Këshilli Kombëtar Shqiptar ngrit padi ndaj ministrit të Mbrojtjes, Aleksander Vulin
Këshilli Kombëtar Shqiptarë në Luginë të Preshevës ka ngritur padi për gjuhë të urrejtjes ndaj Ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandër Vulin.
Kjo është letra e plotë e Këshillit Kombëtar Shqiptar:
KKSH NGRIT PADI NDAJ MINISTRIT VULIN PËR GJUHË TË URREJTJES
Në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar, kam ngritur padi ndaj Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Serbisë, Aleksandër Vulin, për vërtetimin e qasjes diskriminuese dhe përdorimin e gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve.
Përdorimi i termit pezhorativ dhe ofendues "Šiptar" nga Ministri Vulin është institucionalizim i gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve dhe nxitje e shqiptarofobisë në Serbi.
Këshilli Kombëtar Shqiptar nuk e pranon reduktimin dhe relativizimin e kësaj praktike si shprehje dhe veprim individual. Gjuha e tillë e një ministri nuk është vetëm produkt i sistemit aktual në Serbi, por edhe nxitje institucionale e diskursit në rritje ksenofob kundër minoriteteve.
Asgjë më shumë nuk e reflekton më mirë mendësinë politike të Vulinit se vetë fakti që ai e konsideron si kompliment ngritjen e padisë. E mjerueshme përpjekja e tij primitive për të mbijetuar politikisht dhe për të fituar ndonjë votë “patriotike” me antishqiptarizëm. Nuk duket as kopje e mirë e Millosheviqit.
Fundja, nuk mund t’i ndihmojmë në mediokritetin e tij arsimor, edukativ dhe kulturor. Mbase edhe është vonë tashmë për atë.
Por, më e rëndësishme është se kjo mendësi flet mbi gjithash për Qeverinë e sotme të Serbisë. Flet për Serbinë shtetërore.
Në një qeveri dhe shtet demokratik, çdo ministër që i fyen vazhdimisht në publik minoritetet, së paku do të shkarkohej. Në Serbinë e sotme, ai glorifikohet. Si në Gjermaninë e vitit ’39. Po fatmirësisht, Serbia nuk është Gjermania e viteve 1939. E Vulini nuk është Wilhelm Keitel. Si ka kapacitetet as me qenë kopje e tij e keqe.
Sidoqoftë, respektimi i minoriteteve është edhe detyrim ligjor dhe kushtetues i Qeverisë së Republikës së Serbisë. Respektimi dhe pranimi i tjetrit është parakusht i një shoqërie demokratike.
Shqiptarët nuk kanë faj pse Qeveria e Serbisë nuk ka kapacitete demokratike. Nuk ndjehen të poshtëruar, meqë asgjë nuk e poshtëron më shumë Serbinë se Vulinat si përfaqësues të saj. Madje, kjo mendësi e tij e dëmton së pari dhe mbi gjithash Serbinë.
Aty edhe i kanë arsyet pse nuk pranohen me të drejtë në Bashkimin Evropian. Pse shqiptarët nuk e ndjejnë me të drejtë Serbinë si shtet të tyre. Adresa është në Beograd. Në Qeverinë e Serbisë. Në gjykatat e Serbisë. Në profilet e Aleksandër Vulinit.
copy(/home/titulli/public_html/images/image/ulin-kryqi-kuq-bujanoc-.jpg): failed to open stream: No such file or directory