Interesim për studime në Turqi, bursa nga 215 deri 435 euro (Foto & Video)
"Mundësit e edukimit në Turqi" ishte tema e sotme e tryezës së mbajtur në shtëpinë e kulturës në Bujanoc, ku morrin pjesë një numër i konsiderueshëm i nxënësve nga shkolla e mesme.Drejtuesi i kësaj tryeze, njëherit studenti i vitit të dytë Master në Turqi, Venhar Sulejmani, shpalosi mundësit që i ofron ky shtet për studentët e huaj.
Ai me këtë rast nënvizoi se aplikimi për të fituar bursë për studime në Turqi ka filluar dhe i njëjti bëhet online.
Nga 3.2 milionë studentë që ka Turqia, siç tha Venhar Sulejmani, 55 deri në 60 mijë janë të huaj, kurse deri në vitin 2023 pritet që ky numër të arrijë në 200 mijë.
“Sipas disa të dhënave, në Turqi studiojnë rreth 2.500 studentë shqiptarë, prej tyre 1.200 me bursë turke, ndërsa nga Lugina në Turqi janë mbi 30 studentë”, i tha Titullit, Venhar Sulejmani, pas përfundimit të tryezës.
Ai para të pranishmëve theksoi se në Turqi mund të fitohen bursa nga Qeveria e Turqisë si dhe nga institucione joqeveritare. Gjithashtu këto bursa jepen për tre nivele: Bachelor, Master dhe Doktoraturë (PHD).
“Nëse fitohen bursat ato vlejnë për 12 muaj, për studime Bachelor 215 euro në muaj, Master 315 dhe Doktoraturë rreth 435 euro. Turqia ndan 150 milionë dollarë në vit për bursa studentore”, theksoi Sulejmani.
Duke theksuar rëndësinë që Turqia i kushton shkollimit, studenti nga Tërnoci i Komunë së Bujanocit, nënvizon se me fitimin e bursës, në të shumtën e rasteve vjen edhe akomodimi falas në konvikte, ushqimi dhe beneficione tjera.
Të interesuarve i bëri me dije që të mos aplikojnë për drejtimet mjekësi dhe arkitekturë, pasi shanset për të fituar bursë janë shumë të vogla.
“Kam biseduar me koordinatorin për Ballkan. Ata kanë njohuri për situatën në Luginë dhe nevojat. Andaj përveç drejtimeve të tjera, një prej fushave që do të mund të fitohet bursa është edhe ajo e bujqësisë”, nënvizon ligjëruesi i kësaj tryeze.
Venhar Sulejmani është në vitin e dytë Master në punim diplome “Ekonomi e punës dhe marrëdhënie industriale” në Universitetin Sakarya.
Prezantimi i sotëm u mbështet edhe nga organizata kulturoro-humanitare “Vëllazërimi” me seli në Bujanoc.
Kryetari i kësaj shoqate Ibrahim Rrustemi nënvizoi se aplikimi për bursa tashmë vetëm se është hapur dhe të interesuarit mund të aplikojnë deri më 31 mars.
“Të interesuarit mund të aplikojnë online deri në orën 24:00 të datës 31 mars të këtij viti. Sa i përket tre niveleve të studimit, duhet pas parasysh se ekziston kushti i moshës edhe ate: për Bachelor mund të aplikojnë të interesuarit e lindur në vitin 1994 e më lartë, për Master 1983 dhe Doktoraturë (PHD) 1979 e më lartë.”, shprehet Ibrahim Rrustemi.
Ai thekson se organizata që drejton, deri më tani ka realizuar disa programe studimore ku kanë marrë pjesë rreth 300 nxënës e profesor.
Vlen theksuar se kohëve të fundit Universitetet e Turqisë janë bërë atraktive për shqiptarët e rajonit, e posaçërisht të Luginës, pasi ofrojnë kushte të mira për studime, programe studimore si dhe ofrimit të bursave për studentë të huaj. /Titulli.com/
Apliko online duke klikuar KËTU