Kurti: Ideja e shkëmbimit të territoreve s’ka vdekur, por s’mund të jetësohet
Lokale

Kurti: Ideja e shkëmbimit të territoreve s’ka vdekur, por s’mund të jetësohet

12.Nov.2023 07:35
0

Ideja e shkëmbimit të territoreve me Serbinë nuk ka vdekur, por as nuk ka mundësi që të jetësohet, është shprehur kryeministri Albin Kurti, në Forumin e Paqes në Paris. Ai i ka quajtur liderë autoritarë ish-presidentin Hashim Thaçi dhe homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiq, të cilët e kishin vënë në tavolinë këtë ide

Kryeministri Albin Kurti është shprehur se ideja e shkëmbimit të territoreve me Serbinë nuk ka vdekur, por as nuk ka mundësi që të jetësohet. 

Në ditën e dytë të Forumit të Paqes në Paris, kryeministri u shpreh se ata që shihnin ëndrra për ndarjen e Kosovës e ndryshimin e kufijve, e kanë zor të pajtohen për një zgjidhje tjetër demokratike mes Kosovës e Serbisë.

“Ky projekt i shkëmbimit të territoreve kishte homolog edhe në Kosovë, nga pararendësi im. Sepse në atë kohë shihej më shumë si një marrëveshje e menjëhershme e rregullimit të shpejtë midis liderëve autoritarë që mund të flasin për njerëzit si për familjen e tyre dhe që mund të diskutojnë për territoret e shteteve sikur të jenë pronë private. Por kjo kishte një lloj shije feudaliste, monarkike, mbretërore, që nuk ekziston më”, ka thënë kryeministri Kurti. “Përsëri, mund ta pranoj, pavarësisht dështimit të projektit, ideja është aty, por pa asnjë mundësi që të vihet në jetë”. 

Përveç presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, Kurti tha se kjo ide ka pasur përkrahës edhe në Kosovë, duke aluduar në ish-presidentin Hashim Thaçi. 

Çështja e shkëmbimit të territoreve pati nxitur debat të gjerë, si në Kosovë ashtu edhe në skenën ndërkombëtare. Ajo pati gjetur mbështetje në administratën e ish-presidentit amerikan Donald Trump, e edhe te përfaqësues të Bashkimit Evropian, por përpos në Kosovë, u kundërshtua fuqishëm edhe nga Gjermania dhe Britania e Madhe. 

E, në Forumin në Paris, kryeministri Kurti ka thënë se qëllimi i përhershëm i Serbisë është ndarja e Kosovës. Argument për këtë ka përmendur sulmin në Banjskë, nga grupi paraushtarak serb. Ai tha se me grupin paramilitar, Serbia ka dashur të shkaktojë përshkallëzim të situatës në veri, deri në kaos, në mënyrë që të ketë mundësi ta fusë ushtrinë e saj në Kosovë.

 

Kurti ka theksuar se sa më shpejt që normalizohen marrëdhëniet me njohje të Kosovës de-jure dhe de-facto nga Serbia, do të jetë më mirë për të gjithë. Ai i kërkoi Brukselit ta ketë parasysh se për sa kohë që fqinjët e Serbisë janë jashtë bllokut evropian, nuk do të ketë siguri për ta.

“Në njërën anë ata duan të shohin ndarje të Kosovës, do të donin kompensime territoriale për gabimet e tyre, por nuk është e mundshme. Në anën tjetër, janë dëshmuar përpjekjet destabilizuese në Bosnjë, Mal të Zi dhe Kosovë, fqinj të Serbisë. Nganjëherë edhe në Maqedoninë e Veriut. Fqinjët e Serbisë për sa kohë që nuk janë pjesë e BE-së, nuk janë të sigurt nga Serbia, dhe kjo duhet të merret parasysh në Bruksel”, ka thënë kryeministri Kurti.

Ai është pyetur nga pjesëmarrësit në Forum edhe për kryetarët e komunave në veri, të cilët kundërshtohen nga shumica e banorëve që i përkasin etnisë serbe. Por ka thënë se kësaj situate tashmë i ka ofruar zgjidhje duke përmendur krijimin e bazës ligjore për peticion, nëpërmjet të cilit kërkohet shkarkimi i kryetarëve.

“E kuptoj që pjesëmarrja në zgjedhje ishte shumë e ulët në prill të këtij viti, por megjithatë këta kryetarë bashkie që janë në zyrat e tyre janë legjitimët. Të tjerët nuk kanë asnjë legjitimitet. Pra, për të pasur një legjitimitet të plotë të kryebashkiakëve, duhen zgjedhje të parakohshme. Jam plotësisht i vetëdijshëm dhe e kam pranuar. Por në të njëjtën kohë, ne kemi nevojë për një proces ligjor për të arritur atje, dhe unë po tregoj vullnetin tim politik për të ndihmuar serbët e Kosovës në këtë drejtim”, është shprehur kryeministri.

