Kandidati për deputet Arifi: I ofrova barkën e suksesit Kamberit, ai e fundosi
Shqiprim Arifi, kandidati për deputet nga lista ADSH-së në zgjedhjet e 3 Prillit ka hedhur akuza ndaj rivalit të tij zgjedhorë Shaip Kamberi.
Postimi i plotë në Facebook nga Shqiprim Arifi:
Në vend të kujdesit kush mbi kë fitoi, problem mbetet edhe fakti që është shkelur një Marrëveshje e përbashkët, e të gjithëve, ndërsa vazhdon të jetë problem egocentrizmi dhe dëmtimi i proceseve kombëtare, e pafalshme mbetet përçarja, që për rrjedhojë solli humbjen e betejës - në luftë kundër çdo mekanizmi diskriminues.
Traektorja e suksesit e cila solli kandidatin e listës tjetër në mandatin e tij të deputetit në legjislacionin e kaluar, ishte ALTERNATIVA DEMOKRATIKE SHQIPTARE, gjegjësisht Marrëveshja e Tiranës - të cilën ai e braktisi atë për të themeluar një tjetër, një të dytë sepse kështu pretendonte të shpallej lider suprem i përfaqësuar në të gjitha nivelet e pushteteve, si në Preshevë (ani pse i humbi zgjedhjet), ashtu në Bujanoc (ani pse i humbi zgjedhjet) dhe gjithashtu në Medvegjë, tani nën "organin e dhunshëm të zgjedhur drejtpërdrejt nga Beogradi".
Nuk kam asgjë kundër strategjisë së tij, bile i ofrova barkën e suksesit. Por ja që ai e fundosi atë. Në fakt po mos t'i kishte rezikuar dhe kërcënuar koalicionin qeverisës në Bujanoc, as dy "partnerët" e tij nuk do t'i kishte në listë.
Tani, çka dëshiron ai t'i uroj? Votat e tij nga Shumadia? Apo, mospërfaqësimin e shqiptarëve në Kuvendin e Republikës së Serbisë, nga tre në zero? Unë, nuk kam parë ndonjë lloj suksesi t'i uroj atij apo kujtdo tjetër në zhvillimin e fundit politik. Jemi të gjithë të humbur. Sepse ashtu deshti, shumë për vete, pak për të tjerët dhe në fund humbën të gjithë!
Demagogjia e tij politike e spikatur me cinizëm, për të akuzuar dikë tjetër me atë që ka bërë vet, është kulminacioni i ideologjisë farsë mashtruese. Lëre që kanë votuar pushtete qendrore, kanë bërë koalicione lokale me ta, por edhe kanë lobuar për ish-kandidat për postin e presidentit të Republikës së Serbisë. Andaj unë nuk jam si ata, nuk isha dhe kurrë nuk do të jem inferior ndaj asnjë kombësie tjetër në këtë planet e veçanërisht ndaj serbëve.
Për më tepër, politikat diferencuese për të sunduar i kam refuzuar gjithmonë, prandaj i ofroj të gjithëve ashtu siç i ofroj atij bashkëpunim në kauzat kombëtare shqiptare, por që duhet të distancohet sa më parë nga dakordimi i KNSH-së me ministren për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave në Qeverinë e Serbisë, Gordana Çomiq, kinse nuk ka çregjistrim të shqiptarëve nga librat amzë!
Koha deri në krijimin e mandateve të reja duhet të jetë një periudhë e fortë reflektimi për të gjithë, për të vlerësuar me pjekuri dhe përgjegjshmëri ecurinë, aspektet ku duhet përmirësuar cilësisht sistemi i qasjes politike dhe shfrytëzimin e të vetmes armë që kemi në duar si minoritet shqiptar nën administrimin serb, e që është unifikimi dhe Vota e përbashkët.