Familja Musliu e gëzuar, siguron jo një, por shumë iftare (foto)
Për më pak se tetë orë nga publikimi i rastit të familjes Musliu nga Tërnoci, njerëzit e vullnetit të mirë i kanë dalë në ndihmë kësaj familje skamnore.
Në orët mesditës së sotme në dyert e familjes 12 anëtarëshe kanë trokitur dy djem të rinj, të cilët për gjendjen e rëndë të tyre kishte mësuar nga portal informativ Titulli.
Sipas zonjës Ajshe Musliu, djelmoshat e vullnetit të mirë ishin të ri, mes moshës 14 deri në 16 vjeçare, e të cilët vinin po nga fshati Tërnoc.
Ata me këtë rast duke i thënë zonjës së shtëpisë se nuk është me rëndësi kush i ndanë këto ndihma, kanë bartur gjërat ushqimore dhe higjienike brenda shtëpisë.
“I falënderojë nga thellësia e zemrës, në fshatin tonë gjithmonë ka njerëz që solidarizohen më të varfrit. Këta të rinj sot na sollën gjëra ushqimore, duke filluar me një thes miell, vaj, margarinë, mish pule, mushkëri, supa, pije të ndryshme, hurma, ushqim për fëmijë dhe shumëçka tjetër. Zoti i shpërbleftë këta dorëdhënës, ndërsa edhe juve si media që jeni të parët që na keni vizituar dhe paraqitur në opinion rastin tonë”, u shpreh e emocionuar nëna e nëntë fëmijëve Ajshe Musliu.
Gjatë këtij Ramazani familjes në fjalë i kishte ndodhur që t’i sillet ushqim për iftar dhe i njëjti të mos i jepet, me arsyen se burri i saj i sëmurë është i punësuar dhe se edhe ata si familje angazhohen duke punuar me bujqësi.
Portali informativ Titulli gjatë muajit të Ramazanit do të vazhdojë me raportim mbi gjendjen e familjeve të varfra në Luginë. /Titulli.com/
*****************************************************************************************************************************************************************
Tërnoc: I ofrojnë iftarin dhe nuk ia japin! (foto & video)
Familja Musliu nga Tërnoci i komunës së Bujanocit po përballet me vështirësi të mëdha në këtë situatë të rëndë ekonomike që po mbretëron në vend.
Mungesa e gjërave elementare të kësaj familje 12 anëtarëshe ka bërë që ato shpesh të hanë ushqimin e disa ditëve.
Kjo familje me kryefamiljarin e punësuar Halit Musliun nuk po arrin që të përmbush nevojat themelore për jetesë.
Jetojnë në një shtëpi të lëshuar përkohësisht nga shteti, derisa në oborr kanë ndërtuar edhe një dhomë nga llamarina, dërrasa kartoni, ku siç shprehet bashkëshortja dhe nëna e nëntë fëmijëve Ajshe Musliu, ajo shpesh detyrohet të banojë në atë kasolle për shkak të hapësirës së pamjaftueshme në shtëpi.
“Në këto kushte që po i shihni jetojë së bashku me burrini cili është i sëmurë nga zemra dhe unë që deri më sot i jamë nënshtruar gjashtë operacioneve. Ndihmë sociale nuk marrim, përderisa fqinjët me aq mundësi sa kanë na ndihmojnë”, tha për Titullin Ajshe Musliu.
Ajo gjithashtu deklaroi se gjatë këtij muaji të Ramazanit i është ofruar iftar, mirëpo më pas nuk i është dhënë me arsyen, siç shprehet zonja Musliu, pasi burri merr një pagë minimale nga puna që bënë ndërsa si familje nuk qëndrojnë duarkryq, por angazhohen me bujqësi, sidomos me kultivim të duhanit.
Kjo familje përveç fëmijëve të vegjël dhe adoleshent, tashmë në shtëpi ka edhe vajzën e cila para ca muajsh është ndarë nga burri, në shtëpinë e prindërve (shtetit) qëndron me një çun të vogël, kurse njëherit është edhe me barrë.
“I kam nëntë fëmijë, shtatë vajza e dy djem. Më i riu është 3 vjeç deri të vajza 22 vjeçare”, shprehet nëna Ajshe.
Ajo apelon që të ndihmohen familjet në nevojë për ta zbutur gjendjen e rëndë në të cilën jetojnë. Për herë të fundit, para ca ditëve kjo familje ka marrë një thes miell prej 25 kilogramëve.
“Kush ka mundësi me na ndihmu faleminderit, kush nuk ka mundësi prapë faleminderit”, thotë Ajsha, nëna e nëntë fëmijëve.
Familja Musliu jeton në pjesën e njohur si Kolloni, të fshatit Tërnoc./Titulli.com/
Shkrimet për sensibilizimin e opinionit të gjerë me situatën e rëndë që mbretëron në familjet e Luginës, gjatë muajit të Ramazanit realizohen me vetiniciativën e portalit informativ Titulli. Personat që dëshirojnë të ndihmojnë familjen Musliu mund të kontaktojnë me kryefamiljarin në këtë numër telefoni: + 381 62 85 24 833