Ish komandantit të UÇPMB-së i shuhen shpresat për zvogëlim të dënimit
Gjykata e Apelit (EULEX) e kryesuar nga kryerja e kolegjit Hajnalka Veronika Karpati ka refuzuar dy ankesat e avokatëve mbrojtës si të pabazuara dhe ka vërtetuar aktgjykimin e kundërshtuar nga mbrojtja. Edhe Shefket Musliut edhe Besim Tahirit i është vërtetuar dënimi i shqiptuar nga Gjykata e Qarkut në Gjilan.
Gjykata e Apelit e Kosovës(EULEX) duke ju referuar ankesës së avokatëve mbrojtës Nik Shala e Masar Morian në lëndën ndaj Shefket Musliut dhe Besim Tahirit, ka refuzuar ankesën e avokatëve mbrojtës si të pabazuar dhe ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Gjilan raporton rajonipress.
Kryetarja e Kolegjit Hajnalka Veronika Karpati në vendimin e saj ka thënë se kjo gjykatë konfirmon dënimin unik ndaj të akuzuarve Musliu e Tahiri. “Gjykata e Apelit nuk ka gjetur asnjë të metë faktike apo ligjore në vlerësimin e trupit gjykues”.Në vendimin e Gjykatës së Apelit në kuadër të EULEX-it janë dhënë edhe vlerësimet e avokatëve mbrojtës Nik Shala dhe Masar Morina. Nik Shala në ankesën e tij ka thënë se në rastin e Shefket Musliut ka pasur vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkelje të ligjit penal dhe vendimit mbi dënimin. Shala ka kërkuar ndryshimin e aktgjykimit të kundërshtuar apo kthimin e lëndës në rigjykim.Sipas Shalës gjendja faktike është bazuar në prova jo relevante, sepse nuk ka prova për të mbështetur se i akuzuari Musliu ishte kryes i veprave penale për të cilat u shpall fajtor dhe u dënua. Shala ka shtuar se aktgjykimi i Gjilanit mbështetet në pretendime e jo në fakte të provuara.Kurse avokati tjetër Masar Morina ka thënë se ka pasur vërtetim të gabuar të gjendjes faktike. Morina ka propozuar që aktgjykimi të prishet dhe i akuzuari Besim Tahiri të lirohet nga përgjegjësia.
Në vendimin e EULEX-it është dhënë edhe vlerësimi i prokurorit të shtetit Jusuf Mejzini i cili ka thënë se ankesat e avokatëve janë të papranueshme.”Gjykata e Qarkut në Gjilan në mënyrë korrekte shqyrtoi dhe vlerësoj rrethanat për shqiptim e dënimit unik andaj ankesat e mbrojtjes nuk vënë në pah ndonjë rrethanë lehtësuese të neglizhuar” ka thënë Mejzini.
Duke marrë për bazë të gjitha këto mendime e kundërshtime Gjykata e Apelit e ka vërtetuar dënimin e Gjykatës së Gjilanit duke i shuar shpresat e Musliut e Tahirit për zvogëlim të dënimit apo kthim të rastit në rigjykim.
Ndryshe Shefket Musliu është dënuar me 12 vite burgim së bashku me Besim Tahirin i dënuar shtatë vite burgim dhe Feriz Qerimin me 5 vite burgim, në qershor të vitit 2004 nga kolegji penal i Gjykatës së Qarkut në Gjilan i kryesuar nga Vinod Bolello .
Ndërsa në rigjykimin e zhvilluar ndaj Musliut e Tahirit, Gjykata Supreme ia ka zvogëluar dënimin edhe atë në 10 vite e 6 muaj burgim për Musliun dhe 6 vite e 9 muaj për Tahirin për shkak se prokurori kishte tërhequr akuzën penale lidhur me rrëmbimin e dëshmitarit F.Y.
Ndryshe këtë dënim unik të fundit tani e ka vërtetuar edhe Gjykata e Apelit. Grupi i Musliut është akuzuar për veprat penale të «rrëmbimit», «kidnapimit», «shtrëngimit».
Shefket Musliu nga fshati Koncul i Bujanocit i arrestuar më 7 korrik të vitit 2003, Besim Tahiri nga fshati Miresh i Gjilanit i arrestuar më 7 shtator 2003 dhe Feriz Qerimi nga fshati Llovcë e Gjilanit i arrestuar më 17 gusht 2003, gjithsejtë kanë marrë 24 vite burg.
Shefqet Musliu ka mbajtur mbi 8 vite burg tha Masar Morina. Kurse Feriz Qerimi në mungesë të provave ishte liruar nga Gjykata Supreme e Kosovës , ndërsa më 3 dhjetor të vitit 2009 nga persona të panjohur ishte vrarë afër hallës së sporteve në Gjilan./Titulli.com/