Lokale
Ekspozita “Ana tjetër e Luginës” promovohet në Bujanoc (video)
Një grup i artistëve të rinj nga Lugina kanë promovuar ekspozitën me piktura dhe fotografi të ndryshme të vendosura në shtëpinë e kulturës në Bujanoc. Organizatorët janë shprehur të kënaqur me pjesëmarrjen e qytetarëve në këtë ngjarje kulturore.
Flutra Aliu, organizatore dhe e cila ka prezantuar disa fotografi në këtë ekspozitë është shprehur e kënaqur me pjesëmarrjen dhe se kjo ishte hera e parë e një organizimi të këtillë në Bujanoc.
Edhe Krenar Halimi, i cili prezantoi me disa fotografi në këtë ekspozitë tha se vlerat kulturore të këtilla nuk kanë përkrahjen e duhur nga institucionet lokale mirëpo puna e tyre do të vazhdojë në promovimin e vlerave të artit.
Duke përshëndetur këtë aktivitet kulturor drejtori i Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, Arsim Asllani nikoqir i kësaj ekspozite është shprehur se rrallë ndodhë që ngjarje të këtilla kulturore të prezantojnë artistët nga rajoni ynë.
“Në një kohë të vështirë për të gjithë neve posaçërisht për botën e artit, këta artist na shpjegojnë me një dimension tjetër të perceptimit të realitetit tonë”, tha Asllani.
Ai duke përgëzuar këta artistë për punën e tyre kërkoi që edhe institucionet tjera komunale të përkrahin aktivitete të këtilla.
Avni Zahiri, pedagogë i artit në Bujanoc tha se është e vështirë të flitet për artin e pjesëmarrësve dhe kjo ekspozitë është interesante dhe ka vlerë të veçantë për artistët e rinj.
Ekspozita “Ana tjetër e Luginës” përfshinte fotografi dhe piktura të jetës në Luginë dhe është synuar përmes kësaj të paraqitet jeta reale e shoqërisë e cila jeton në këtë rajon.
Artistët e ekspozitës ishin dy fotograf Flutra Aliu e Krenar Halimi dhe piktor Fitore Fejzullahu, Leoneta Abdyli dhe Mentor Avdili./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!