Kosova temë e nxehtë në parlamentin e Serbisë, Kamberi flet për destabilizimin e situatës
Serbia e cila në vazhdimësi synon destabilizim, pritet që Kosovën ta ketë temë të nxehtë edhe në Parlamentin e saj. Legjislatura e re atje tani ka qëndrime të ndryshme programore dhe ideologjike për të gjitha çështjet, dhe nuk pritet ndonjë konsensus rreth temave të cilat konsiderohen të mëdha.
Hapja e debatit për çështjen e politikës zyrtare për Kosovën, si dhe sanksionet kundër Rusisë, pritet të jenë temat e nxehta të Kuvendit të ri.
“Është me vend që përfaqësuesit e popullit ta diskutojnë Kosovën si një temë gjithmonë të rëndësishme, dhe pa një zgjidhje nga pushteti. Çështja e dytë janë masat kufizuese kundër Federatës Ruse. Kosova dhe dialogu janë temë që e shqetëson gjithë popullin serb dhe ne duhet të mendojmë se si të luftojmë për komunitetin serb dhe interesat tona në Kosovë”, ka theksuar Borko Stefanoviq, deputet, Partia për Liri dhe Drejtësi.
Partitë pro-evropiane tashmë kërkojnë nga pushteti të tregojë ‘çfarë është në tavolinë’ në lidhje me Kosovën. Ndërsa deputetët e së djathtës kërkojnë një seancë të jashtëzakonshme për çështjen e Kosovës, formimin e një ministri për Kosovën dhe të anulohet Marrëveshja e Brukselit.
“Disa parti të ekstremit të djathtë do të përpiqen të përfitojnë nga situata e krijuar rishtazi dhe të ndërmarrin nisma që nuk sjellin asgjë të mirë dhe që synojnë destabilizimin e situatës dhe që mund të krijojnë kaos edhe më të madh në këtë pjesë të Ballkanit. Andaj, duke pasur parasysh përbërjen aktuale të parlamentit, do të ketë iniciativa të tilla që në fakt i përgjigjen qeverisë së ardhshme, të cilat do t'i tregojnë Evropës se në kuvend ka pikëpamje edhe më ekstreme dhe kjo do të jetë politika e justifikimit të veprimeve të qeverisë së re në lidhje me rrymat ekstreme që ekzistojnë në parlament”, ka thënë Shaip Kamberi, deputet i Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës.
Në parlamentin e ri të Serbisë tani ka qëndrime të ndryshme programore dhe ideologjike për të gjitha çështjet dhe nuk pritet ndonjë konsensus.
“Ka shumë gjasa që Kosova, BE-ja dhe Rusia të diskutohen më shumë se temat tjera, sepse këto tema janë të rëndësishme për një spektër të tërë të djathtë që hyri në parlament, dhe aty-këtu shohin përparësinë e tyre ndaj pjesës tjetër të opozitës dhe qeverisë. Në përgjegjësi në këtë parlament ka dallime serioze në çështjen e politikës së jashtme, e të drejtave të njeriut dhe në marrëdhëniet me Rusinë dhe luftën në Ukrainë”, është shprehur Bojan Kllaçar nga Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci.
Duke pritur formimin e qeverisë së re dhe përcaktimin e qëndrimit të saj ndaj Kosovës dhe Rusisë, është e sigurt që opozita demokratike dhe nacionaliste paralajmëron kontroll më të madh të ekzekutivit te Vuçiqit gjë që i mungonte në vitet e fundit./rtk/
copy(/home/titulli/public_html/images/image/arlamenti-sr.jpeg): failed to open stream: No such file or directory