujar Nishani ka kryer studimet pasuniversitare në Kaliforni, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për “Menaxhimin e Resurseve të Mbrojtjes”, në vitin 1996. Studioi për Jurispudencë në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua si jurist në vitin 2004. Në vitin 2005 merr titullin “Master”, në Studimet Evropiane, në Shkollën e Studimeve Evropiane, pranë Universitetit të Tiranës.
Ndërkaq, karrierën profesionale e nisi si pedagog në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në vitin 1988. Më pas, në vitin 1993 punoi në Drejtorinë për Marrëdhëniet me Jashtë në Ministrinë e Mbrojtjes, duke vazhduar në vitin 1994 në Ministrinë e Jashtme në Drejtorinë e Marrëdhënieve me NATO-n. Nishani rikthehet në vitin 1996 në Kabinetin e Ministrit të Mbrojtjes. Në vitin 1997 kthehet në profesion të lirë si Kryetar i Forumit të Ushtarakëve Euro-Atlantikë.
Karriera politike e tij ka kaluar nëpër këto etapa: “Në vitin 1991 u anëtarësua në Partinë Demokratike, në vitin 2001 u zgjodh Sekretar i Degës së Partisë Demokratike për Tiranën, në vitin 2003 u zgjodh anëtar i Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë nga lista e Partisë Demokratike, në vitin 2005 u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe më pas anëtar i Kryesisë Qendrore të kësaj partie”.
Në korrik të vitit 2005, i ndjeri ish-presidenti Nishani u zgjodh deputet në zonën elektorale 34, në Tiranë si përfaqësues i Partisë Demokratike.
Nga marsi 2007 – shtator 2009 mbajti portofolin e Ministrit të Brendshëm, nga shtatori 2009 – prill 2011 kreu detyrën e Ministrit të Drejtësisë, për t’u rikthyer përsëri në prill të vitit 2011 si Ministër i Brendshëm, detyrë të cilën e mbajti deri në qershor të vitit 2012, kohë në të cilën Kuvendi i Shqipërisë e zgjodhi në detyrën e Kreut të Shtetit.
Më 24 korrik 2012, Bujar Nishani ishte betuar në Kuvendin e Shqipërisë si President i Republikës, për ta përfunduar mandatin e tij më 24 korrik të vitit 2017.
Ish-presidenti Nishani fliste rrjedhshëm gjuhën angleze.
Bujar Nishani ishte i martuar me Zonjën Odeta Nishani dhe kanë dy fëmijë, Ersi dhe Fiona Nishani. /Zëri
copy(/home/titulli/public_html/images/image/ishani-al.jpg): failed to open stream: No such file or directory