Kosova dhe Serbia pa dokumente për hyrje/dalje
Serbia ndërpreu lëshimin e dokumentit për hyrje/dalje për shtetasit e Kosovës. Me një dokument të tillë, që është cilësuar si zëvendësim për letërnjoftimin, kosovarët janë pajisur me të hyrë në territorin e Serbisë, tash e 11 vjet.
Dragan Mirosavleviq, profesor në Universitetin e Mitrovicës, që më 1 shtator hyri në Kosovë, tha për Radion Evropa e Lirë, se në kufi gjithçka shkoi mirë.
Ai nuk komentoi marrëveshjen, duke thënë se nuk shikon shumë lajme.
Heqjen e kësaj mase e konfirmoi në orët e para të 1 shtatorit ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, nga pika kufitare në Bërnjak.
“Mund të konfirmoj se e njëjta gjë ka ndodhur edhe [nga pikat kufitare] në Merdare, në Dheun e Bardhë dhe në Muçibabë. Në Jarinjë, ende nuk e kemi ndonjë veturë, e cila ka kaluar, por realisht mund të konkludojmë se autoritetet e Serbisë e kanë ndërprerë lëshimin e fletëve për hyrje/dalje për shtetasit tanë”, tha Sveçla.
“Ky është nje lehtësim i madh për shtetasit tanë, të cilët udhëtojnë për apo nëpër Serbi”, shtoi ai.
Marrëveshja për heqjen e këtij dokumenti u arrit fundjavën e kaluar.
Paraprakisht ka qenë e paraparë që edhe Kosova të nisë aplikimin e së njëjtës masë për shtetasit e Serbisë, nga 1 shtatori.
Një vendim i tillë është zbatuar shkurtimisht më 1 gusht, por për shkak të rebelimit të disa serbëve në veri të Kosovës dhe me sugjerimin e bashkësisë ndërkombëtare, Qeveria e ka shtyrë për 30 ditë.
Palët, ndërkohë, me ndërmjetësimin e komunitetit ndërkombëtar, kanë arritur marrëveshje për mosaplikimin e këtyre dokumenteve nga asnjëra anë.
Nga 1 shtatori në Kosovë pritet të nisë së zbatuari vendimi i Qeverisë për riregjistrimin e makinave me targat që i lëshon Serbia.
Edhe kjo masë është dashur të nisë nga 1 gushti, por, për të njëjtat arsye, është shtyrë për 30 ditë.
Sveçla tha se shpreson se edhe “çështja e kalimit nga targat ilegale të Serbisë në targa të Kosovës” të kalojë pa probleme, sikurse ajo e dokumenteve.
Një ditë para se të hiqte kërkesën për dokumente për hyrje/dalje, Serbia vendosi disa njoftime në vendkalimet me Kosovën, ku thuhej se mundësimi i kalimit të kufirit me dokumente të identifikimit të lëshuara nga Kosova bëhet “për arsye krejtësisht praktike”, që liria e lëvizjes të bëhet më e lehtë, bazuar në Marrëveshjen për lëvizje të lirë.
Këtë marrëveshje, Kosova dhe Serbia e kanë arritur në vitin 2011 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por se deri më tash nuk ka gjetur zbatimin e duhur./REL/
copy(/home/titulli/public_html/images/image/arinje-.jpg): failed to open stream: No such file or directory