Facebook-u nuk do t’i njohë më fytyrat e përdoruesve (video)
Shkencë dhe teknologji

Facebook-u nuk do t’i njohë më fytyrat e përdoruesve (video)

03.Nov.2021 20:12
0

Facebook-u ka njoftuar se do ta çaktivizojë sistemin e vet të njohjes së fytyrave dhe se do t’i fshijë gjurmët e fytyrave të më shumë se 1 miliard njerëzve, pas shqetësimeve në rritje rreth teknologjisë dhe keqpërdorimit të saj nga qeveritë, policia dhe të tjerët.

“Ky ndryshim do të përfaqësojë një ndër hapat më të mëdhenj në përdorimin e njohjes së fytyrave në historinë e teknologjisë”, ka thënë Jerome Pesenti, nënkryetar për inteligjencë artificiale në kompaninë e re amë të Facebook-ut, Meta, në një shkrim të publikuar më 2 nëntor.

Ai ka deklaruar se kompania po përpiqet t’i vërë rastet pozitive të përdorimit të teknologjisë në një peshore me “shqetësimet shoqërore në rritje, veçanërisht teksa rregullatorët ende nuk kanë përcaktuar rregulla të qarta”. Gjatë javëve të ardhshme, kompania do t’i fshijë “mostrat individuale të njohjes së fytyrës të më shumë se një miliard njerëzve”, ka njoftuar Pesenti.

Vendimi i ri nga Facebook-u u mor pas disa javëve shumë të ngarkuara për të. Të enjten, ai njoftoi ndërrimin e emrit të kompanisë në Meta, duke e mbajtur të pandryshuar atë të rrjetit social. Ndryshimi, sipas kompanisë, do t’i ndihmojë asaj të përqendrohet në ndërtimin e teknologjisë për atë që ajo pret të bëhet brezi i ri i internetit – “metaversi”, raporton AP.

 

Kompania, gjithashtu, po përballet me mbase krizën e saj më të madhe të imazhit publik që nga themelimi, pasi dokumentet e publikuara nga sinjalizuesja Frances Haugen kanë treguar se ajo ka qenë në dijeni për dëmet që shkaktojnë produktet e saj dhe se shpesh ka bërë fare pak apo nuk ka bërë asgjë për t’i zbutur ato.

Më shumë se një e tretae përdoruesve të përditshëm aktivë të Facebook-ut kanë pranuar që fytyrat e tyre të njihen nga sistemi i rrjetit social. Këtu përfshihen rreth 640 milionë njerëz. Facebook e ka aktivizuar njohjen e fytyrave mbi një dekadë më parë, por gradualisht e ka bërë më të lehtë ndërprerjen e veçorisë, teksa është përballur me vërejtje nga gjykatat dhe rregullatorët.

Më 2019, Facebook e ka ndërprerë njohjen automatike të njerëzve nëpër fotografi dhe sugjerimin që njerëzit t’i “etiketojnë” ata, por në vend se ta bënte këtë standarde, u ka kërkuar përdoruesve që të zgjedhin nëse duan ta përdorin veçorinë e njohjes së fytyrës.

Vendimi i Facebook-ut për ta çaktivizuar sistemin e vet “është një shembull i mirë i përpjekjes për të marrë vendime të mira, për përdoruesit dhe për kompaninë”, ka thënë Kristen Martin, profesoreshë e etikës së teknologjisë në Universitetin e Notre- Damit. Ajo ka shtuar se ndryshimi, gjithashtu, demonstron fuqinë e trysnisë nga publiku dhe rregullatorët, pasi që sistemi i njohjes së fytyrave ka qenë subjekt i kritikave të ashpra prej më shumë se një dekade.

 
Meta Platforms Inc., kompania amë e Facebook-ut, duket se është duke kërkuar forma të reja për identifikimin e njerëzve. Pesenti ka thënë se njoftimi i 2 nëntorit përfshin “një hap të mbarë kompanisë larg këtij lloji të identifikimit të gjerë, dhe drejt formave më të ngushta të verifikimit personal”.

“Njohja e fytyrave mund të jetë veçanërisht e vlefshme kur teknologjia operon në mënyrë private në pajisjet e një personi”, ka shkruar ai. Kjo metodë e njohjes së fytyrave brenda pajisjes, e cila nuk kërkon komunikim të të dhënave rreth fytyrave me një server të jashtëm, më së shpeshti zbatohet sot në sistemet e përdorura për të hapur telefonat e mençur”.

Apple e përdor këtë lloj teknologjie për të mbështetur sistemin e vet “Face ID”, që mundëson hapjen e modeleve të veta të celularëve, iPhone.
Hulumtuesit dhe aktivistët për privatësi prej vitesh kanë paraqitur shqetësimet e tyre rreth përdorimit të programeve për skanim të fytyrave nga industria e teknologjisë, duke cituar studime që kanë zbuluar se ato nuk funksiononin njëjtë karshi secilës racë, gjini apo moshë. Një ndër shqetësimet ka qenë se teknologjia mund t’i identifikojë gabimisht njerëzit me lëkurë më të errët.

Një tjetër problem me njohjen e fytyrave është se, për ta përdorur atë, kompanitë është dashur të krijojnë gjurmë unike të fytyrave të një numri të madh të njerëzve – shpesh pa pëlqimin e tyre dhe në mënyra që mund të përdoren për të ushqyer sistemet që gjurmojnë njerëzit, ka thënë Nathan Wessler, nga Unioni Amerikan i Lirive Qytetare, i cili e ka luftuar Facebook-un dhe kompani të tjera rreth përdorimit të teknologjisë nga ana e tyre.