Gjatë fjalimit, ai ka folur edhe për procesin integrues. Ka thënë se rrugëtimi i Kosovës drejt BE-së nuk ka alternativë. Po kështu ka shprehur pritjen që premtimet e dhëna nga Komisioni Evropian dhe Këshilli Evropian të jetësohen, meqë, sipas tij, do të ketë avantazh të madh për shtetet që duan integrim në BE.

“Kemi dy premtime, një prej Von der Leyen për planin e zgjerimit prej 6 miliardë eurosh, por kemi edhe një premtim nga Charles Michell se 2030 është viti kur BE-ja dhe Ballkani Perëndimor bëhen bashkë. Kemi kohë dhe kemi substancë dhe duhet ta shfrytëzojmë këtë që të hyjmë në rrugën që është e pakthyeshme. Normalisht, flas për vendet që duan t’i bashkohen BE-së, sepse jo të gjitha shtetet kanë të njëjtin pasion dhe dëshirë për anëtarësim në BE”, ka thënë ai.

Kryeministri ka shprehur edhe pritjen që Kosova të bëhet vend kandidat për anëtarësim në BE pas ta marrë pas liberalizimit të vizave në janar të 2024-tës.

“Mendoj që një prej arsyeve se pse ne ende nuk e kemi statusin e vendit kandidat është se ne ende nuk kemi liberalizim të vizave. Do ta kemi atë tek më 1 janar të vitit të ardhshëm. Më në fund, do ta kemi liberalizimin e vizave. Besoj që pse nuk e kemi pasur liberalizimin ka qenë shumë e lehtë për ta që të mos na e japin as statusin e vendit kandidat. Por, në momentin që hiqet regjimi i vizave, unë shpresoj dhe besoj se do të marrim më në fund statusin e vendit kandidat”, është shprehur kryeministri Kurti

Sipas tij, anëtarësimi do t’i sjellë Kosovës përfitime, por me këtë tha se do të ketë kontribut edhe brenda BE-së.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE rreth një vit më parë, por Brukseli nuk ka lëvizur me adresimin e kërkesës. Kësisoj, shteti mbetet i fundit në rajon, në rrugën drejt anëtarësimit.

E, BE-ja, pas Marrëveshjes Bazë të dakorduar mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq, ka theksuar se zbatimi i dokumentit përbën kusht për të dyja vendet, për të ecur përpara në procesin e integrimit.

Çitaku i reagon Kurtit: I pabesë, si me tanët, ashtu edhe me të huajt

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se është turp që kryeministri Albin Kurti ka përmendur ish-presidentin Hashim Thaçi, gjatë fjalës së tij në Forumin e Paqes, në Paris.

Ajo ka reaguar pasi kryeministri Kurti, derisa ka folur për idenë e shkëmbimit të territoreve të shtunën, ka thënë se kjo ide pati gjetur mbështetje edhe në Kosovë.

Çitaku ka thënë se Kurti ka kohë që merret me Thaçin, si në Kosovë ashtu edhe jashtë.

“Kjo është një turp që vetëm sa e shpërfaq vogëlsinë e kryeministrit aktual dhe cektësinë e rezultateve te qeverisjes së sotme. Presidenti Thaçi nuk ka mundësi t’ia kthejë, sepse është në paraburgim duke mbrojtur UÇK-në. Po ashtu, rezultatet e qeverisjes Thaçi, autostradat, aeroporti, njohjet dhe vetë pavarësia jonë, shihen, preken, udhëtohen, përjetohen, gëzohen. Rezultati i vetëm i Kurtit është një urë këmbësorësh në një fshat dhe një mori sanksionesh nga aleatët tanë. I pabesë si me tanët, ashtu edhe me të huajt”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

Kurti thotë se iu konfirmua mbështetja e SHBA-së për Kosovën

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për çështjet evropiane dhe euroaziatike, James O’Brien, ia ka konfirmuar të shtunën mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën.

“Kënaqësi për takimin me ndihmëssekretarin e shtetit të SHBA-së, O’Brien, i cili konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për Kosovën. Diskutuam për përparimin e shpejtë ekonomik dhe demokratik të Kosovës – të njohur gjerësisht nga organizatat ndërkombëtare – dhe unë përsërita përkushtimin tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO si objektivat tona kryesore strategjike”, ka shkruar Kurti në platformën sociale X, pas takimit me ndihmëssekretarin O’Brien.

Takimi është zhvilluar në Paris, ku Kurti po qëndron në kuadër të Forumit të Paqes.

copy(/home/titulli/public_html/images/image/urti-paris.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Ish-inspektori AKI-së publikon një dokument, thotë se është drafti i plotë i BE-së për Asociacionin
Lirim Jakupi dënohet me 27 vjet burgim për vrasjen e dajës së tij në Gjilan, dy të tjerët me 24 dhe 15 vjet
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration