Integrimi i shqiptarëve në institucionet e Serbisë: Një kërkesë e vjetër mbi një dekadë
Lokale

Integrimi i shqiptarëve në institucionet e Serbisë: Një kërkesë e vjetër mbi një dekadë

29.Aug.2024 20:14
0

“Të rinjtë nuk shohin perspektivë dhe largohen, sepse nuk gjejnë punë dhe nuk u njihen diplomat nga Kosova”.

Kështu e përshkruan Liridon Latifi, 40 vjeç, situatën në Preshevë - komunë në jug të Serbisë, e banuar me shumicë shqiptare.

Sipas tij, shqiptarët e kanë të vështirë të gjejnë punë në institucionet shtetërore.

Përfaqësimi i barabartë në institucionet e Serbisë dhe njohja e diplomave nga Kosova - pavarësinë e së cilës Serbia nuk e njeh - janë ndër kërkesat kryesore të pakicës kombëtare shqiptare, përmbushjen e të cilave ajo e pret për më shumë se një dekadë.

 

Marrëveshjet për letërnjoftime, diploma dhe vende pune, në pritje pas nënshkrimit

Ato kërkesa janë përfshirë në Planin prej shtatë pikash, të hartuar nga përfaqësuesit e pakicës kombëtare shqiptare dhe të pranuar nga Qeveria e Serbisë në vitin 2013. Por, që atëherë, Plani i Veprimit për zbatimin e tij nuk është miratuar.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme për vetë ndjenjën e sigurisë, por edhe për përkatësinë e këtij vendi”, thotë për Radion Evropa e Lirë Aleksandar Popov, nga Qendra joqeveritare për Rajonalizëm.

Trupi Koordinues Qeveritar për tri komunat me shumicë shqiptare në jug të Serbisë - Preshevë, Bujanoc e Medvegjë - nuk ka të dhëna të sakta për përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet e vendit.

“Për mendimin tim, dy pengesat më të mëdha për një përfaqësim më të madh të pjesëtarëve të pakicës kombëtare shqiptare në organet komunale në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë janë, nën një, pengesat gjuhësore dhe, nën dy, aplikimet e pamjaftueshme për konkurset e publikuara nga autoritetet shtetërore”, thotë për Radion Evropa e Lirë Nenad Mitroviq, drejtor i Trupit Koordinues Qeveritar.

Përse është i rëndësishëm?

Në një protestë në Bujanoc, më 12 gusht, përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar të Pakicës Kombëtare Shqiptare theksuan dështimin e Serbisë për t’i përmbushur obligimet e saj.

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, duke komentuar protestën për REL-in, tha se shteti po mundohet t’i diskreditojë kërkesat e shqiptarëve.

“Kjo tregon se përfaqësuesit e autoriteteve në Serbi nuk janë të gatshëm të fillojnë një dialog serioz me komunitetin shqiptar”, tha Kamberi më 13 gusht.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar vazhdimisht në paraqitjet e tij publike se dëshiron “paqe me shqiptarët”.

Ai nuk i ka komentuar kërkesat konkrete të përfaqësuesve të pakicës kombëtare shqiptare në Serbi.

Popov, nga Qendra joqeveritare për Rajonalizëm, vlerëson se shteti nuk kujdeset sa duhet për qytetarët e Serbisë - për shqiptarët etnikë.

“Sikur i konvenon shtetit që të ketë tensione të caktuara, në mënyrë që të mund të ndërhyjë apo t’i portretizojë ato grupe etnike sikur vazhdimisht po shkaktojnë probleme”, thotë Popov për Radion Evropa e Lirë.

Kush i udhëheq komunat në jug të Serbisë?

Kryetar aktual i Komunës së Bujanocit është Arbër Pajaziti. Partia e tij, Fronti për Ndryshim, e mori pushtetin lokal në këtë komunë në fund të korrikut.

Pajaziti krijoi shumicën me këshilltarët e Partisë Përparimtare Serbe (SNS), e cila ka qenë në pushtet në Serbi tash e 12 vjet. Për këtë arsye, ai ishte edhe në shënjestër të kritikave nga partitë shqiptare të opozitës.

Pas zgjedhjeve lokale, kryetare e Komunës së Preshevës u bë Ardita Sinani nga Partia për Veprim Demokratik - kryetar i së cilës është Shaip Kamberi.

Kryetar i Komunës së Medvegjës, ndërkaq, është Dragan Kulliq nga SNS-ja.

Popov e konsideron si jashtëzakonisht të rëndësishëm përfaqësimin në organet shtetërore dhe komunale, veçanërisht kur bëhet fjalë për ato në sektorin e sigurisë.

“Nëse pjesëtarët e pakicës kanë më shumë njerëz në shërbimet publike, veçanërisht në ato që janë të rëndësishme për sigurinë e tyre - polici, gjykata, prokurori - është e rëndësishme, sepse, në atë rast, ata e ndiejnë Serbinë më shumë si vendin e tyre”, thotë Popov.

Për Liridon Latifin nga Presheva, kërkesat e shqiptarëve për integrim në institucionet e Serbisë janë të drejta.

Përmbushja e tyre, beson ai, do të çonte në paqe sociale dhe në një jetë më të mirë në jug të Serbisë për të gjithë qytetarët.

“Paqja sociale nënkupton që njeriu të ketë punë, të ketë shëndetësi cilësore, të ketë arsim cilësor, të ketë një gjyqësor efikas. E kundërta e kësaj janë trazirat sociale. Në atë rast, njerëzit nuk e shohin perspektivën”, thotë Latifi për Radion Evropa e Lirë.

Përgatiti: Valona Tela-REL
copy(/home/titulli/public_html/images/image/rotesta-bujanoc-libr.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Çfarë duhet të dinë qytetarët e Ballkanit Perëndimor për rregullat e reja të hyrjes në BE?
Shqiptarët janë pakica e katërt më e madhe kombëtare në Serbi
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration