Hiqet flamuri edhe në Këshillin Kombëtar Shqiptar (Foto)
Flamuri kuq e zi është hequr nga ndërtesa e Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) pas katër ditë të valimit të tij.
Sikurse heqja e flamujve kombëtar nga ndërtesat e Administratës Komunale në Bujanoc dhe Preshevë edhe në ballkonin e godinës së Këshillit Kombëtar Shqiptarë me seli në Bujanoc, nuk valon më flamuri me shqiponjën dykrenore, raporton portali informativ Titulli.com.
Ky simbol kombëtar, në objektin e këtij organi shtetëror, i themeluar enkas për shqiptarët, u vendos më 28 nëntor nga kryetari i KKSH-së Jonuz Musliu, në ditën e festës kombëtare.
Për dallim nga dy flamujt tjerë të vendosura në institucionet lokale, të cilat u hoqën brenda disa orëve, në KKSH ai qëndroi më gjatë, deri në orët e para të ditës së martë.
Liderët shqiptarë të Luginës së Preshevës, të cilët drejtojnë komunën Bujanoc e Preshevë, Nagip Arifi dhe Ragmi Mustafa, si dhe kryetari i ri i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Jonuz Musliu, edhe pse e dinin se ligji në Serbi nuk lejon përdorimin zyrtarë të këtij simboli, gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet në Këshillë, kishin deklaruar se atë do ta mbronin. /Titulli.com/