Kurti kujton demonstratat e ‘81-shit i pranishëm edhe Nagip Arifi
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se demonstratat e vitit 1981 ishin pikënisje për të drejtat e shqiptarëve që kërkonin status të Republikës për Kosovën.
“Sot më 11 mars shënojmë 40-vjetorin e demonstratave të fuqishme studentore, të cilat u bënë edhe gjithë popullore në ballë të së cilave, përveç studentëve, ishin edhe punëtorët. Asokohe, studentët u organizuan nga mensa, konviktet, universiteti për të drejtat e shqiptarëve për Kushtetutën dhe Kosovën në mënyrë që edhe ajo të jetë e barabartë përmes statusit të Republikës. Demonstratat e vitit 1981, sikurse edhe çdo grup tjetër të demonstratave në historinë e shqiptarëve ndodhet ndërmjet demonstratave të vitit 1968 për universitet dhe demonstratave të vitit 1988-1989, kundër suprimimit të autonomisë. Por e veçanta e demonstratave të vitit 1981 është se studentët ishin të organizuar dhe vetëdijesuar si asnjëherë më parë dhe në këtë mënyrë në emër të Kosovës kërkonin jo thjesht liri, por edhe barazi kushtetuese me popujt dhe Republikat tjera”, tha ai.
Pjesë e këtij takimi ishte edhe kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi së bashku me kryetarët e komunave nga Republika e Kosovës dhe e Maqedonisë Veriore, dhe me kryetarët e partive politike shënuam 40 vjetorin e Pranverës Shqiptare të '81-shit.
"11 Marsi i vitit 1981 shënon kthesën më të madhe historike të kombit shqiptar, kur demostratat e stundentëve shfaqën pakënaqësitë e popullit të shtypur shqiptar në Kosovë nga ish regjimi jugosllav", ka shkruar Arifi.
Studentët e Kosovës më 4 mars 1981, organizuan një protestë në Prishtinë për kushte më të mira në mensën e tyre dhe kjo protestë ishte shkëndija e demonstratës së organizuar nga studentët më datën 11 mars 1981. Demonstratat gjithëpopullore të marsit dhe prillit shënuan fillin e kthesës vendimtare të ndarjes definitive të shqiptarëve të robëruar nga ish-Jugosllavia.
copy(/home/titulli/public_html/images/image/752C7F3-C634-4B7F-A75A-FD7E6B39B9EB.jpeg): failed to open stream: No such file or directory