Lokale
Kërkohet lirimi i të akuzuarve për sulmet në Dobrosin
Në seancën vijuese ndaj grupit të njohur si “Lëvizja e lirisë” ka vazhduar procedimi i provave dhe dëshmive të shumta që kanë ofruar prokurorët e EULEX-it.
Aktakuza e EULEX-it e ngritur ndaj Valon Jasharit, Skender Jasharit,Gazmend Lakna, Gazmend Xhemshiri, Qendrim Rexhaj, Muhamed Aliu, Skender Selmani, Enver Musolli, Abdullah Zogaj dhe Jeton Shabani i ngarkon këta nëntë persona për veprat penale të terrorizmit, organizimi i grupeve terroriste , pjesëmarrja në grupe terroriste dhe mbajtja e paautorizuar e armëve.
Gjykimi i këtij grupi po udhëhiqet nga gjyqtari i EULEX- it, Arkadiusz Sedek, i cili në seancën e fundit ka dëgjuar nga palët e akuzës provat dhe dëshmitë e ofruara. Por ende pa filluar mirë prezantimi i këtyre provave avokatët mbrojtës kanë filluar të kontestojnë legjitimitetin e tyre, madje edhe caktimin e paraburgimit ndaj disa të akuzuarve.
Avokati Halit Azemi tha se ka të akuzuar, siç është Jeton Shabani, i cili ndodhet në paraburgim vetëm për 20 fishekë. “Ne e kemi kontestuar legjitimitetin e provave dhe dëshmive që ka sjellur EULEX dhe kemi kërkuar që të gjithë të akuzuarve që po dyshohen për terrorizëm tu ndërpritet paraburgimi dhe ata që janë në arrest shtëpiak tu hiqet kjo masë” tha Azemi, transmeton rajonipress.
Azemi tha se aq shumë është e ngarkuar aktakuza e ngritur nga prokurori Maurizio Salustro saqë duhen vite të shikohen e dëgjohen ato CD të cilat realisht nuk përmbajnë ndonjë relevancë që ky grup të cilësohet si grup terrorist.
Azemi tha se seanca e radhës duhet të orientohet më shumë tek legjitimiteti edhe i provave, por edhe i vendimeve të Gjykatës për masën e paraburgimit.
Ndryshe grupi “Lëvizja e lirisë” dyshohet se ka marrë pjesë në sulmet në punktin Dobrosin të Bujanocit më 17 maj 2012, 28 qershor dhe 7 tetor 2012.
Aktakuza saktëson se tek ky grup janë gjetur dëshmi e prova përmes përgjimeve telefonike, fotografi e gjësende tjera që lidhen me aktivitetet e këtij grupi.
Sipas aktakuzës më 17 maj 2012 një postbllok policor në Dobrosin të Bujanocit është gjuajtur me armë zjarri dhe dy sulme tjera më 28 qershor dhe 7 tetor 2012. Përgjegjësia për këto tri sulme është pranuar nga grupi i quajtur si “Lëvizja e lirisë” përmes tri komunikatave të publikuara në faqe të ndryshme të internetit thuhet në aktakuzë. /Titulli.com/copy(/home/titulli/public_html/images/image/t/uploads/2013/03/Dobrosin.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!