 

“Ky është një pranim jashtëzakonisht i rëndësishëm, se kjo teknologji është qartas e rrezikshme”, ka thënë ai.

Facebook u bë vetë palë kundërshtuese, kur kërkoi që kompania për programe të njohjes së fytyrave, ClearviewAI, e cila bashkëpunon me policinë, të ndalonte së shfrytëzuari fotografitë e përdoruesve të Facebook-ut dhe të Instagram-it, për t’i identifikuar njerëzit në to.

Shqetësimet janë rritur, po ashtu, për shkak të dijenisë gjithnjë e më të madhe për sistemin e gjerë të mbikëqyrjes me kamera nga ana e qeverisë kineze, veçanërisht teksa ai është përdorur në një rajon ku jeton kryesisht njëra ndër popullatat më të mëdha minoritare myslimane të Kinës.

Arkivi i madh i Facebook-ut me fotografi të ngarkuara nga përdoruesit ka ndihmuar që ai të bëhet shtyllë për përmirësime në vizionin kompjuterik, që është degë e inteligjencës artificiale. Shumë prej ekipeve hulumtuese tani kanë zhvendosur fokusin nga ambiciet e Meta-s për teknologjinë e realitetit të shtuar, në të cilin kompania i parasheh përdoruesit e ardhshëm me syze speciale, për të përjetuar një gërshetim të botës virtuale dhe asaj fizike.

 

Këto teknologji, në anën tjetër, mund të nxisin pikëpyetje të reja për mënyrën e mbledhjes dhe gjurmimit të të dhënave biometrike të njerëzve.

Facebook-u nuk ka dhënë përgjigje të qarta kur është pyetur se si njerëzit mund të vërtetojnë se janë fshirë të dhënat e fotografive të tyre dhe se çfarë do të bëjë kompania me teknologjinë e vet, mbi të cilën bazohet njohja e fytyrave.

Rreth pyetjes së parë, zëdhënësi i kompanisë, Jason Grosse, ka thënë se mostrat e përdoruesve do të “caktohen për t’u fshirë”, nëse ata e kanë të aktivizuar veçorinë e njohjes së fytyrave dhe se procesi i fshirjes do të kryhet dhe do të verifikohet “në javët e ardhshme”. Rreth çështjes së dytë, Grosse ka deklaruar se Facebook-u do t’i “çaktivizojë” komponentët e sistemit që janë të lidhur me veçorinë e njohjes së fytyrave.

Qasja e re e kujdesshme e Meta-s ndaj njohjes së fytyrave pason vendimet e gjigantëve të tjerë amerikanë të teknologjisë, si Amazon, Microsoft dhe IBM, të ndërmarra vitin e kaluar, për t’i ndalur apo për t’i ndërprerë shitjet e programeve të njohjes së fytyrave për policinë, duke përmendur shqetësimet për identifikimet e gabuara, si dhe debatin e madh në Shtetet e Bashkuara për zbatimin e ligjit dhe padrejtësinë racore.

Të paktën shtatë shtete amerikane dhe mbi njëzet qytete e kanë kufizuar përdorimin e teknologjisë nga ana e qeverisë, në mes të frikës për shkeljen e të drejtave qytetare, për anime mbi baza racore dhe për shkelje të privatësisë.

Zyra për shkencë dhe teknologji e presidentit të SHBA-së, Joe Biden, ka nisur në tetor një mision faktmbledhës, për t’i analizuar njohjen e fytyrave dhe mjetet e tjera biometrike, që përdoren për t’i identifikuar njerëzit, apo për të vlerësuar gjendjen e tyre emocionale dhe mendore, si dhe karakterin e tyre. Rregullatorët dhe ligjbërësit evropianë, gjithashtu, kanë ndërmarrë hapa për t’ua pamundësuar zbatuesve të ligjit që t’i skanojnë pjesët e fytyrave në hapësirat publike.

 

Praktikat e Facebook-ut për skanimin e fytyrave, gjithashtu, kanë ndikuar që kompania të ndëshkohet me gjobë prej 5 miliardë dollarësh amerikanë dhe me masa kufizuese për privatësi, nga ana e Komisionit Federal të Tregtisë, më 2019. Marrëveshja e Facebook-ut me këtë organizëm ka përfshirë një premtim për të lëshuar një njoftim “të qartë dhe të dukshëm” para se fotografitë dhe videot e njerëzve t’i nënshtrohen teknologjisë së njohjes së fytyrave.

Më herët, këtë vit, kompania gjithashtu është pajtuar të paguajë 650 milionë dollarë për të mbyllur një rast të vitit 2015, ku akuzohej për shkelje të një ligji për privatësi në shtetin Illinoi, për shkak të përdorimit të etiketimit të fotografive pa lejen e përdoruesve.

“Ky është një zhvillim i madh, një hap i madh, por është gjithashtu shumë, shumë i vonuar”, ka vlerësuar John Davisson, këshilltar i lartë në Qendrën për Informim për Privatësi Elektronike. Kjo organizatë ka paraqitur ankesën e vet të parë në Komisionin Federal të Tregtisë, kundër shërbimit të Facebook-ut për njohjen e fytyrave, më 2011, një vit pas fillimit të zbatimit të tij.

Përgatiti: Trim Haliti-REL

copy(/home/titulli/public_html/images/image/acebook%3Dface.jpg): failed to open stream: No such file or directory
Mustafi pritet nga zëvendës kryeministri i Kosovës, Bislimi
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration