Inteligjenca Artificiale, plumbat e fletëvotimet do ta ndryshojnë botën në  2024
Rajoni dhe Politika

Inteligjenca Artificiale, plumbat e fletëvotimet do ta ndryshojnë botën në 2024

31.Dec.2023 08:17
0

Si t’i përkufizojmë lajmet më të rëndësishme të vitit të fundit? Përgjigja e qartë në vitin 2023 është duke përdorur inteligjencën artificiale (IA). Në këtë frymë, u kërkova ChatGPT-së së OpenAI dhe Bardit të Google – dy prej mjeteve më të njohura gjenerative të IA-së – ta kryejnë punën për mua.

Përgjigjet e tyre dëshmojnë fuqinë e inteligjencës artificiale, por edhe mënyrat se si ajo ka të meta, në këtë rast, në lidhje me standardet redaktoriale në gazetari dhe në krahasim me redaktorët njerëzorë.

ChatGPT më tha se “si një IA, unë nuk kam qasje në kohë reale në ngjarjet e tanishme, apo në internet për t’i ditur ngjarjet specifike të vitit 2023”, para se të ma jepte “një skenar hipotetik bazuar në trendet dhe temat e tanishme”.

Skenari i saj shpresëdhënës përfshiu marrëveshjen e komunitetit global “për një varg masash gjithëpërfshirëse dhe radikale për t’i zvogëluar shumë emetimet e karbonit deri në vitin 2030”, përfundimin e suksesshëm të fazës finale të testimeve të një vaksine kundër kancerit nga shkencëtarët, dhe ndërmjetësimin e një marrëveshjeje nga Kombet e Bashkuara për t’iu dhënë fund tensioneve gjeopolitike në një rajon të paspecifikuar të botës.

Ah, sikur të ishte kështu.

Bardi ishte më shpresëdhënës dhe më i saktë, duke ma dhënë një përmbledhje të lajmeve nga lufta Rusi-Ukrainë (megjithëse ishte deri diku e paqartë se kur kishte nisur lufta), për atë se çfarë ndodhi me ekonominë globale, si dhe hollësi të zhvillimeve teknologjike, përfshirë IA dhe editimin e gjeneve. Nuk e përmendi luftën mes Izraelit dhe Hamasit – grupit radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Por, edhe nëse IA-ja nuk mund të shtyhet me një gazetar ende, dalja në sipërfaqe e kësaj teknologjie në vitin 2023 premtoi (ose kërcënoi me, varësisht prej mendimit tuaj) një ndryshim në mënyrën se si njerëzit veprojnë, dhe i rriti çmimet e aksioneve të kompanive të cilat e pranuan atë premtim. Më 2024, prisni përparim më të madh dhe më shumë lajme për luftën e kompanive për ta mbajtur ritmin.

Viti i ardhshëm do të karakterizohet nga plumbat dhe fletëvotimet

Në tetor, militantët e Hamasit e sulmuan Izraelin, duke i vrarë 1.200 civilë dhe duke i rrëmbyer 240 të tjerë. Sulmi tronditës e i përgjakshëm – i cili ishte më vdekjeprurës në historinë e Izraelit – nxiti një fushatë ushtarake hakmarrëse tejet të madhe.

 

Izraeli i ka bombarduar Hamasin dhe grupet e tjera radikale në Gazë për javë të tëra, i ka urdhëruar më shumë se një milionë banorë të Gazës të zhvendosen brenda territorit të tyre të vogël, si dhe i ka vrarë – sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë – më shumë se 18.000 palestinezë.

Një armëpushim njëjavor në fund të nëntorit për t’ia mundësuar Hamasit t’i lirojë disa pengje izraelite dhe Izraelit t’i lirojë disa të burgosur palestinezë, mbaroi dhe duket se luftimet do të vazhdojnë edhe në vitin 2024.

 

As lufta në Ukrainë nuk po tregon shenja ngadalësimi. Forcat ruse dhe ato ukrainase po vazhdojnë të luftojnë në lindje dhe në jug të Ukrainës, por të dyja palët pothuajse e kanë humbur momentumin plotësisht. Çelësi për ta ndryshuar këtë ngecje është në duart e Uashingtonit e Brukselit – dhe dëshirës së Perëndimit për ta vazhduar mbështetjen për Ukrainën – po aq sa edhe në duart e Moskës e Kievit.

Ky ishte, po ashtu, edhe viti kur vështirësitë ekonomike të Kinës u përkeqësuan, me gjithë përpjekjet e Pekinit dhe Uashingtonit për t’i ndrequr marrëdhëniet mes dy vendeve. Më 2024, ato përpjekje, e madje edhe mundësia që Kina ta pushtojë Tajvanin, do të varen prej asaj që do të ndodhë në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara (SHBA).

Nëse Donald Trump e fiton mandatin e dytë si president, atëherë çdo gjë do të jetë e pavendosur dhe e pasigurt, përfshirë të ardhmen e demokracisë së SHBA-së.

Zgjedhjet në SHBA do të jenë ngjarja më përcaktuese politike vitin e ardhshëm, brenda dhe jashtë vendit. Por, edhe ngjarje të tjera të mëdha do të dalin nga kabinat e votimit nëpër botë.

 

Më shumë se 900 milionë qytetarë me të drejtë vote në Indi do ta vendosin fatin politik të kryeministrit Narendra Modi në pranverën e ardhshme. Meksika mund ta lërë anash traditën e zgjedhjes së burrave në krye të shtetit dhe ta votojë kryetaren e Meksiko Sitit, Claudia Sheinbaum, si presidenten e parë të vendit.

Ndërkohë, në Rusi po merr formë një garë më pak konkurruese, ku Vladimir Putin është duke kërkuar një mandat tjetër gjashtëvjeçar si president, duke e sfiduar Joseph Stalinin si sunduesin me jetëgjatë të Rusisë.

Përgatiti: Ekrem Idrizi-REL

copy(/home/titulli/public_html/images/image/ntelegjenca-artificiale.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Gjykata e vendos nën arrest shtëpiak ish-kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha
Beogradi “vlon” nga mijëra protestues të cilët po kërkojnë anulimin e zgjedhjeve në Serbi (video)
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration